Policia në Mitrovicën e Jugut zhvillon ligjërata për sigurinë në trafik
Njësia e Trafikut Rajonal, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut, që nga fillimi i vitit të ri shkollor 2026/2027, po vazhdon zbatimin e planit të veprimit “Siguria në shkolla”, me fokus në vetëdijesimin dhe edukimin e nxënësve për sigurinë në trafikun rrugor.
Në kuadër të këtij plani, zyrtarët policorë po mbajnë ligjërata me temën “Njohuri elementare për sigurinë në trafikun rrugor”, të dedikuara kryesisht për nxënësit e shkollave fillore.
Në këtë fazë të aktiviteteve janë përfshirë 17 shkolla fillore në komunat e Mitrovicës së Jugut, Skenderajt dhe Vushtrrisë, të cilat kanë qasje në rrugë rajonale dhe nacionale.
Qëllimi i këtyre ligjëratave është që nxënësit të marrin njohuri të nevojshme për rregullat elementare të trafikut rrugor, me theks të veçantë në parandalimin e rreziqeve dhe rritjen e sigurisë së tyre si pjesëmarrës në trafik.
Policia do të vazhdojë angazhimet për sigurinë e nxënësve gjatë gjithë vitit shkollor, përmes këshillimit, edukimit dhe aktiviteteve të tjera parandaluese.



