Trumpi përjashton përdorimin e armëve bërthamore kundër Iranit
Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore kundër Iranit, duke thënë se Uashingtoni nuk ka nevojë për to dhe duke theksuar se “nëna e të gjitha bombave” nuk është armë bërthamore.
I pyetur gjatë një interviste të enjten për “Newsmax” rreth raportimeve se administrata e tij po shqyrtonte përdorimin e bombës kundër Iranit, ndoshta pas zgjedhjeve të ndërmjetme në ShBA, Trump ka theksuar se bëhet fjalë për një armë konvencionale, jo bërthamore.
“Nëna e të gjitha bombave nuk është bërthamore”, ka thënë ai, duke e përshkruar atë thjesht si “një bombë jashtëzakonisht të madhe”.
Ai ka përsëritur se ShBA-ja nuk ka nevojë të përdorë armë bërthamore, shkruajnë mediat e huaja, përcjell “Telegrafi”.
“Jo, nuk do të përdorja armë bërthamore. Nuk kemi pse”, citohet të ketë thënë ai.
Trump gjithashtu ka ngritur mundësinë e sulmeve të mëtejshme kundër objekteve bërthamore të Iranit, përfshirë një vendndodhje të dyshuar nëntokësore, të njohur si “Pickaxe Mountain”.
“Tani, po e shqyrtojmë ‘Pickaxe Mountain’. Mund të na duhet të shkojmë atje”, ka thënë ai.
“Do ta godasim atë objektiv. Do ta shkatërrojmë shpejt”.
I pyetur nëse një operacion i tillë do të përfshinte trupa tokësore amerikane, Trump është përgjigjur: “Jo, nuk e shoh të mundshme. Nuk e shoh të mundshme”.
Ai ka thënë se tërheqja pa u siguruar që Irani nuk mund të pajiset me armë bërthamore mund të kërkonte veprime të mëtejshme ushtarake amerikane brenda një viti.
“Ne duam të sigurohemi që ata të mos kenë kurrë një armë bërthamore. Lufta me Iranin do të përfundojë shumë shpejt”, ka thënë Trumpi.
Trumpi gjithashtu ka parashikuar se lufta do të përfundonte së shpejti, duke thënë se Teherani po negocionte me Uashingtonin.
“Në një mënyrë apo tjetrën, do të përfundojë shumë shpejt. Dhe çmimi i naftës do të bjerë menjëherë dhe ndjeshëm, po ashtu edhe çmimet e karburantit”, ka thënë Trumpi.



