Trump i del në krah Netanyahut para zgjedhjeve në Izrael: Kryeministër dhe luftëtar
Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur mbështetjen e tij për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, përpara zgjedhjeve parlamentare të planifikuara më 27 tetor.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump e cilësoi Netanyahun si një “kryeministër të madh dhe luftëtar”, duke vlerësuar gjithashtu bashkëpunimin e tij në përpjekjet për paqe dhe në luftën kundër Republikës Islamike të Iranit.
“Ai ka qenë një partner edhe më i madh për paqen në luftën kundër Republikës Islamike të Iranit”, shkroi Trump.
Presidenti amerikan paralajmëroi gjithashtu se, nëse Izraeli do të kishte një udhëheqës tjetër përveç Netanyahut, Shtetet e Bashkuara do të duhej të merrnin vetë përsipër këtë detyrë.
“Bibi Netanyahu ka treguar forcë, guxim dhe zgjuarsi përballë një kundërshtimi të jashtëzakonshëm”, shtoi ai.
Zgjedhjet e 27 tetorit do të jenë të parat që nga sulmi vdekjeprurës i Hamasit ndaj Izraelit, më 7 tetor 2023, i cili u pasua nga lufta në Gaza dhe përshkallëzimi i konfliktit në Liban e Iran.
Votimi pritet të jetë vendimtar për të ardhmen politike të Netanyahut, pas një prej periudhave më të rëndësishme dhe më të trazuara në historinë e Izraelit. Ai përballet me rivalë të qendrës, të cilët premtojnë një drejtim të ri për vendin.
Sipas një sondazhi të publikuar të enjten e kaluar nga The Times of Israel, partia Yashar, e udhëhequr nga Gadi Eisenkot, ka zgjeruar epërsinë ndaj partisë Likud të Netanyahut.
Sondazhi i jep Yashar-it 26 vende në parlament, kundrejt 20 për Likud-in. Partia Together, e ish-kryeministrit Naftali Bennett, renditet e treta me 11 vende.
Megjithatë, asnjëri prej dy blloqeve kryesore nuk pritet të sigurojë shumicën parlamentare.
Sipas sondazhit, partitë kundërshtare të Netanyahut pritet të fitojnë 54 vende, ndërsa kampi pro tij 49, shumë më pak se 61 vendet e nevojshme për shumicën në Knesset, parlamentin izraelit.
Vendimi i votuesve do të përcaktojë nëse Netanyahu do të mbetet në pushtet apo do t’ua lërë vendin rivalëve politikë.



