Ku mund të blihen fanellat zyrtare të Kosovës? Flet Agim Ademi
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka bërë të ditur se së shpejti do të krijohen mundësi të reja për blerjen e fanellave zyrtare të Kombëtares së Kosovës, përfshirë hapjen e një hapësire për shitje në ambientet e federatës.
Duke folur për KosovaPress-in, Ademi ka thënë se FFK-ja ka përgatitur një hapësirë ekspozimi dhe shitjeje, e cila është pothuajse e gatshme.
Ai ka bërë të ditur se fanellat do të mund të blihen edhe përmes platformave online, si dhe në dyqanet fizike që janë përfaqësues zyrtarë të Adidasit.
“Meqë e kemi ndërruar brendin dhe kemi kaluar te Adidas, nuk kemi dashur t’i nxjerrim në shitje fanellat e reja, sepse do të ishte e padrejtë për njerëzit që t’i shisnim ato që nuk do të përdoreshin më. Tashmë e dimë se Adidasin do ta kemi për një kohë më të gjatë, sepse është një nga brendet më të mira në Evropë, madje mund të them edhe në botë. Krahas kësaj, tani do të ketë edhe vende ku mund të blihen fanellat. Do ta kemi edhe hapësirën e ekspozimit dhe shitjes në federatë, e cila pothuajse është gati. Fanellat do të jenë në dispozicion si në dyqanet fizike, ashtu edhe online.
Këtu ka disa dyqane që janë përfaqësues zyrtarë të Adidasit dhe që i kanë fanellat e Kosovës. E kam fjalën për produktet origjinale. Sigurisht, fanella mund të gjenden edhe në tregun jozyrtar, por i lus të gjithë ata që merren me këtë punë dhe që e mbrojnë brendin të kujdesen që qytetarët të blejnë fanellën zyrtare të shtetit të Kosovës, pra produktin origjinal. Mund të them lirisht se pothuajse pas çdo ndeshjeje, secili futbollist e dhuron fanellën e tij. Kjo bëhet pikërisht për ata që nuk kanë mundësi ta blejnë një fanellë, pasi Adidas ka çmime pak më të larta se brendet e tjera”, ka deklaruar Ademi.
Ademi ka bërë thirrje që qytetarët të kujdesen për blerjen e fanellave origjinale, duke theksuar se ato gjenden edhe në tregun jozyrtar.
Ai ka pranuar se fanellat e Adidasit kanë çmime më të larta, ndërsa ka vënë në dukje se futbollistët e Kosovës shpesh ua dhurojnë fanellat e tyre tifozëve pas ndeshjeve.



