Vitia takohet me përfaqësuesit e organizatave të pacientëve, diskutojnë për bashkëpunimin institucional
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka pritur në takim përfaqësues të PRAK-ut, këshillave dhe shoqatave të pacientëve, me të cilët ka diskutuar për nevojat dhe mundësitë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit institucional.
Sipas njoftimit, gjatë takimit u theksua rëndësia e komunikimit dhe përfshirjes më të madhe të shoqatave të pacientëve në hartimin e
politikave shëndetësore dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.
Ministri Vitia foli për punën e bërë dhe angazhimet e vazhdueshme për forcimin e sektorit të shëndetësisë, duke veçuar kujdesin parësor shëndetësor si pikën e parë ku pacientët drejtohen për të marrë shërbime shëndetësore.
Ai gjithashtu falënderoi organizatat e pacientëve për angazhimin dhe kontributin e tyre në përfaqësimin e nevojave të pacientëve, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor.



