Daut Haradinaj për kolonelin e NATO-s që u shpall “Qytetar Nderi i Deçanit”: Largësia dhe koha nuk i largojnë popujt nga miqtë e vërtetë
Daut Haradinaj ka falënderuar mikun e Kosovës, John Paul Mulhall – Poli, i cili sot u nderua me titullin “Qytetar Nderi i Deçanit”, për kontributin e tij gjatë luftës dhe në vitet e rindërtimit të vendit.
Në një postim në profilin e tij në Facebook, Haradinaj ka theksuar se largësia dhe koha nuk i largojnë popujt nga miqtë e vërtetë, duke e cilësuar popullin e Kosovës si dëshmi të kësaj miqësie të qëndrueshme.
John Paul Mulhall shërbeu si kolonel në kuadër të NATO-s gjatë luftës në Kosovë, periudhë në të cilën ishte i përfshirë edhe në koordinimin e vazhdueshëm me pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të udhëhequr në Dukagjin nga Ramush Haradinaj.
Duke kujtuar kontributin e Kolonel Mulhall, Haradinaj ka shkruar se liria dhe drejtësia në Dukagjin u fituan falë luftës çlirimtare të UÇK-së dhe ndihmës së miqve të Kosovës.
“Faleminderit, Paul John Mulhall!”, ka përfunduar Haradinaj mesazhin e tij.



