Haxhiu takohet me drejtoreshën e NDI-së, diskutojnë për agjendën legjislative dhe barazinë gjinore
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, është takuar me drejtoreshën e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI), Nancy Soderberg, me të cilën ka diskutuar për prioritetet e agjendës legjislative dhe mbështetjen për Institutin Parlamentar.
Përmes një postimi në “Facebook”, Haxhiu ka bërë të ditur se në takim është diskutuar edhe për avancimin e një agjende ligjvënëse që merr parasysh në mënyrë të barabartë nevojat dhe përvojat e grave dhe burrave.
Ajo ka theksuar rëndësinë e forcimit të kapaciteteve profesionale të Kuvendit dhe përfshirjes së barazisë gjinore në procesin e hartimit dhe shqyrtimit të ligjeve.
“Besoj se ligjet e mira fillojnë nga njohja e mirë e nevojave të qytetarëve. Prandaj, është e rëndësishme që Kuvendi të ketë kapacitete të fuqishme profesionale dhe që barazia gjinore të jetë pjesë e vetë procesit të hartimit dhe shqyrtimit të ligjeve”, ka shkruar Haxhiu.
Kryetarja e Kuvendit e ka falënderuar Soderbergun për përkushtimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që NDI i ka ofruar Kuvendit ndër vite, duke shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit.
Sipas Haxhiut, institucionet forcohen përmes shkëmbimit të dijes, përvojës dhe partneriteteve të qëndrueshme.



