Protestat po përdoren për ta destabilizuar Shqipërinë dhe për ta penguar integrimin në BE
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka komentuar protestat e ditëve të fundit, duke pretenduar se ato po shfrytëzohen nga grupe të ndryshme për të nxitur dhunë, destabilizuar vendin dhe frenuar procesin e negociatave me Bashkimin Evropian.
Gjatë një takimi me drejtuesit e gjimnazeve në Ministrinë e Arsimit, Rama deklaroi se institucionet arsimore po vendosen në qendër të vëmendjes për të krijuar përshtypjen se protestat lidhen me çështjet e arsimit.
Sipas tij, qëllimi i vërtetë i disa prej veprimeve gjatë protestave është të nxitet dhuna dhe të krijohet paqëndrueshmëri në vend.
Rama theksoi se e drejta për të protestuar është liri kushtetuese, por shtoi se ajo nuk duhet të ngatërrohet me aktet e dhunshme ndaj Policisë së Shtetit.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri mori në dorë një gur, të cilin e përdori për të ilustruar rrezikun që, sipas tij, paraqesin sulmet ndaj policisë.
“Ky gur është objekti që përcakton ku mbaron e drejta e protestës dhe ku fillon e drejta e shtetit për të reaguar”, u shpreh Rama.
Ai pretendoi gjithashtu se grupe të ndryshme po përpiqen të shfrytëzojnë pakënaqësinë e qytetarëve për të penguar përparimin e Shqipërisë dhe procesin e integrimit evropian.
Sipas Ramës, këto veprime synojnë të destabilizojnë vendin dhe të frenojnë negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Evropian.



