Rusia po sillet mirë ndaj Ukrainës, nuk ka bërë aq sa ka mundur

20 tetor 2026 | 08:24

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Rusia po sillet “mjaft mirë” ndaj Ukrainës dhe se nuk po bën shumë në vendin që prej vitesh po përpiqet ta pushtojë me forcë ushtarake.

“Për të qenë i sinqertë, Rusia ka qenë mjaft në rregull sa i përket Ukrainës. Ata nuk po bëjnë shumë atje”, u tha Trump gazetarëve mbrëmjen e së hënës, raporton Kyiv Independent.

Deklarata e presidentit amerikan erdhi në të njëjtën ditë kur një sulm rus me dronë ndaj një parku në Harkiv, në mes të ditës, la të vrarë gjashtë persona, përfshirë dy fëmijë. Një natë më parë, Rusia kishte sulmuar Kievin me më shumë se dhjetë raketa balistike, ndërsa në mbarë Ukrainën ishin goditur afro 30 objekte të rëndësishme të infrastrukturës energjetike.

Trump nuk i përmendi këto sulme. Në vend të kësaj, ai vlerësoi presidentin rus, Vladimir Putin, për atë që e cilësoi si përmbajtje në Ukrainë, por edhe në raport me Iranin.

Trump i hapur për takim me Putinin dhe Xinë

I pyetur nëse do të merrte pjesë në një takim trepalësh me Putinin dhe presidentin kinez, Xi Jinping, Trump u përgjigj pozitivisht.

Megjithatë, ai tha se një takim i tillë nuk do të organizohej për shkak të Ukrainës, pasi, sipas tij, Rusia është sjellë “mjaft mirë” ndaj këtij vendi. Sipas Trumpit, tema kryesore e takimit do të ishte çarmatimi bërthamor, raporton Index.hr.

Pyetja për një samit të tillë erdhi pasi The Wall Street Journal raportoi se Putini dëshiron ta shfrytëzojë një takim të mundshëm, pa pjesëmarrjen e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të siguruar një marrëveshje paqeje në favor të Moskës.

Trump deklaroi gjithashtu se është i gatshëm të bisedojë me Xinë për Ukrainën, duke e cilësuar udhëheqësin kinez si “shumë të drejtë” ndaj saj.

“Ai nuk është përfshirë shumë, dhe e njëjta vlen edhe për Rusinë”, tha Trump.

“Ata nuk kanë bërë as përafërsisht aq sa kanë mundur dhe këtë e vlerësoj”, shtoi presidenti amerikan.

Nuk është plotësisht e qartë nëse Trump po i referohej mbështetjes së Kinës për Rusinë apo vetë agresionit rus kundër Ukrainës.

Trump mbron marrëveshjen me Putinin

Trump tha se Shtetet e Bashkuara po negociojnë me Kremlinin për lirimin e një personi të marrë peng, në pozita të larta, përpara se të pretendonte se Rusia po sillet “shumë mirë” edhe ndaj Iranit.

“Edhe me Iranin kemi një situatë shumë të mirë. Putini po qëndron larg Iranit”, deklaroi ai.

Sipas Trumpit, kjo është pozitive, pasi SHBA-ja po ushtron presion të madh ndaj Teheranit, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë ushtarak.

“Rusia nuk ka ndërmarrë asgjë që ne të mund ta shohim. Mendoj se kjo është shumë pozitive”, tha ai.

Megjithatë, sipas raportimeve të mediave, Rusia mbetet një aleate e afërt e Iranit dhe ka premtuar mbështetje për Teheranin gjatë luftës me SHBA-në. Raportimet kanë përfshirë pretendime se Moska po i dërgon armë Iranit, po ndihmon në zhvillimin e raketave dhe po ofron informacione të inteligjencës që përdoren për sulme ndaj bazave amerikane në Lindjen e Mesme.

Më 30 prill, gjenerali amerikan Dan Caine, kryetar i Shefave të Shtatmadhorive të Përbashkëta të SHBA-së, deklaroi se Rusia po e mbështet Iranin në luftën kundër Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë, Ukraina ka dërguar ekspertë për të ndihmuar në rrëzimin e dronëve iranianë që sulmojnë shtetet e Gjirit Persik, ndërsa Putini i ka premtuar presidentit iranian, Masoud Pezeshkian, të gjitha furnizimet dhe mbështetjen e nevojshme gjatë luftës.

Pavarësisht këtyre raportimeve, Trump përsëriti se Rusia ka bërë pak për ta ndihmuar Iranin.

“Rusia mund të kishte bërë shumë më tepër për ta ndihmuar Iranin. Rusia ka bërë shumë pak për Iranin”, tha ai.

Trump kritikon sërish Zelenskyn

Presidenti amerikan e kritikoi sërish homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke sugjeruar se Ukraina duhet të shqyrtojë mundësinë e gjetjes së dikujt tjetër për ta përfaqësuar në negociata.

“Ne i kemi dhënë shumë Ukrainës. Ata nuk na kanë dhënë asgjë”, deklaroi Trump.

Sipas Kyiv Independent, qasja e presidentit amerikan ndaj Moskës ka ndryshuar ndjeshëm në prag të zgjedhjeve për Kongresin amerikan, një zhvillim që lidhet me përpjekjet për uljen e çmimeve të karburanteve në SHBA.

Më 9 tetor, Trump njoftoi një plan për blerjen e naftës dizel ruse, pavarësisht sanksioneve amerikane të vendosura prej vitesh ndaj produkteve energjetike ruse. Ai gjithashtu i kërkoi Ukrainës të ndalonte sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës.

Ligjvënës dhe kritikë nga të dyja partitë kryesore amerikane kanë argumentuar se lufta në Iran është një nga shkaqet kryesore të rritjes së çmimeve të naftës në tregjet botërore.

Ata e kanë kritikuar marrëveshjen e propozuar, duke vlerësuar se ajo i sjell përfitime Moskës në një kohë kur Rusia vazhdon sulmet ndaj qyteteve ukrainase dhe infrastrukturës energjetike të vendit.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Jo vetëm Shqipëria, por edhe Italia u kërcënua një ditë…