BKK dhe Biblioteka Kombëtare e Hungarisë nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Biblioteka Kombëtare Széchényi e Hungarisë kanë nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit me qëllim të forcimit të bashkëpunimit përmes projekteve të përbashkëta kulturore, shkëmbimit të stafit dhe trajnimeve profesionale në fushën e digjitalizimit.
Ky bashkëpunim është bërë i mundur falë angazhimit të ambasadorit të Republikës së Kosovës në Hungari, Delfin Pllana.
Memorandumi është nënshkruar nga drejtoresha e përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova Gaxha, dhe drejtoresha e përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare Széchényi, Judit Gerencsér.
Në takim, përveç përfaqësuesve të dy institucioneve, morën pjesë edhe sekretari i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit në Kosovë, Bislim Bislimi, si dhe përfaqësues nga Ministria e Punëve të Jashtme e Hungarisë.
Gjatë vizitës delegacioni pati mundësinë të njoftohet me punën e institucionit, shërbimet për përdoruesit, proceset e digjitalizimit si dhe mënyrat e ruajtjes së koleksioneve bibliotekare.
Nënshkrimi i memorandumit shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit mes dy bibliotekave dhe zhvillimit të lidhjeve kulturore mes Kosovës dhe Hungarisë.




