Haziri: Viti 2027 do të jetë vit i zgjedhjeve të brendshme në LDK
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se viti 2027 është vit i zgjedhjeve të brendshme me të gjitha vlerat të cilat i sublimon LDK-ja.
Ai ka thënë se LDK-ja është parti e vlerave të demokracisë, garës së drejtë dhe mirënjohës për të gjithë ata që kontribuan e ndërtuan për 37 vite këtë aset kombëtar.
“LDK është shtëpi e besimtarëve të saj, është besë e shpresë për Republikën e Kosovës dhe shqiptarët. Misioni ynë duhet të arrihet deri në kthimin e besimit dhe bashkimin e shqiptarëve, duke qenë gjithmonë mirënjohës e falënderues për partnerët tanë, me vendosmërinë për marrëdhënie speciale me SHBA-të, me Evropën si shtëpi e përbashkët dhe NATO-n si aleanca e vetme. Pa e hapur garën zgjedhore e kalendarin në të gjitha nivelet, nuk i kontribuojmë demokracisë së saj nëse shkaktojmë debat se kush është më i miri për garën e brendshme. Secili që mundet, përmes shembullit personal të suksesit, kontributit e meritës, duhet të garantojë rikthimin e madh të LDK-së. Ai apo ajo le të ftohet nga votuesit për besim në garë. Rruga evropiane e Kosovës kalon nëpër zyrat e LDK-së dhe partnerëve të saj. Koha për mirëbesim, bashkëpunim e marrëveshje të madhe, që gara e ardhshme zgjedhore t’i bashkojë të gjithë qytetarët në shpresë e besë për LDK-në dhe shqiptarët”, ka shkruar Haziri në “Facebook”.



