Pacolli paralajmëron padi të re ndaj Faton Pecit pas deklaratave për dosjen e vrasjes së Jusuf Gërvallës

21 tetor 2026 | 11:20

Behgjet Pacolli ka paralajmëruar se do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj kryetarit të Mitrovicës, Faton Peci, pas deklaratave të këtij të fundit lidhur me pretendimet se emri i Pacollit figuron në dosjen gjermane të hetimeve për vrasjen e Jusuf Gërvallës.

Në një përgjigje të shkurtër për “VOX Kosova”, Pacolli ka thënë se avokatët e tij do t’i denoncojnë deklaratat e Pecit dhe të Donika Gërvallës, duke i cilësuar ato si shpifje.

“Sigurisht se avokatët e mi do t’i denoncojnë. Sa primitive e sa e ulët tingëllon kjo shpifje”, ka thënë Pacolli për “VOX Kosova”.

Deklarata e tij vjen pasi Gjykata Themelore e ka dënuar Faton Pecin për shpifje dhe fyerje në procesin gjyqësor me Behgjet Pacollin.

Peci ka thënë se do ta paraqesë pretendimin e tij edhe në Gjykatën e Apelit, duke këmbëngulur se burimi i informacionit ishte Donika Gërvalla.

“Donika Jusuf Gërvalla më ka thënë që emri i Behxhet Pacollit figuron në dosjen gjermane në proces të hetimit të vrasjes fizike të Jusuf Gërvallës”, ka deklaruar Peci në “ATV”.

Ai ka thënë se më herët nuk ka dashur ta përfshijë Gërvallën në këtë çështje, por se në procedurën e Apelit synon ta bëjë të ditur burimin e pretendimeve të tij.

“Kur të shkojmë në Apel, unë kam me dalë edhe me kallxu. Nuk kam dashtë në fazën e parë me involve Donikën, me kallxu ku është burimi jem kryesor”, ka thënë Peci.

Peci ka përsëritur se nuk e di se çfarë roli mund të ketë pasur Pacolli, por ka pretenduar se emri i tij figuron në dosjen gjermane të hetimeve për vrasjen e Jusuf Gërvallës.

Pretendimet e përmendura në këtë çështje janë deklarata të palëve dhe, në vetvete, nuk përbëjnë vërtetim të përfshirjes së Pacollit në vrasje.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kampionia dhe nënkampionia e Kosovës në basketboll do të vazhdojnë…