Presidentja pret delegacionin nga Lugina e Preshevës, diskutohet mbështetja për shqiptarët
21 tetor 2026
| 17:03
Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka bërë me dije se të mërkurën ka zhvilluar një takim me presidenten e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, së bashku me një delegacion nga Lugina e Preshevës.
Përmes një postimi në “Facebook”, Sinani ka njoftuar se gjatë takimit është diskutuar për mbështetjen institucionale të Kosovës ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, si dhe për rëndësinë e përfaqësimit të tyre politik.
Sipas Sinanit, presidentja u ka bërë thirrje shqiptarëve me të drejtë vote që të mbështesin listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar”, me numër 17, në zgjedhjet parlamentare.
Në fund të postimit, Sinani ka shprehur mirënjohje për presidenten për pritjen dhe përkushtimin ndaj Luginës së Preshevës.



