Airbnb vendos rregulla të reja, ja çfarë nuk mund t’ju kërkojnë më pronarët e apartamenteve!
Një nga pakënaqësitë më të shpeshta të turistëve që zgjedhin të qëndrojnë në apartamente përmes Airbnb janë detyrat e shumta që u lihen nga pronarët para largimit. Nga heqja e çarçafëve te nxjerrja e mbeturinave, këto kërkesa shpesh janë kthyer në një shqetësim shtesë për ata që duan të shijojnë pushimet pa u marrë me punët e shtëpisë.
Por kjo pritet të ndryshojë. Platforma e njohur e akomodimit afatshkurtër ka përditësuar rregullat e saj, duke vendosur kufizime për detyrat që pronarët mund t’u kërkojnë vizitorëve gjatë procesit të largimit.
Sipas politikës së re, pritësit nuk mund t’u kërkojnë mysafirëve të kryejnë punë që kërkojnë kohë ose përpjekje të konsiderueshme, apo që zakonisht i takojnë pastruesve. Kjo do të thotë se detyra të tilla si larja dhe sistemimi i enëve nuk mund të jenë më pjesë e kërkesave të detyrueshme përpara largimit.
Megjithatë, disa kërkesa të thjeshta do të lejohen ende. Për shembull, pronarët mund t’u kërkojnë vizitorëve t’i vendosin enët e përdorura në lavaman, pa qenë të detyruar t’i lajnë dhe t’i sistemojnë ato.
Në një deklaratë për Euronews Travel, Airbnb shpjegoi se vendimi vjen pas ankesave të përdoruesve, të cilët i kanë konsideruar rregullat e shtëpisë shpesh konfuze, të lodhshme dhe të vështira për t’u menaxhuar. Kompania synon t’i bëjë këto rregulla më të qarta dhe të shmangë surprizat e pakëndshme për pushuesit.
Me përditësimin e ri, rregullat e shtëpisë do të shfaqen në faqen e akomodimit, te seksioni i udhëtimeve dhe në kujtesat që u dërgohen vizitorëve për rezervimet e tyre.
Pronarët do të mund të përcaktojnë shtatë kategori standarde rregullash, që lidhen me oraret e regjistrimit dhe largimit, numrin e vizitorëve të lejuar, duhanpirjen, pranimin e kafshëve shtëpiake, oraret e qetësisë dhe filmimet apo fotografimet komerciale. Ata mund të shtojnë edhe kërkesa të tjera, për sa kohë që janë të arsyeshme dhe në përputhje me politikën e platformës.
Airbnb do të sinjalizojë kërkesat që nuk përputhen me rregullat e reja. Në këto raste, pritësit do të duhet t’i heqin ato ose të paraqesin një ankesë për shqyrtim.
Një tjetër pikë e rëndësishme e politikës së re lidhet me tarifën e pastrimit, e cila duhet të mbulojë vetëm pastrimin standard të akomodimit mes dy rezervimeve. Gjithashtu, pronarët nuk mund t’u kërkojnë vizitorëve pagesa shtesë për moskryerjen e detyrave të përcaktuara në listën e punëve që duhen bërë gjatë largimit.
Ndryshimi synon të vendosë kufij më të qartë për pritësit dhe të shmangë situatat kur turistët, përveç tarifës së akomodimit dhe pastrimit, përballen edhe me një listë punësh që duhet t’i përfundojnë përpara se të largohen.



