Bill Clinton citon Kuranin për t’i mbrojtur myslimanët nga paragjykimet
Ish-presidenti amerikan Bill Clinton ka dënuar paragjykimet ndaj myslimanëve, duke bërë thirrje për më shumë mirëkuptim dhe respekt ndërmjet komuniteteve të ndryshme fetare.
Clinton i ka bërë këto deklarata të martën në mbrëmje, më 20 tetor, gjatë një aktiviteti ndërfetar të titulluar “Shumë fe, një Florida”, i mbajtur në Koinonia Worship Center, në zonën Hollywood-Pembroke Park, në qarkun Broward të Floridës.
“Jam lodhur duke i denigruar njerëzit vetëm pse janë myslimanë”, ka deklaruar Clinton, duke shprehur kundërshtimin e tij ndaj paragjykimeve dhe gjuhës përçmuese ndaj besimtarëve myslimanë.
Gjatë fjalimit të tij, ish-presidenti amerikan ka kujtuar gjithashtu interesimin e vajzës së tij, Chelsea Clinton, për librin e shenjtë të Islamit. Sipas tij, Chelsea e kishte lexuar të gjithë Kuranin kur ishte 15 vjeçe dhe më vonë e kishte nxitur edhe të atin ta lexonte atë.
Clinton i është referuar gjithashtu ajetit 13 të sures El-Huxhurat, ku theksohet se njerëzimi është krijuar në popuj dhe fise të ndryshme, në mënyrë që njerëzit të njihen me njëri-tjetrin.
Përmes këtij referimi, ai ka nënvizuar rëndësinë e njohjes së ndërsjellë, dialogut dhe mirëkuptimit ndërmjet komuniteteve, në vend të armiqësisë dhe paragjykimeve për shkak të përkatësisë fetare.



