Kurti pas takimit me kancelarin austriak: Kosova është gati për statusin e vendit kandidat në BE

22 tetor 2026 | 12:22

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me kancelarin federal të Austrisë, Christian Stocker, në Shën Stefan, ku kanë diskutuar për prioritetet e Qeverisë së Kosovës në mandatin e ri, bashkëpunimin ekonomik dhe avancimin e vendit drejt Bashkimit Evropian.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për mundësitë konkrete të bashkëpunimit në sektorët e energjisë, hekurudhave dhe teknologjisë digjitale, ku, sipas tij, kompanitë austriake dhe diaspora kosovare po rrisin investimet.

“Në Vjenë u takuam vetëm dy ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 Qershorit, ndërsa këtë mëngjes në Shën Stefan në detin Adriatik biseda me Kancelarin Federal të Austrisë, Christian Stocker, u përqendrua në prioritetet e Qeverisë në mandatin e ri dhe avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe”, ka shkruar Kurti.

Ai ka theksuar se gjatë takimit është diskutuar edhe për hapa konkretë në procesin e integrimit evropian, duke përmendur anëtarësimin në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA) dhe përfshirjen në zonën e roamingut të Bashkimit Evropian.

“Para katër muajsh mes tjerash folëm për dy hapa konkretë: integrimin në SEPA dhe zonën roaming të BE-së. Për të parin tashmë kemi përmbushur edhe kushtin e fundit, me tërësinë e ligjeve të nevojshme, dhe për të dytin presim nisjen e negociatave së shpejti”, ka bërë të ditur kryeministri.

Në postimin e tij, Kurti ka mbështetur qëndrimin e kancelarit austriak për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke theksuar se kandidatët duhet të trajtohen me kushte të barabarta.

“Mbështes deklaratën e Kancelarit Stocker se Bashkimi Evropian nuk është i plotë, i sigurt dhe i qëndrueshëm pa Ballkanin Perëndimor dhe se të gjithë kandidatët duhet të trajtohen njëlloj, me të njëjtat kushte. Në bazë të meritës, Republika e Kosovës është gati për avancim në rrugën evropiane, statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave”, ka deklaruar Kurti.

Në fund të postimit, kryeministri ka përmendur edhe ndeshjet e futbollit ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, duke e mbyllur mesazhin me një koment sportiv.

“Pas 3:1 në Vjenë dhe 1:1 në Prishtinë, po afrohemi edhe në futboll”, ka shkruar Kurti.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar se gjendja aktuale në…