LDK-ja na kërkoi kryeparlamentarin, ne ia ofruam MPJ-në

13 janar 2020 | 14:45

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetar i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka treguar për kërkesat që Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka ndaj LV-së për ta arritur marrëveshjen për bashkëqeverisje.

Ai ka deklaruar se partia e Isa Mustafës kërkon që t’i kthehet posti i kryeparlamentarit ashtu siç ishin pajtuar fillimisht.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Bahtiri ka bërë me dije se një gjë e tillë është e paarritshme.

“Pasi kemi rifilluar bisedimet ata këmbëngulin që t’u kthehet posti i kryeparlamentarit. Mendoj se ata duhet ta kuptojnë se kjo çështje tashmë ka përfunduar. Kjo kërkesë nuk është në rregull, sepse t’i humbësh zgjedhjet dhe ta kërkosh postin e kryeparlamentarit nuk është e drejtë. Po ashtu, ta kërkosh postin e presidentit, duke mos përmendur asnjë emër, as kjo nuk është në rregull. Tani bisedimet kanë mbetur te kryeparlamentari”, ka thënë Bahtiri.

Ai ka treguar se LV-ja në këmbim të postit të kryeparlamentarit të LDK-së i ka ofruar Ministrinë e Punëve të Jashtme.

“Si anëtar i LV-së kam propozuar që si kompensim për postin e kryetarit të Kuvendit t’i jepet LDK-së Ministria e Punëve të Jashtme. Ndërsa kur të zgjedhet presidenti në vitin 2021, MPJ-ja t’i kthehet LV-së dhe të vazhdojmë qeverisjen me nga pesë ministri”, ka thënë ai, duke shtuar se ende nuk kanë marrë një përgjigje nga LDK-ja për këtë çështje.

Për zvarritjen e këtyre negociatave për formimin e qeverisë, Bahtiri ka fajësuar liderin e LDK-së, Isa Mustafën. “Këto lojëra të Isa Mustafës unë nuk po mund t’i kuptoj dhe nuk po i kupton asnjë njeri. Kështu që, kemi mbetur në një situatë jashtëzakonisht të keqe”, është shprehur ai.

Sipas Bahtirit, LV-ja nuk do ta presë shumë LDK-në. Ai ka thënë se shumë shpejt Këshilli i Përgjithshëm i LV-së do t’i japë drejtim kësaj çështje. “Në fund do të marrë vendim Këshilli i Përgjithshëm i LV-së dhe atë vendim ju si media sigurisht se do ta shihni. Ne nuk dëshirojmë që ta bllokojmë shtetin dhe nuk do ta bëjmë një gjë të tillë. Ne do të presim edhe pak, por jo shumë”, është shprehur Bahtiri.

“Epoka e re”: Z. Bahtiri, pse nuk ka ende marrëveshje LV-LDK?
Bahtiri: Nuk kemi marrëveshje sepse LDK-ja ende nuk po mund ta kuptojë se çfarë qëllimi ka në këto bisedime. Ne çdoherë kemi qenë të hapur dhe zemërgjerë për të ecur përpara dhe për të bërë koalicion me LDK-në, në mënyrë që t’i përmbushim pritjet e qytetarëve që kanë votuar më 6 tetor. LDK-ja në këto bisedime çdoherë bën kërkesa të ndryshme dhe asnjëherë nuk tregohet e vendosur për t’i përfunduar gjërat. Siç dihet ne ia kemi dhënë fillimisht postin e kryeparlamentarit, por nuk e deshi. Pastaj, ne kërkuam që kryeparlamentarin ta votojmë në ditën që u mbledh Kuvendi dhe prapë ajo nuk dëshiroi. Kur e propozuam kandidatin tonë për kryeparlamentar e votoi. Ndërsa, tani dëshiron ta kthejë kryeparlamentarin. Këto lojëra të Isa Mustafës unë nuk po mund t’i kuptoj dhe nuk po i kupton asnjë njeri. Kështu që, kemi mbetur në një situatë jashtëzakonisht të keqe. Prandaj, thirrjet e mia për një marrëveshje të shpejtë kanë qenë shumë reale dhe njerëzore, sepse e kemi obligim t’i krijojmë institucionet ndaj qytetarëve të cilët na kanë votuar.

“Epoka e re”: Cilat janë kërkesat LDK-së për ta arritur marrëveshjen?
Bahtiri: Siç e dini, në fillim jemi pajtuar me një qeverisje ku secila parti t’i ketë nga pesë ministri. Isa Mustafa ministrinë e parë që ka zgjedhur ka qenë ajo e MPB-së, të cilin vazhdimisht LV-ja kishte proklamuar se do ta merrte për t’i luftuar krimin dhe korrupsionin. Pavarësisht kësaj, ne ia besuam këtë ministri LDK-së. Pasi përfundoi ndarja e ministrive, LDK-ja kërkoi që t’i jepet kryeparlamentari dhe posti i presidentit. Qëndrimet tona rreth postit të presidentit kanë qenë që njëherë mos të flitet për këtë çështje derisa të vijë koha e zgjedhjes së presidentit. Ndërsa postin e kryepalamenatrit ua kemi ofruar, ani pse ai post i takon partisë që ka fituar zgjedhjet. Ata nuk e pranuan ofertën tonë dhe pasi u thirr mbledhja konstituive e Kuvendit ne ishim të obliguar ta konstituojmë këtë institucion dhe t’i hapim rrugë krijimit të institucioneve të reja. Pra, ne propozuam kandidatin tonë, z. Konjufca, i cili u zgjedh me 75 vota, duke përfshirë të gjitha votat e LDK-së.

“Epoka e re”: Çfarë kërkon LDK-ja në këmbim të postit të kryeparlamentarit?
Bahtiri: Pasi kemi rifilluar bisedimet, ata këmbëngulin që t’u kthehet posti i kryeparlamentarit. Mendoj se ata duhet ta kuptojnë se kjo çështje tashmë ka përfunduar. Kjo kërkesë nuk është në rregull, sepse t’i humbësh zgjedhjet dhe ta kërkosh postin e kryeparlamentarit nuk është e drejtë. Po ashtu, ta kërkosh postin e presidentit duke mos përmendur asnjë emër, as kjo nuk është në rregull. Tani bisedimet kanë mbetur te posti i kryeparlamentarit.

 “Epoka e re”: Po LV-ja, çfarë i ka ofruar LDK-së për postin e kryeparlamentarit?
Bahtiri: Si anëtar i LV-së kam propozuar që si kompensim për postin e kryetarit të Kuvendit t’i jepet LDK-së Ministria e Punëve të Jashtme, ndërsa kur të zgjedhet presidenti në vitin 2021, MPJ-ja t’i kthehet LV-së dhe ta vazhdojmë qeverisjen me nga pesë ministri. Sepse, siç dihet, ata kanë deklaruar se pasi të zgjedhet presidenti i vendit nga LDK-ja, kjo parti një ministri do t’ia japë LV-së. Ne tani po themi se atë ministri ta bëjmë kompromis me postin e kryeparlamentarit. Ky ka qenë një propozim imi që ua kam propozuar LDK-së dhe LV-së. Po ashtu, ju e dini se ministritë më të fuqishme që i ka qeveria i ka marrë LDK-ja.

“Epoka e re”: Cila ka qenë përgjigjja e LDK-së për këtë ofertë?
Bahtiri: Ende nuk na kanë dërguar ndonjë njoftim. Ata kërkojnë që t’u kthehet posti i kryeparlamentarit. Por ky post nuk mund të kthehet, sepse kjo nuk është lojë e fëmijëve. Kryetari i ri i Kuvendit është zgjedhur në mënyrë demokratike. Z. Konjufca është kryetari më i mirë që ka pasur ndonjëherë Kuvendi i Kosovës. LDK-ja duhet ta dijë se nuk kemi kohë për të humbur për ta çuar në vend vullnetin e qytetarëve të shprehur me votën e lirë në zgjedhjet e 6 tetorit. Dihet se qeverinë e re e presin sfida të rëndësishme si dialogu me Serbinë, zhvillimi ekonomik dhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në këtë situatë neve na ka humbur edhe besimi, sepse fillimisht të votosh pro kryeparlamentarit dhe pas tri jave të kërkosh ta shkarkosh është e pamoralshme dhe jonjerëzore.

 “Epoka e re”: Por si fituese e zgjedhjeve LV-së i takon që ta zhbllokojë situatën.
Bahtiri: Neve nuk na ka mbetur gjë tjetër vetëm t’ia japim një fletë të bardhë dhe një stilolaps Isa Mustafës dhe ai të shkruajë çfarë të dojë. Pastaj ne të shohin se çfarë ka shkruar, sepse ende nuk po e dimë se çfarë po dëshiron konkretisht. Kjo zvarritje e mosrealizimit të vullnetit qytetar për të qeverisur së bashku është e pakuptimtë. Natyrisht se këtë zvarritje e ndien secili qytetar.
Nuk e di se si ia ka vënë syrin Isa Mustafa këtij procesi, por kjo nuk është në parimet demokratike dhe nuk është as në vullnetin e deputetëve dhe të elektoratit të LDK-së.

 “Epoka e re”: Çka nëse nuk arrihet një marrëveshje me LDK-në, a ka plan ‘B’ LV-ja?
Bahtiri: Mendoj se ne do t’i presim edhe pak. Pastaj do të thirret Këshilli i Përgjithshëm i LV-së dhe do të ecim përpara. Nuk e di cila do të jetë zgjidhja, por e di se Republika e Kosovës nuk mund të jetë në bllokadë. Këtë bllokadë është duke e bërë Isa Mustafa.

 “Epoka e re”: A mund të shikojë Vetëvendosja edhe partner tjetër për ta formuar qeverinë e re?
Bahtiri: Në fund do të marrë vendim Këshilli i Përgjithshëm i LV-së dhe atë vendim ju si media sigurisht se do ta shihni. Ne nuk dëshirojmë që ta bllokojmë shtetin dhe nuk do ta bëjmë një gjë të tillë. Ne do të presim edhe pak, por jo shumë. Ne kemi bërë maksimumin nga vullneti ynë i mirë që të bashkëqeverisim dhe ta çojmë vendin përpara. Kushdo që dëshiron ndryshe, besoj se do të përballet me qytetarët e Kosovës dhe simpatizantët e tyre.

“Epoka e re”: Sa do ta prisni LDK-në, një javë apo më shumë?
Bahtri: Mendoj se shumë pak kohë ka mbetur. Qytetarët janë të zhgënjyer nga qëndrimet e Isa Musaftës. Ne jemi të interesuar të vazhdojmë përpara, por jo me këto bllokada dhe inate.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) është duke i…