25 vjetori i fillimit të bombardimeve të NATO-së mbi Jugosllavinë

24 mars 2024 | 20:47

Nga: Imer Xhemail Lladrovci

Pikërisht sot në mbrëmje 25 vjet më parë u ngritën aeroplanët luftarakë nga baza ajrore e NATO-së në Aviano të Italisë në drejtim të Jugosllavisë- Serbisë dhe Malit të Zi me qëllim për të hedhur bomba. Ishte hera e parë që aleanca ushtarake e shteteve perëndimore  kishte vendosur ta sulmonte një shtet tjetër për arsye krejt humanitare, jo pse ato shtete që ishin anëtare e kësaj aleance ishin sulmuar prej këtij shteti, por pse ky shtet synonte të  shfaroste një popull tjetër që jetonte brenda kufijve të tij në trojet e veta të vjetra. Presidenti serb dhe klika e tij me një mbështetje të gjerë në popull ia kishin filluar spastrimit etnik të Kosovës sipas një plani të hartuar më parë, sipas planit „Patkoi“. Ai ishte paralajmëruar që në fillim të viteve 1990 nga presidenti amerikan George W. Bush që të heq dorë nga kjo aventurë e rrezikshme, mirëpo në mars të  vitit 1998 Sllobodan Millosheviqi ( Slobodan Milošević) e kapërceu vijën e kuqe që i ishte vënë atij nga Shtetet e Bashkuara kur e sulmoi familjen Jashari në Prekaz. Njerëzit që e kanë njohur atë nga afër thonë  se ai e dinte që për këtë gjë do të ndëshkohej nga Perëndimi, mirëpo thoshte se kështu serbët do ta urrenin Perëndimin përgjithmonë. Edhe një çerekshekulli më vonë serbët nuk duan të shqyrtojnë në mënyrë kritike arsyet për këtë ndërhyrje nga ajri të aleancës ushtarake më të fuqishme në historinë e njerëzimit. Në vend të një shqyrtimi të tillë të esulltë, Beogradi zyrtar e mallkon Perëndimin me propagandën e tij banale dhe në popull ekziston një urrejtje e madhe për shtetet perëndimore që morën pjesë në aksionin 74 ditor të bombardimit nga ajri. Dhe jo vetëm kaq: sot Serbia është i vetmi vend në Europë veç Bjellorusisë që solidaritohet haptazi me agresionin rus në Ukrainë. Rusofilia serbe ka arritur kuotat maksinale. Edhe një filozof si Noam Chomsky apo një shkrimtar i famshëm si Gabriel Garcia Marquez nuk i kursyeb fjalët e këqia për intervenimin e vitit 1999, madje Noam Chomsky pati shkruar një vit më vonë librin „Humanizmi i ri militar: Mësimet e Kosovës“ (The New Military Humanism: Lessons From Kosovo) ku argumentonte si filozof kundër këtij intervenimi ushtarak, duke supozuar se edhe shtete të tjera në botë do të bombardohen kështu si Jugosllavia-Serbia e Mali i Zi sapo interesat e Perëndimit ta kërkonin një gjë të tillë. Chomsky edhe për  agresionin rus në Ukrainë ka një përgjigje specifike që në thelb tërthorazi e arsyeton këtë ndërhyrje të Putinit në vendimet e një shteti sovran fqinj që për interesat e tij kërkon aleatë politikë, ekonomikë dhe ushtarakë në Perëndim. Chomsky për fat të keq na shfaqet në verzionin e Leonid Brezhnjevit me teorinë e tij të sovranitetit të kufizuar, pra në një version fare të mjerë. Sipas linguistit amerikan që kujton se është filozof Rusisë i ishte premtuar në fund të viteve 1980, pas rrëzimit të Murit të Berlinit, se nuk do të kishte zgjerim të NATO-së në Lindje. Shkurt, dënimi verbal i agresionit rus pjesë-pjesë relativizohet gjatë ligjërimit, saqë në fund kemi përshtyojen se Rusia ishte e detyruar të sulmonte Ukrainën për ta mbrojtur veten, se jo Ukraina, por Rusia është viktima. Të njejtën gjë ky njeri dhe të tjerë si ky i arsyetonin krimet serbe ndaj popullsisë civile në Kosovë në fund të viteve 1990. E dënonin intervenimin e NATO-së me arsyetimin se kishin ekzistuar mundësi të tjera diplomatike për zgjidhjen e konfliktit serbo-shqiptar. E vërteta është se ndërhyrja erdhi pasi që u shterruan të gjitha këto mundësi për një zgjidhje paqësore të konflikteve serbo-shqiptare. Pas fillimit të kryengritjes së pergjithshme të armatosur të prirë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës punët kishin shkuar aq larg saqë mosveprimi e Perëndimit do të ishte një mbështetje e heshtur për ushtrinë serbe që jo për herë të parë në shekullin XX po e masakronte popullsinë civile shqiptare në Kosovë. Kosova i ishte bashkëngjitur shtetit serb, mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, Jugosllavisë së mëvonëshme pas një pushtimi të saj ushtarak dhe aspak vullnetarisht. Asnjë shqiptar i vetëm nuk do të donte të jetonte si shtetas serb. Refuzimi i perspektivës serbe ishte absolut. Pastaj,  po me një pushtim ushtarak Kosova  ishte nënshtruar nga ushtria e Titos në vitin 1945. Kujto këtu Kryengritjen e Drenicës të Shaban Polluzhës në vitin 1945 dhe Kryengritjet e Ferizajt dhe të Gjilanit në fund të vitit 1944. Serbët nuk posedonin mundësi të tjera për ta mbajtur Kosovën brenda kufijve të shtetit të tyre veç atyre të shtypjes ushtarake të vullnetit politik shqiptar. Me ushtri e kishin marrë këtë vend, me ushtri e polici e mbanin. Kjo mënyrë e zgjidhjes së problemit shqiptar ishte toleruar në rrethana të tjera historike kur Rusia cariste apo ajo sovjetike ishte një fuqi e madhe, por në një kohë kur kishte ndryshuar konteksti ndërkombëtar ambiciet ekspansioniste serbe nuk pranoheshin. Këtë gjë e dinin mirë në Beograd, por, megjithatë, elita shtetërore serbe kishte vendosur të sfidonte Shtetet e Bashkuara me aksionet e saj, ndaj dhe u ndëshkua në mënyrë shembullore, siç e dimë. 25 vjet më vonë shqiptarët e kujtojnë me nderim të madh këtë intervenim, kurse serbët me urrejtje të madhe vazhdojnë të flasin për ndaljen e turrit të tyre makabër në Kosovë në vitin 1999 nga ana e NATO-së. Nga ky pezm vendi ynë vazhdon të mbrohet edhe më tej nga KFOR-i. Serbia vazhdon të na kërcënojë edhe pas një çerekshekulli.

Atje tashmë është rrëzuar Sllovodan Millosheviqi, por mllefi kundërshqiptar është pothuajse ai i viteve 1990.

Rezultat i intervenimit të NATO-së është shteti i Kosovës. Serbia mund të mos pajtohet me të, por asgjë s‘do të ndryshojë më në arkitekturën shtetërore të Ballkanit. Në ndërkohë kemi një brez të tërë shqiptarësh që nuk e dinë çka është shteti serb dhe, për më tepër, nuk duan ta dinë. Faktet janë fakte dhe Serbia duhet të mësohet me to e t‘i pranojë. Nëse nuk e bën këtë gjë, atëherë do të jetë keq për të.

Foto: Gjeneral John Boyd dhe Imer Lladrovci.
Autori është ish diplomat karriere dhe shef i Konsullatës së Republikes së  Kosovës në Stuttgart të Gjermanisë dhe Vjenë të Austrisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qindra padi nga ish-pjesëtarë të UÇK-së, kanë shkuar në Gjykatën…