29-shja e PDK-së, Kaltrinë Lohaj, vlerëson artin e Haki Xhaklit: Në atë pikturë pashë Kosovën
Kandidatja për deputete e PDK-së me numër 29, Kaltrinë Lohaj, ka ndarë përshtypjet e saj nga një vizitë në atelienë e piktorit të njohur Haki Xhaklit, ku u ndal te një pikturë e shqiponjës që, sipas saj, përfaqësonte historinë, sfidat dhe qëndresën e popullit të Kosovës.
Lohaj tha se piktura e një shqiponje të fuqishme i la përshtypje të veçantë, duke e parë atë si simbol të krenarisë kombëtare dhe të forcës për të përballuar vështirësitë.
“Në shikim të parë dukej sikur mbi krahët dhe supet e saj mbante barrën e historisë, luftës, sakrificës dhe përgjegjësisë së një populli të tërë. Nuk ishte një shqiponjë që po zbriste drejt tokës me vullnetin e saj; ajo dukej e rënduar nga krizat, sfidat dhe pengesat që përpiqeshin ta tërhiqnin poshtë”, ka shkruar Lohaj.

Postimi i plotë i saj:
Në atelienë e piktorit Haki Xhakli, mes artit, pikturës,
Aty ishte një pikturë shqiponjë e fuqishme, simbol i qëndresës dhe krenarisë sonë.
Në shikim të parë dukej sikur mbi krahët dhe supet e saj mbante barrën e historisë, luftës, sakrificës dhe përgjegjësisë së një populli të tërë. Nuk ishte një shqiponjë që po zbriste drejt tokës me vullnetin e saj; ajo dukej e rënduar nga krizat, sfidat dhe pengesat që përpiqeshin ta tërhiqnin poshtë.
Kthetrat e hapura dhe shikimi i saj i mprehtë nuk shprehnin dorëzim. Përkundrazi, ato tregonin një forcë të gatshme për rezistencë dhe ringritje. Edhe kur pesha e kohës dhe e rrethanave e vë në provë, shqiponja mbetet simbol i fuqisë për të mos u rrëzuar.
Në këtë pikturë pashë Kosovën: një vend që ka kaluar sfida të mëdha dhe që vazhdon të përballet me vështirësi, por që nuk humb drejtimin dhe as krenarinë. Ashtu si shqiponja e Haki Xhaklit, edhe Kosova ka forcën të çajë përmes reve të zeza të krizave dhe të ngrihet gjithnjë më lart, aty ku e pret e ardhmja që meriton.




