NJË KUJTIM NGA FËMIJËRIA, NJË BORXH NDAJ HISTORISË!
Meqenëse vij nga Drenica, vendi ku liria ka shkruar faqet e saj më të lavdishme, emri i Komandantit Abedin Rexha – Sandokani nuk ishte i panjohur për mua. Në atë kohë isha shumë i vogël, por kisha dëgjuar për këtë burrë, për guximin e tij dhe për mënyrën se si ia kishte kthyer pushkën një shteti të tërë. Shpesh pyesja veten: Si ka mundur ky njeri? Si do t’ia dalë përballë një fuqie të tillë?
Ky ishte Abedin Rexha – Sandokani: i patrembur, i pathyeshëm dhe i vendosur në rrugën e idealit.
Pas shumë vitesh, erdhi një moment kur edhe unë ndjeva se duhej të bëja diçka për këtë burrë. Dhe kështu, së bashku me bashkëpunëtorë e bashkatdhetarë, organizuam në Zvicër, për herë të parë pas 28 vitesh, një Akademi Përkujtimore në nderim të tij.
E dimë mirë se nuk bëmë asgjë më shumë se një pikë uji në det, siç thotë populli, sepse veprat e Abedinit ishin dhe mbeten të mëdha. Por kjo pikë uji kishte një mesazh të rëndësishëm.
Deshëm t’u themi të gjithë bashkëluftëtarëve, miqve dhe shokëve të idealit të tij: Mos i harroni shokët tuaj! Mos i harroni ata me të cilët ndatë rrugën, sakrificën dhe idealin!
Për 28 vite, shumëçka mbeti në heshtje. Sikur koha po i mbulonte me harresë njerëzit që kishin dhënë aq shumë. Por këtë herë, mërgimtarët arritën ta bëjnë bashkë shoqërinë, bashkëluftëtarët dhe miqtë e Abedinit, pikërisht në akademinë kushtuar atij.
Dhe kjo nuk është e rastësishme. Sepse Abedini ishte i tillë. Edhe sot, përmes kujtimit dhe veprës së tij, ai vazhdon t’i bashkojë luftëtarët e idealit.
Ndoshta ne bëmë vetëm një pikë uji në det, por ndonjëherë mjafton një pikë për ta zgjuar një kujtim, për ta thyer heshtjen dhe për t’ua rikthyer njerëzve vendin që meritojnë në histori.
Lavdi jetës dhe veprës së Komandantit Abedin Rexha – Sandokani!
Me respekt,
Samedin Jashari



