
30 ditë paraburgim për personin që vrau babanë në Prizren
Një muaj paraburgim është caktuar ndaj të dyshuarit që ka vrarë babanë e tij në Prizren më 25 dhjetor të këtij viti.
Këtë e ka bërë me dije me anë të një njoftimi Gjykata Themelore e Prizrenit, duke shtuar se iu është caktuar masa e paraburgimit për veprën penale vrasje e rëndë.
“Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit M.H., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, duke pasur parasysh peshën e veprës penale, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se i pandehuri M.H.,me datë 25.12.2020, rreth orës 13:50 minuta, në Prizren, afër shtëpisë së të ndjerit, e privon nga jeta anëtarin e familjes-babanë e tij F.H., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje paraprake i pandehuri merr një thikë në kuzhinë, mjet ky i përshtatshëm dhe i rrezikshëm për rrezikimin e jetës dhe shëndetit, del në rrugë para shtëpisë së tij dhe në momentin që e vëren babanë e tij që zbret nga kamioni, i pandehuri fillon ta godas disa herë me thikë, në pjesë të ndryshme të trupit, si dhe në qafë në arterien ku si pasojë, i dëmtuari F.H., ndërron jetë në vendin e ngjarjes, e me këtë janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit”.
“Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale. Gjyqtari i procedurës paraprake, ka vlerësuar edhe masa tjera për sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedurë mirëpo ka ardhur në përfundim se në rastin konkret të njëjtat janë të pamjaftueshme për zhvillimin e rregullt të procedurës penale, duke pasur parasysh faktet dhe rrethanat e lartpërmendura, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale, sipas mendimit të gjykatës caktimi i masës së paraburgimit tani për tani është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm”, ka njoftuar Gjykata Themelore në Prizren.