30-vjetori i organizimit të manifestimit kulturor “Flaka e Janarit” në Ferizaj: Një kujtim për heronjtë e kombit

31 janar 2024 | 16:23

Shkruan: Elmi Reçica

Sot, 30 vjet më parë, drita e lirisë dhe shpirti i rezistencës u ngritën në qiellin e Ferizajt për të përuruar manifestimin kulturor “Flaka e Janarit”. Një ngjarje e rëndësishme që mbeti në historinë e Kosovës si një akt i pandarë i kujdesit ndaj heronjve të kombit dhe trashëgimisë kulturore.

Më 31 Janar 1994, në shtëpinë e Hyzri Varoshit në Ferizaj, u bë qendra e manifestimit kulturor kushtuar heronjve të kombit, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha. Ata ishin shembuj të pashoq të rezistencës kundër shtypjes dhe përfaqësues të lavdishëm të idealit për liri dhe drejtësi.

Në atë ditë të rëndësishme, mbi 200 pjesëmarrës u mblodhën për të shprehur respektin dhe admirimin për heronjtë e kombit shqiptar. Por, siç ka ndodhur shpesh në historinë tonë, dëshira për të shprehur krenarinë për identitetin dhe trashëgiminë tonë, u përball me ndëshkimin brutal të regjimit serb.

Mbi 40 persona ishin arrestuar dhe dërguar në stacionin policor në Ferizaj, ku gjatë tërë natës ishte ushtruar dhunë dhe torturë e paparë, duke shkaktuar vuajtje të padurueshme për të arrestuarit. Forcat e policisë serbe vepruan me brutalitet, egërsi, duke krijuar një atmosferë të terrorit dhe frikës për të gjithë pjesëmarrësit në manifestim. Dhuna e pamëshirshme që u ushtrua ndaj të arrestuarve shënoi një kapitull të zi në historinë e zyrtarizuar të shtypjes dhe përbuzjes së lirisë së shprehjes në Kosovë në atë kohë.

Si organizatorë të këtij manifestimi, Hyrë Emini – tash Heroinë e Kombit, Sylejman Bytyqi, Rexhep Ismani, Xhabir Morina dhe unë, jemi dënuar nga regjimi që kërkonte të mbyste zërin e lirisë dhe unitetit të popullit.

Manifestimi i “Flakës së Janarit” nuk ishte thjesht një aktivitet kulturor, por një shprehje e fuqishme e identitetit dhe rezistencës së një kombi për të mbrojtur vlerat e lirisë dhe drejtësisë. Që nga fillimi i tij në vitin 1991 në Gjilan, hapi rrugën për shumë manifestime të tjera kulturore në të gjithë Kosovën, duke u bërë një simbol i qëndrueshmërisë dhe përkushtimit për lirinë.

Flaka e Janarit do të qëndrojë gjithmonë si një dritare e shpresës dhe frymëzimit për brezat e ardhshëm të Kosovës.

Lavdi e përjetshme të gjithë Dëshmorëve dhe Heronjve të Kosovës!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Klubi ukrainas, LNZ Cherkasy ka konfirmuar edhe zyrtarisht transferimin e…