31 vjet burg: historia e shqiptarit që vuajti më shumë se Mandela
Nelson Mandela shpesh merret si simbol botëror i qëndresës dhe vuajtjes në burg për shkak të viteve të gjata që kaloi pas hekurave. Por historia shqiptare njeh raste edhe më të rënda, ku individë kanë vuajtur dënime edhe më të gjata dhe çnjerëzore nën regjimin komunist.
Një prej tyre është Kujtim Rustem Aliaj nga Çorrushi i Mallakastrës, i cili u arrestua vetëm 16 vjeç dhe u lirua nga burgu në moshën 47-vjeçare, pas më shumë se 31 vitesh burgim të pandërprerë. Këtë fakt e sjell në vëmendje studiuesi Kastriot Dervishi në një shkrim të publikuar në naishtedikur.com.
Sipas Dervishit, Shqipëria ka heronjtë e saj të heshtur dhe nuk ka nevojë të kërkojë shembuj qëndrese jashtë kufijve. Ai thekson se deri më sot ka evidentuar rreth 1 mijë persona që kanë vuajtur nga 15 deri në 38 vite burg në diktaturë.
Kujtim Aliaj u arrestua më 28 qershor 1956, në përpjekje për t’u arratisur në zonën e Kakavijës, dhe fillimisht u dënua me 5 vite burg. Në vitin 1958, ndërsa vuante dënimin në kamp-burgun e Punëtorisë së Artizanatit në Tiranë, ai u ridënua me 25 vite të tjera.
Në vitin 1963, gjatë vuajtjes së dënimit në Repartin nr. 309 në Rubik, Aliaj tentoi sërish të arratisej, së bashku me Ahmet Manxhar Hoxha dhe Demir Sinan Shkozën. Për këtë tentativë, ai u dënua përsëri me 25 vite heqje lirie.
Pas një kalvari të gjatë vuajtjesh, Kujtim Aliaj u lirua më 13 nëntor 1987. Ai ndërroi jetë në vitin 1995, duke mbetur një nga dëshmitë më të forta të terrorit dhe padrejtësive të regjimit komunist në Shqipëri.
Sipas disa dëshmive, fotografia ku Aliaj shfaqet 23 vjeç mendohet të jetë realizuar pak para tentativës së arratisjes së vitit 1963. Kastriot Dervishi shpreh mirënjohjen për Eduart Aranitasi, i cili i ka vënë në dispozicion këtë material të rrallë./lajme javore/.



