Drama e tmerrshme në oborrin e Sadik Osmanit

27 janar 2026 | 16:48

Shkruan: Lulzim Sahiti

Në mëngjes Reçaku tashmë gjendej i rrethuar në formë patkoi nga forcat e armikut. Për të dalë nga fshati ishte vetëm një rrugëdalje në drejtim të fshatit Petrovë. Situata ishte mjaftë eksploduese, plumbat e armikut vinin si breshër nga të gjitha anët dhe bënin çmos për të asgjësuar ushtarët e UÇK-së e bashkë me ta edhe popullatën e pafajshme civile me qëllim që të vritnin edhe shpresat e shqiptarëve njëherë e përgjithmonë për të qenë të lirë.

Ndërmjet orës 9:00 dhe 10:00 forcat policore serbe kanë arritur të hyjnë në qendër të fshatit dhe banorët që u përpoqën të ikin u vranë kudo që ishin. Policia qëllonte mbi të gjithë fshatarët e zakonshëm që lëvizën apo u përpiqën të fshiheshin, pavarësisht se nga ana e tyre nuk kishte asnjë rezistencë. Në rrugën kryesore të fshatit kishin arrestuar në oborrin e shtëpisë (afër xhamisë) Banush Azem Kamerin (63), ndërsa familja e tij pak kohë më herët kishte braktisur shtëpinë. Forcat kriminale, Banushin pasi e maltretojnë fizikisht e ekzekutojnë me rafale automatiku në oborrin e fqiut të tij, Rashit Rashiti. Këta barbarë të mesjetës, nuk e lënë me kaq, pas ekzekutimit Banushit ia këpusin edhe kokën, e cila u gjetë më vonë nga fshatarët afër vendit të krimit. Formacionet kriminale, në të cilat janë radhitur edhe serbët lokal të Shtimes, në këtë operacion shfarosës nuk lanë vend në fshat pa kontrolluar, djegur e shkatërruar. Në të njëjtën kohë ka vazhduar drama më e tmerrshme në këtë ditë, për banorët e Reçakut, e cila është zhvilluar në oborrin dhe shtëpinë e mësuesit Sadik Osmani.

Qysh në orët e para të mëngjesit ishin tubuar shumë familje në bodrumin e shtëpisë dhe në ahurin e lopëve të tij për t´u mbrojtur nga granatimet e artilerisë së rëndë. Kriminelët pasi kishin hetuar strehimin e banorëve të fshatit në këtë shtëpi, fillimisht nga largësia prej shtëpisë së Ragip Bajramit dhe shitores së Lutfi Bilallit, gjuajnë me armë të kalibreve të ndryshme dhe në oborrin e Ismet Imerit vrasin plakun Nazmi Nuhë Imerin (82). Më pastaj hidhen në sulm, rrethojnë shtëpinë e Sadikut dhe futen në oborr. Aty në bodrumin e shtëpisë së Sadik Osmanit, rreth orës 8:30 për t´u mbrojtur nga granatimet, ishin tubuar rreth 30 gra me fëmijë, kurse prej meshkujve kanë qenë Sadik Osmani, Ramë Shabani, Mufail Hajrizi, Burim Osmani dhe disa djemë të rinj.

Ndërsa burrat tjerë, rreth 30 veta, ishin vendosur në ahurin e lopëve të Sadik Osmanit. Fillimisht policia serbe i ka nxjerrë jashtë nga ahuri burrat dhe mandej ka ardhur një polic i maskuar, i cili ka hapur derën e bodrumit, ka këqyr brenda dhe ka dalë jashtë pa bërë zë. Ndërkohë, ka ardhur një polic tjetër dhe e ka pyetur policin e maskuar: “Çka ka këtu brenda?“. Polici i përgjigjet:“Gra dhe fëmijë“. Polici ia kthen: “Pse po gënjen? Këtu paska edhe burra“. i ka nxjerrë meshkujt në oborr dhe ua ka marrë letërnjoftimet…, ndërsa gratë dhe fëmijtë i kanë mbyllur me dry (çelës) në bodrum. Ndërkohë, dy-tre policë tjerë e kanë hapur derën e ahurit…dhe njëri prej tyre ka thënë: ”Ima ovde mnogo irredentista, majko im jebem” (Këtu ka shumë irrredentistë, he nënën ja u q.). I urdhëruan të gjithë të dalin përjashtë me duart përpjetë, të cilët i prite kordoni prej 30 deri në 40 policë të renditur prej kodre, krejt të armatosur deri në dhëmbë e të mëdhenj, disa me masaka e disa pa to. Të gjithë i kanë renditur në oborr dhe ia kanë marrë letërnjoftimet e dokumentet tjera.

Kriminelët serbë pasi i kanë legjitimuar burrat e zënë, i kanë shtri për toke dhe kanë filluar t´i rrahin mizorisht duke përdorur kondakët e armëve, shqelmat, dru, zinxhirë dhe gjësende tjera të forta. Gjatë rrahjeve në oborrin e Sadikut, dëgjohej gjëma dhe britmat e burrave, ndërsa në bodrum qanin e lemeritnin gratë e fëmijtë e mbyllur në çelës.

Pogromi te “Kodra e Bebushit”

Pas kësaj drame tmerruese, kriminelët sipas skenarit të përgatitur më herët kalojnë në fazën e dytë të pogromit. Dëshmitarët e gjallë gjatë rrahjeve brutale në oborrin e shtëpisë së Sadik Osmanit kanë dëgjuar një komunikim me radiolidhje që dyshohet se ishte komandanti i Çetës së Njësisë Speciale të Policisë, majori Milan Lečić, drejtues i këtij oprecioni. Pas një orë e gjysmë rrahjesh për vdekje, dikur në mesditë, këta burra i marrin dhe në rresht (kolonë) për një, me duar mbrapa koke i nisin në drejtim të malit dhe te vendi i quajtur ”Kodra e Bebushit” ndalohen nga njësia speciale operative për ndjekje e Goran Radosavljević-it, me të cilët dëshohet se pak kohë më parë nga oborri i Sadikut është biseduar në radiolidhje. Pikërisht në luginën e “Kodrës së Bebushit” ashtu siç kanë qenë duke ecur në kolonë, njësitë kriminale serbe me rafale automatiku nga afër i ekzekutojnë pamëshirshëm 23 veta: Ahmet Izet Jakupi (57), Bujar Hanafi Hajrizi (20), Esheref Halim Jakupi (54), Fatmir Faik Ramadani (38), Hakip Imer Hakipi (33), Haqif Shefki Hysenaj (50) nga fshati Petrovë, Jashar Milaim Salihu (25), Lutfi Hasan Bilalli (42), Mehmet Qerim Ahmeti (44), Mufail Mehdi Hajrizi (30), Muhamet Faik Ismajli (44), Muhamet Hafiz Mustafa (21), Murtez Ramiz Imeri (20), Nexhat Faik Ramadani (21), Njazi Sherif Zymberi (45), Ragip Jahir Bajrami (35), Raif Milaim Salihu (21), Sadik Xhemë Osmani (45), Salih Faik Ramadani (25), Sheremet Shyqeri Syla (37), Shukri Milaim Salihu (19), Shyqeri Smajl Syla (61) dhe Xheladin Ahmet Jakupi (17).

Ndërsa me këtë rast (meqë ishin të fundit në kolonë) arrijnë të shpëtojnë: Ali Qazim Agushi, Bilall Sadri Avdiu, Imer Hakip Imeri, Nesret Nazif Shabani dhe Ramë Nesret Shabani. Lugina në “Kodrën e Bebushit” gjithandej ishte mbushur me trupa të gjymtuar, njerëz pa sy, pa zemra, pa koka, me gjymtyrë të coptuara.

Vrasja e civilëve të pafajshëm nuk kishte të ndalur edhe në pjesë tjera të Reçakut dhe nga “Kodra e Bebushit” vrajnë tek trekëndëshi i rrugëve Bajram Sokol Mehmetin (54) dhe Hanumshahe Bajram Mehmetin (22), ndërkaq nga “Rrasa e Qollakut” qëllojnë për vdekje: Rizah Maliq Beqirin (53), Halim Rizah Beqirin (14) dhe Zenel Shefqet Beqirin (21), kurse Ajet Minush Brahimin (40) e vrajnë në oborrin e tij dhe më pas trupin e tij e masakrojnë.

Afër shtëpisë së Ahmet Jakupit ishte plagosur për vdekje, Sahide Hysen Metushi (61), trupi i së cilës gjatë tërheqjes së forcave kriminale serbe është marrë me vete dhe sot e kësaj dite nuk dihet për fatin e të ndjerës, e cila përndryshe është nëna e ushtarit të UÇK-së, Hasan Haki Metushi. Atë ditë të kobëshme, Sadie Xhemë Ramadani, dëshmitare e rastit tregon se e kishte parë kufomën e plakës përmbys të mbështetur për muri te dyert e vëllaut të saj. Pas një kohe një automjet i policisë serbe i mbuluar me çadër, ka zbritur teposhtë e ka marrë kufomën e plakës dhe ka vazhduar rrugën deri te një veturë e bardhë e policisë dhe një pizgauer që ishin në tërheqje e sipër nga fshati.

P.S. Pamje nga Shtëpia e Sadik Xhemë Osmanit, e cila u përball me breshëri plumbash, por ajo ende qëndron në këmbë, duke i bërë edhe më të gjalla kujtimet e 15 janarit të vitit 1999. Në bodrumin e kësaj shtëpie ishin strehuar gratë dhe fëmijët, ndërsa me ardhjen e forcave serbe, ata u mbyllën me çelës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi Evropian (BE) po përgatitet të vendosë sanksionet e para…