Prof. Ibrahim Osman Kelmendi, me penë e pushkë për liri

14 prill 2026 | 13:37

U lind në Preshevë më 16 prill 1916 dhe vdiq më 24 janar 1979 në Australi.

Letërkëmbimet dhe punimet që ka lënë të pabotuara intelektuali i kohës, studiuesi i historisë dhe i ilirogjisë shqiptare, shkencëtari dhe intelektuali Ibrahim Osman Kelmendi, janë dëshmi e një periudhe të caktuar kohore, se si i ka trajtuar ngjarjet e ndryshme historike, ku ai ishte subjekt apo pjesëmarrës me penë dhe me pushkë. Kujtoj se kjo është veçantia e parë e këtyre letrave, të cilat tashmë, pas 46 vjetësh nga vdekja e autorit, po shohin dritën e botimit. Ato u dërguan nga Australia, por fatmirësisht u ruajtën në arkivin e Dr. Hamdi Oruçit në Nju Jork.

Ibrahim Kelmendi, në shkrimet e tij të botuara në revista të ndryshme të kohës, shkruan për ngjarjet e viteve ’30–’50. Shihet se temat që ka trajtuar profesori i historisë janë të ndryshme dhe përfshijnë një periudhë shumë të vështirë, kur vendoseshin fatet e atdheut. Janë ngjarje që autori jo vetëm i ka përjetuar, por edhe ka marrë pjesë në to. Qoftë edhe vetëm ky fakt i vogël — përfshirja në ngjarjet historike që ka prekur dhe përjetuar autori duke mbrojtur të drejtën historike të popullit shqiptar — e bën autorin I. K. të besueshëm dhe të lexueshëm, shkruan Dr. Emin Kabashi në fjalën e tij në monografinë që po botohet për Ibrahim Osman Kelmendin.

Profesori i parë i historisë në Gjimnazin e Prishtinës, i diplomuar në Zagreb

Ibrahim Kelmendi është ndër njerëzit e shquar të Kosovës, i cili, sikurse disa nga personalitetet më të njohura shqiptare, e ndau jetën e tij mes dy kontinenteve: Evropës dhe Australisë.

Duke qenë një shqiptar i vërtetë, një atdhetar i lidhur fort me vendin e tij, me historinë e hershme dhe me vendlindjen, ai kudo dhe kurdo mbajti lidhje të forta me atdheun, me njerëzit dhe me fatet e kombit. Ishte njohës i mirë i historisë dhe i thelbit të saj, i një historie të etnisë së tij, e cila është e lidhur ngushtë me sakrificat njerëzore ndër shekuj, me gjakun dhe djersën e mijëra individëve që kanë vënë jetën e tyre në themelet e mbijetesës së kombit shqiptar.

Ibrahim Kelmendi e ktheu në mënyrë jetese këtë sakrificë dhe njohurinë e madhe që kishte për njerëzit dhe ngjarjet madhore të atdheut të tij. Kjo lidhje e fortë, ky përjetim i thellë i një morali prej luftëtari dhe intelektuali guximtar, bëri që edhe në mërgim të gjente gjithmonë një rast, një mundësi, një detaj dhe një formë komunikimi me atdheun. Kështu, në punimet e tij shkencore ai zgjidhte dhe përpunonte temat më të ndjeshme. Që në vitet ’50 ai botoi në gazetën “Flamuri” fejtonin: “Studime historie; Pak fjalë për të kaluarën e shqiptarëve”.

Ai “ishte një studiues i qetë, i vendosur dhe aspak mendjemadh. Një studiues i rregullt, i ngadalshëm dhe metodik. Nuk ndalej kurrë. Studimet e tij ishin të shumëllojshme. Nuk kufizohej vetëm me historinë, por studionte edhe arkeologjinë, filozofinë dhe historinë e feve, sidomos në Evropë dhe rolin e tyre politik”, shkruante Dr. Hamdi Oruçi.

Ibrahim Kelmendi, përmes shkrimeve dhe botës së letrave, qysh herët kishte kaluar në radhët e atdhetarëve që u shndërrua në interpret të mendimit dhe veprimit të ndjenjave kombëtare, madje me një perceptim të qartë për të ardhmen e vendit, me orientime antikomuniste. Kështu, largimi i tij nga Kosova, për shkak të fitores së komunistëve, ishte i dhimbshëm dhe tragjik për Kosovën, por i detyruar. Largimi nga atdheu në nëntor të vitit 1945, së bashku me dhjetëra personalitete të tjera të nacionalizmit shqiptar, pas një qëndrese heroike në malet e Kosovës dhe nisja për në Greqi, ishte rrugë e vështirë, sepse shumë bashkëluftëtarë humbën jetën gjatë kalimit.

Një kohë qëndroi në Greqi dhe Gjermani, prej nga emigroi në Australi. Në Australi punoi për një kohë në punë të ndryshme dhe më vonë u caktua profesor pranë gjimnazit të Footscray në Victoria. Më pas u largua nga arsimi dhe u emërua nëpunës pranë Ministrisë së Financave, ku qëndroi për 18 vjet deri në vdekje. Ishte tip studiuesi, fliste pak, por me vend. Zemërçelur dhe i gatshëm për t’i dalë në ndihmë çdo njeriu që kishte nevojë. Ishte tip mendimtari dhe studiuesi të palodhur, theksonte Dr. H. Oruçi.

Ashtu siç dëshmuan kohërat pas largimit me dhunë nga atdheu, misioni i mërgimtarëve u shndërrua në një zë të fuqishëm thirrës për atë që ndodhte në Jugosllavinë e Titos, apo në diktaturën komuniste në shtetin amë, i cili nuk kishte asgjë të përbashkët me ëndrrën evropiane që ata e dëshironin. Zëri i këtyre mërgimtarëve, i përcjellë me seriozitet dhe guxim nëpër dyert e kancelarive evropiane, deri në kontinentet më të largëta si Australia, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka spikatur jo vetëm idealet kombëtare dhe mirënjohjen e thellë ndaj aleatëve, por edhe angazhimin e tyre maksimal për kërkimin e lirisë dhe demokracisë në vendet e tyre, e cila do të vinte në dekadën e fundit të shekullit XX, ku pjesë e pandarë do të bëhej edhe prof. Ibrahim Osman Kelmendi.

Formimi i personalitetit dhe karakterit të tij, përpos trashëgimisë familjare, është i lidhur ngushtë me zhvillimet sociale, politike dhe kulturore të vendit të tij, ku edhe kaloi një pjesë të jetës, pa përjashtuar aktivitetin dhe punën e tij. Në fëmijërinë e tij ai ka prekur realitetin e ngjarjeve më të dhimbshme të atdheut. Që në moshën rinore ka përjetuar dhunën serbo-sllave. Ai u lind dhe jetoi në shtetin e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, një regjim thellësisht antishqiptar, që shkonte deri në ndalimin e plotë të gjuhës shqipe. Feti Shaipi, djali i vëllait të tij, përkujton një rast kur Ibrahim Kelmendi, më 1938, për shkak se i kishte uruar Vitin e Ri 1939 me një kartolinë në gjuhën shqipe shokut të tij Adem Selim Gllavicës në Zagreb, ishte burgosur vetëm pse kishte shkruar shqip. Ai përjetoi “çlirimin” fashist të vendit në vitin 1939 dhe ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore.

Në vitin 1945 ishte 30 vjeçar, një burrë i pjekur dhe njohës i mirë i gjithë asaj që po ndodhte në Kosovë. Ishte pjesëmarrës i atyre ngjarjeve. Jeta, ideali dhe vepra e tij u ngjajnë njerëzve që lidhen në mënyrë sublime me jetën dhe fatin e kombit të vet. Në këtë pikëtakim, atdheun dhe nacionalistin prof. Ibrahim Kelmendi i ka bashkuar kurdoherë jo vetëm ideali i lirisë, por edhe shpresa e madhe për një Shqipëri të vërtetë, të bashkuar, të lirë dhe demokratike.

Kush ishte Ibrahim Osmani-Kelmendi?

Ibrahim Osmani-Kelmendi ishte profesor, luftëtar, antikomunist, publicist dhe shkencëtar shqiptar. Ai u lind më 16 prill 1916 në Preshevë dhe rrjedh nga një familje me tradita intelektuale, fetare dhe kombëtare. Gjyshi i Ibrahim Kelmendit, Osman Osmani (Efendia), u shqua për aftësi profesionale e intelektuale, por edhe për trimëri e heroizëm të pashoq në shërbim të mbrojtjes së të drejtave të popullsisë së shtypur e të nëpërkëmbur shqiptare në Luginën e Preshevës.

Kurse babai i Ibrahim Kelmendit, Shaip Osmani-Efendia, ishte jurist me profesion dhe punoi si gjykatës në Kazanë e Preshevës (1878–1912), siç quhej atëherë, e cila u formua pas Luftës Ruso-(Serbo)-Turke (1876–1878). Por me ardhjen e regjimit jugosllav, gjykatësit Shaip Osmani-Efendia iu vështirësua ushtrimi i kësaj detyre shumë të rëndësishme e delikate dhe filloi ndjekja e tij. Një ditë Shaip Efendia e mori me vete djalin e madh, 17-vjeçarin Osmanin, dhe në minutat e fundit u shpëtoi xhandarëve serbë nga vdekja e sigurt. Kështu, ai u arratis nga vendlindja, duke shkuar atje “ku bren miza hekur” (siç thuhej), në Dijarbakir të Anadollit të Turqisë, për t’u shpëtuar represionit të regjimit serb.

Mirëpo, tre vjet më vonë, familja e tij në Preshevë mori lajmin e kobshëm për ekzekutimin me vdekje të Shaip Efendisë dhe djalit të madh Osmanit, nga dora e regjimit antishqiptar të Qeverisë së Serbisë së Nikolla Pashiqit.

Kështu, nëna Naxhije mbeti e ve me tre jetimë: Abdullahun 14 vjeç, Tefikun 11 vjeç dhe Ibrahimin 3 vjeç. Pra, Ibrahim Kelmendi dhe vëllezërit e tij u rritën jetimë. Barra e kryefamiljarit dhe obligimet për kujdesin ndaj familjes i ranë mbi supe vëllait të madh, Abdullahut, i cili u kujdes maksimalisht për familjen, me mundësitë e tij modeste.

Medresanti Ibrahim Osman Kelmendi

Në vitin shkollor 1930/31, u regjistrua në Medresenë e Madhe “Kral Aleksandri I” në Shkup. Drejtoria e kësaj shkolle, për këtë vit shkollor, kishte paraparë të pranonte 25 nxënës me shpenzime shtetërore dhe 20 të tjerë me vetëfinancim. Në mesin e shtatë nxënësve që kishin marrë notën maksimale ishte edhe Ibrahim Kelmendi.

Nxënës i kësaj medreseje ishte edhe akademik Idriz Ajeti, shok i tij i klasës. Ky, duke evokuar kujtimet nga ditët shkollore, për profesor Ibrahim Kelmendin fliste me kënaqësi:
“Ibrahimi ka qenë shumë i zgjuar, më i zoti nga të gjithë shokët e gjeneratës. Ka qenë i dashur për të gjithë, paksa i tërhequr, me bindje ideologjike djathtiste dhe me sjellje e edukatë të mirëfilltë aristokratike.”

Ndërsa: “Me kujtimet e nënës sime dhe me tregimet e saj për jetën e axhës së saj, profesor Ibrahim Kelmendit, që gjithmonë përfundonin me lot, mall të pafund dhe mallëngjim, jemi rritur. Tregimet për Luftën te hekurudha, për kalin e bardhë që e kishte si komandant, që i shërbente për kontrollin e vijës së frontit dhe luftëtarëve në pikat e mbrojtjes, etj. Gjithashtu, gjatë tërë kohës sa kishte zgjatur lufta, profesor Ibrahim Kelmendi, edhe gjatë pauzave të shkurtra të pushimit, qëndronte në gjendje gatishmërie dhe i veshur, duke shkruar me makinën e tij të shkrimit historinë e luftës,” theksonte Nehat Hyseni.

Veprimtaria kombëtare dhe formimi i organizatës “Besa”

Veprimtaria e tij në të mirë të çështjes shqiptare filloi në pjesën e dytë të viteve ’30 të shekullit të kaluar, kur ai u regjistrua si student në Fakultetin Filozofik, në grupin e historisë në Zagreb. Në bashkëpunim me studentët e tjerë shqiptarë si: Ibrahim Lutfiu, Shaip Kamberi, Shaip Mustafa, Sokol Dobroshi, Esad Berisha, Qazim Bllaca, Esad Doko, Tahir Ismajli, Nexhib Deva, Ejup Abdyrrahmani, Hasan Hakiu, Esat Mekuli, Idriz Ajeti etj., ata iu kundërvunë hapur planit ogurzi të Qeverisë së Mbretërisë Jugosllave, që ishte dëbimi i dhunshëm i popullsisë shqiptare nga trojet e veta për në Turqi dhe kolonizimi i atyre trojeve me elemente sllave (serbe, malazeze, bullgaro-maqedonase etj.).

Kjo veprimtari e studentëve shqiptarë zhvillohej në kuadër të organizatës së fshehtë studentore “BESA”, e cila bashkëvepronte ngushtë me trupin diplomatik shqiptar në Beograd, Shkup e Manastir, por edhe me udhëheqjen e Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit. Veprimtaria e “BESËS” u shtri në mbarë hapësirën shqiptare nën Jugosllavi, veçanërisht në Kosovë, por edhe në Tetovë dhe në Luginën e Preshevës.

I ngarkuari me punë pranë Legatës Mbretërore Shqiptare në Beograd, Seremet Xhaxhuli, i shkruante MPJ-së në Tiranë se organizata e fshehtë e rinisë studentore “BESA”, me mbështetjen dhe inkurajimin e vazhdueshëm të tij, “nuk linte rast pa i treguar” pjesës intelektuale të asaj kohe vuajtjet e kosovarëve. “Disa kohë më parë”, shkruan më tej Xhaxhuli, “kryetari i kësaj organizate, në një mbledhje të studentëve në Universitetin e Beogradit, mbajti një fjalim me anën e të cilit shpjegoi gjendjen, mjerimet e shkaktuara nga zbatimi në mënyrë çnjerëzore i Reformës Agrare në viset e Kosovës”. Në vazhdim ai e ngre lart veprimtarinë e anëtarëve të kësaj organizate, që ishte plot sakrifica, prandaj ata meritojnë “çdo lëvdatë e përkrahje”, sepse po dëshmojnë me fakte se po bëhen prijësit e vërtetë të Kosovës. “Me këtë rast”, shkruan Xhaxhuli, “marr lejen t’Ju lutem një herë që të kini mirësinë dhe t’i akordoni secilit anëtar të kësaj organizate nga 60 franga ari në muaj. Këta janë sot 12 dhe bashkë me Fetah Sedllarin 13 veta. Këta djelmosha janë të zhveshur nga çdo interes dhe kjo ndihmë duhet që atdheu i tyre i lirë t’ua akordojë, jo si shpërblim, pse ky nuk shpërblehet, por si një përkrahje që të mos vuajnë nga uria si dhe të mos shtrëngohen t’i lënë për gjysmë studimet”.

Ibrahim Osman Kelmendi shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse në Shkup, në qershor të vitit 1938, kreu maturën në Medresenë e Madhe Shtetërore të “Kral Aleksandrit”. Pas diplomimit në Medrese, ai i vazhdoi studimet e historisë: vitin e parë në Shkup, vitin e dytë dhe të tretë në Universitetin e Beogradit, kurse vitin e katërt në Universitetin e Zagrebit. Sipas indeksit të tij, Ibrahim Kelmendi kishte të regjistruara dhe i kishte ndjekur rregullisht ligjëratat në semestrin VII dhe VIII të vitit akademik 1941/42 në Universitetin e Zagrebit. Ai më 25 qershor 1942 diplomoi në grupin e historisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit, duke fituar titullin profesor i historisë.

Kjo dëshmohet edhe nga lutja e tij drejtuar Ministrisë së Arsimit në Tiranë, nga e cila kuptojmë se ai vitin e parë e kreu në Shkup, vitin e dytë dhe të tretë në Beograd, kurse semestrin e VII në Peruxhia të Italisë, ndërsa vitin e fundit, semestrin e VIII, e kreu dhe diplomoi në Universitetin e Zagrebit për histori dhe arkeologji, nën drejtimin e profesorit me famë botërore Grga Novak, në qershor të vitit 1942.

Nga i njëjti dokument mësojmë se ai fliste shqip, serbisht, turqisht, arabisht dhe nga pak frëngjisht.

Në ndërkohë ishte hapur Shkolla Normale në Prishtinë. Shkolla Normale “Sami Frashëri” e Prishtinës u çel me vendimin e Ministrisë së Arsimit, nr. 31, të 12 nëntorit të vitit 1941. Kjo ishte e para shkollë e mesme e këtij lloji në Prishtinë. Rrethanat nën të cilat u hap kjo shkollë ishin tejet të vështira: mungonte lokali shkollor, mungonte kuadri adekuat arsimor, mungonin tekstet dhe mjetet e nevojshme mësimore, si dhe shumë gjëra të tjera. Por nuk mungonte vullneti i arsimdashësve. Kështu, prof. Ibrahim Kelmendi u punësua si profesor i historisë.

Profesori Ibrahim Kelmendi mbante mësim nga viti i kaluar shkollor. Në këtë vit shkollor, krahas punës si profesor, ai ishte edhe zëvendës i rektorit të Konviktit në Prishtinë. Në Normale mbante mësimin e historisë për klasat III, IV, V, VII dhe VIII – gjithsej 11 orë në javë – si dhe gjeografinë (prej 12.V.1944).

Hapja e shkollave – nismë e ngritjes kombëtare

Një profesor i Gjimnazit të Prizrenit në atë kohë, për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë shkruan:

“Viti 1941 ka një rëndësi të madhe për Kombin Shqiptar dhe do të radhitet në analet e historisë sonë si një vit ogurmirë. Në këtë vit, më 17 prill, Kosova e robënuar u bashkua me Nënën Shqipëri dhe u përqafuan vëllezërit, që gardhi i kufirit i kishte ndarë njëri nga tjetri për më tepër se tridhjetë vjet.”

Ernest Koliqi, si ministër i Arsimit në vitet 1941–1942, dërgoi në Kosovë nga Shqipëria mbi 200 mësues shqiptarë, ndër ta edhe shumë kosovarë, të cilët pas mbarimit të luftës hodhën themelet e forta të arsimit në gjuhën shqipe në këtë trevë.

Me legalizimin e shkollës shqipe në “viset e liruara”, siç i quante në atë kohë Ernest Koliqi, si ministër i Arsimit, u bë e domosdoshme edhe gjetja dhe përgatitja e kuadrit arsimor. Kuadri kosovar, i cili ndodhej në shkollim jashtë Kosovës, nuk ishte në gjendje t’i përmbushte të gjitha këto kërkesa jetike për popullin e këtyre trevave. As mësuesit vullnetarë që erdhën nga Shqipëria nuk mjaftonin, sepse nevojat për hapjen e shkollave shqipe ishin shumë më të mëdha sesa parashikohej. Pothuajse në çdo mjedis ekzistonte kërkesa për shkollë shqipe.

Nisur nga kjo situatë, Ministri i Arsimit Ernest Koliqi, së bashku me Kemal Vrioni, më 12 nëntor të vitit 1941, nxorën një dekret të posaçëm, sipas të cilit në “viset e liruara” duhej të hapeshin një varg shkollash të mesme të profileve të ndryshme. Dekretligji u hartua sipas nenit 15 të Statutit Themelor të Mbretërisë dhe sipas nenit 2 të Dekretit Mbretëror nr. 264, të 12 gushtit 1941.

Në nenin e dytë të këtij dekreti thuhej: “Shkollave të mesme që gjenden sot në Mbretëri u shtohen edhe këto: një shkollë Normale në Prishtinë, një Lice dhe një shkollë profesionale. Ishte paraparë të hapeshin edhe në këto mjedise: në Korçë, Dibër, Gjilan, Ferizaj, Strugë, Gostivar, Ulqin dhe një shkollë profesionale femërore në Prizren.”

Mbështetur në këto të dhëna, shihet fare mirë se rrjeti i shkollave të mesme ishte shtrirë në mjaft mjedise shqiptare apo nëpër prefektura.

Duke iu referuar të dhënave burimore të kësaj periudhe, shihet se pjesa dërrmuese e këtyre institucioneve edukativo-arsimore filluan së punuari në vitin shkollor 1941/42. Ishin këto shkollat e para të mesme të hapura në viset e liruara. Të gjitha këto shkolla punuan sipas instruksioneve të Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë.

Për hapjen e shkollave shqipe kanë konsideratë të lartë të gjithë: “I ndjeri Tahir Zajmi shkruante: « … Fitim i madh për Kosovë kje hapja dhe funksionimi i shkollave shqipe, të cilat qysh atëherë veprojnë dhe lulëzojnë të kërthnesta dhe me një rrythëm të shpejtë dhe të pandalshëm i falin Kombit pionierë të rinj që do të jenë garancia më e shëndoshë dhe uzdaja e së ardhmes së atdheut. »

« E merita kryesore e kësaj veprimtarie patriotike të Qeverisë shqiptare, pa dyshim, i përket Ministrit të Arsimit të asaj kohe, Prof. Ernest Koliqit, i cili, me vullnetin dhe me shpirtin e një idealisti, nuk kurseu energjitë e tij dhe mjetet shtetërore që kishte në dispozicion për ta pajisë sa më mirë aparatin arsimor në viset e liruara me elementa të shëndoshë që i dhanë hov e gjallëri shkollës shqipe. »

Prof. Dr. Rexhep Krasniqi, në një shkrim të tij shkruan: « … Në mbështetje të gjendjes së studiuar nga përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, kryetar i të cilit dikaster ishte atëherë Prof. Ernest Koliqi, u përgatit një kurs veror për gjuhën shqipe nëpër të gjitha vendet e shënuara sipër. Një grup i përcaktuar mësuesish nën drejtimin e Prof. Ndue Palucës, Kolë Margjinit, Zeqeria Rexhës etj., duke gjetur në vend përkrahjen e z. Tahir Zaimit, që kishte një funksion politik në Prizren, dhe të Ibrahim Fehmiut, arsimtarit të vjetër, zbatoi me vendosmëri dhe gëzim kursin në fjalë, që kishte për qëllim kryesor t’i njoftonte rinisë shkollore të krahinave në fjalë njohuritë themelore të mësimit të gjuhës shqipe dhe kështu të përgatiste sheshin për ndjekjen në rregull të vitit shkollor 1941–1942. »

« Mbas studimit të një plani të përpiktë, Ministria e Arsimit dërgoi 200 mësuese dhe mësues, të cilët, nën drejtimin e inspektorëve dhe drejtorëve të emëruar, hapën një sasi të konsiderueshme shkollash fillore në qytetet e sipërshënuara, si dhe në katunde të mëdha… »

Prof. Ibrahim Osman Kelmendi me nxënës – Veprimtaria arsimore e prof. Kelmendit

Më 6 prill 1941, Gjermania naziste sulmoi Mbretërinë Jugosllave dhe Jugosllavia u shpërbë. Gjermania, Italia dhe Bullgaria ndanë territoret e saj. Në këtë vorbull zhvillimesh, Kosova u nda nga Mbretëria e Jugosllavisë dhe shumica e saj u bashkua administrativisht me Shqipërinë, e cila në atë kohë ishte nën ndikimin italian. Ky bashkim nuk ndodhi përmes ndonjë marrëveshjeje shqiptare, por ishte produkt i rrethanave gjeopolitike të luftës. Megjithatë, kjo ishte për shqiptarët e Kosovës hera e parë pas dekadash që lindte shpresë.

Flamuri shqiptar valëvitej në qytetet e tyre, shkollat hapeshin në gjuhën shqipe dhe kufijtë që dikur i ndanin, tani pothuajse ishin zhdukur. Italia fashiste, e cila sundonte Shqipërinë që nga viti 1939, kishte interes ta përdorte këtë bashkim për qëllime ushtarake e politike, por pavarësisht motiveve të okupatorit, populli shqiptar i Kosovës përfitoi nga kjo periudhë tërësisht e ndryshme nga ajo që kishte jetuar më parë në Mbretërinë Jugosllave.

Për herë të parë, shqiptarët në Kosovë ndiheshin të lirë të flisnin gjuhën e tyre, të organizoheshin dhe të arsimoheshin. Këtë fakt e përmend edhe një raport i CIA-s i vitit 1953, ku theksohet se shqiptarët e Kosovës përjetuan një nga periudhat më të qeta dhe më zhvillimore të gjysmës së parë të shekullit të kaluar. Raportet e CIA-s theksojnë po ashtu se një nga ndryshimet më të thella të kësaj periudhe ishte fusha e arsimit. Nga Shqipëria u dërguan shumë mësues dhe intelektualë për ta ngritur rrjetin arsimor në Kosovë. U hapën shkolla fillore dhe të mesme, u ngritën biblioteka me literaturë shqipe dhe u krijuan drejtori të arsimit publik. CIA shënon gjithashtu se, në një periudhë të shkurtër kohe, në Kosovë u botuan më shumë libra shqip sesa në Shqipëri. Kjo është një dëshmi se populli në Kosovë e pranoi me entuziazëm këtë periudhë. Mësimi dhe administrata zhvilloheshin në gjuhën shqipe. Nxënësit shqiptarë në Kosovë, që deri atëherë kishin qenë të detyruar të mësonin serbisht ose të mos mësonin fare, tani kishin arsim kombëtar. Mësuesit jo vetëm që jepnin dije, por brumosnin edhe ndjenjat kombëtare tek të rinjtë.

Kësaj atmosfere për sendërtimin e aktivitetit arsimor iu bashkangjit edhe Ibrahim Osman Kelmendi. Nga dokumentet e ruajtura kuptojmë se ai, përmes një lutjeje drejtuar Ministrisë së Arsimit, kërkoi të punësohej si profesor në Normalen “Sami Bej Frashëri” në Prishtinë. Ja se çfarë shkruan ai në lutje:

“I nënshkruari, Ibrahim Osman Kelmendi nga Presheva, kam nderin me ju parashtrue lutjen qi poshtë vijon: në vitin mësimor 1941/42 kam kryer studimet e larta në Fakultetin e Filozofisë, Grupi i Historisë së përgjithshme në Zagreb, duke u diplomuar me titullin ‘Profesor’, gjë e cila vërtetohet edhe me dokumentet që po ju bashkëngjis. Prandaj lutem të kini mirësinë me më emnue si profesor në Shkollën Normale të Prishtinës”.

Në Normalen e Prishtinës ai filloi punën si profesor me orë speciale nga 11.11.1942 deri më 31.12.1942, kurse prej 1 janarit 1943, në bazë të konkursit të Ministrisë së Arsimit në Tiranë, u emërua profesor në provë. Në fund të vitit shkollor, më 23.08.1943, nga drejtori i Normales, Reuf Zajmi, ai mori notën e përgjithshme të vlerësimit “shumë i mirë” si profesor dhe u vlerësua për kulturë të gjerë.

Rrjedhimisht, Ministria e Arsimit, me shkresën nr. 1584, kërkoi nga Drejtoria e Shkollës Normale “Sami Bej Frashëri” në Prishtinë që të lajmërohet z. Ibrahim Osman Kelmendi se “asht emnue si profesor pranë asaj shkolle” për lëndën e historisë dhe të gjuhësisë. Burimet arkivore nxjerrin në pah se Ibrahim Kelmendi, paralelisht me Fakultetin Filozofik – Grupi i Historisë, kreu edhe Fakultetin e Letërsisë dhe Gjuhësisë. Kjo dëshmohet nga lutja e tij e datës 30 shtator 1942 drejtuar Ministrisë së Arsimit, në të cilën ai shkruan:

“I nënshkruemi e kam nderin me jua paraqit kët lutje: sivjet e kam mbarue Fakultetin e Letërsisë në Zagreb dhe prandaj jam i lirë t’a luti kët Ministri të më lejojë të marr pjesë në konkursin e profesorëve, i cili do të mbahet më 1.X.1942 në Tiranë”.

Ibrahim Kelmendi ishte edhe zëvendësrektor i konviktit në Prishtinë.

Menjëherë pas aplikimit, profesori Ibrahim Kelmendi u punësua si profesor i historisë në gjimnazin “Sami Frashëri”, që sapo ishte hapur.

Përveç tij, në Shkollën Normale, dega e Liceut “Sami Bej Frashëri” në Prishtinë, ligjëronin një numër i madh profesorësh nga të gjitha trojet shqiptare, disa nga të cilët po i përmendim: Rexhep Krasniqi, Ahmet Gashi, Vasil Andoni, Ymer Berisha, Miftar Spahiu, Lazër Berisha, Musa Dizdari, Nuredin Nurja e shumë të tjerë, që me punën e tyre të përkushtuar mbollën farën e ndërgjegjes kombëtare shqiptare në Kosovë dhe në trevat verilindore.

Në vitin 1943/44, trupi mësimor i Shkollës Normale “Sami Frashëri” në Prishtinë, si profesor, e ngarkoi me mësimdhënie të këtyre lëndëve: gjuhë shqipe në klasën VII – 7 orë; italisht në klasën II A, B dhe klasën III – 7 orë; gjermanisht në klasat VII dhe VIII (dega liceale) – 6 orë, me gjithsej 20 orë në javë.

Profesorët ishin të angazhuar të gjithë edhe mbi normë. Punën e bënin me vullnet dhe dëshirë. Duhet theksuar një rast kur mësimin e gjuhës gjermane prof. Idriz Ajeti kërkoi ta mbante vullnetarisht, pasi inxhinieri agronom Adem Selimi (Gllavica) ishte angazhuar të mbante orët e mësimit të bujqësisë, lëndë kjo që kishte mbetur deri atëherë e paangazhuar me profesor.

Shumë nxënës të kësaj shkolle, që pas Luftës së Dytë Botërore e vazhduan shkollimin në shkolla të larta e fakultete, u bënë mësues, profesorë, mjekë, inxhinierë, gazetarë, shkrimtarë, publicistë e kuadro të tjera, që u dhanë krah institucioneve ku punonin, por edhe vetë kontribuan për shkollimin dhe ngritjen e kuadrove të reja në të gjitha trevat etnike shqiptare.

Faksimili i dokumentit, i nënshkruar nga drejtori i konviktit Ibrahim Kelmendi,

I orientuar kah Perëndimi

Kelmendi kishte qenë gjithherë një njeri i lidhur fort me lirinë dhe fatet e vendit, një person aktiv në luftën për çlirimin e vendit nga pushtuesi, por edhe një njeri i hapur ndaj vlerave, qoftë nga ana e politikës apo e kulturës. Me bindje ishte antifashist, shkruan Tahir Berisha në librin e tij.

Orientimi i tij politik ishte vërejtur edhe në bankat e shkollës së mesme. Dr. Mustafa Memiç (i lindur në Plavë), në librin e tij, në kapitullin “Gjenerata e gjashtë 1930/31–1937/1938”, në mesin e shumë të tjerëve përmend edhe Ibrahim Kelmendin dhe thotë se ishte ballist. Më tej shënon se në organizatat e lotiçeviçëve dhe frankoviçëve janë regjistruar si pjesëmarrës edhe 5 medresantë: Nasuf Gaxhoviç iu bashkua lotiçeviçëve, Qamil Hasanagiç iu bashkua organizatës nacionaliste “Sllovenët e Jugut”, ndërsa Adem Gllavica, Ibrahim Kelmendi dhe Fetah Jashari bashkëpunuan me frankoviçët dhe ishin nacionalistë dhe irredentistë shqiptarë.

Veprimtaria ushtarake, shtator–nëntor 1944

Porsa u krijuan kushtet reale që trevat shqiptare nën zonën pushtuese bullgare të bashkoheshin me Shtetin Shqiptar, nënprefekti i Gjilanit, Hamit Kruja, ftoi krerët shqiptarë të Preshevës, Kumanovës, Shkupit e të viseve të tjera që të ndërmerrnin masa urgjente në organizimin politiko-ushtarak në atë pjesë shqiptare që iu bashkua Shqipërisë. Menjëherë pas kësaj, profesori Ibrahim Kelmendi la Prishtinën për t’u vendosur në Preshevë, duke u rreshtuar me krahun nacionalist shqiptar.

Paralelisht me organizimin e strukturës politike, në tokat e çliruara prej pushtuesit bullgar filloi edhe organizimi ushtarak, me qëllim të mbrojtjes së këtyre tokave nga pushtuesi komunist jugosllav.

Në verën e vitit 1944, ai mori organizimin dhe drejtimin e operacioneve për mbrojtjen e territoreve të Kosovës Lindore prej forcave partizane serbo-maqedonase etj. Ishte anëtar i Shtabit të Zonës IV të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës. Kur Kosova Lindore u mor nga partizanët serbo-maqedonas e të tjerë, ai i mbeti besnik idealeve të veta, besnik dhe i paluhatshëm ndaj njësive vullnetare që kishin zgjedhur vdekjen më parë se jetën nën robërinë e Jugosllavisë. Së bashku me Mulla Idrizin, Adem Gllavicën dhe Luan Gashin, drejtpërdrejt me pushkë në dorë mori pjesë aktive në të gjitha përleshjet në Anamoravë, Ferizaj, Gjilan, Malësi të Preshevës e Drenicë me forcat partizane.

Prandaj, si i tillë ishte zgjedhur kryetar i Rinisë së Ballit Kombëtar të Kosovës. Ishte anëtar aktiv i kreut më të ngushtë të Komitetit të Intelektualëve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe ishte caktuar këshilltar i Komitetit të Rinisë Nacionaliste Shqiptare. Ishte në organin drejtues të Komitetit Demokratik Shqiptar.

Prof. Kelmendi, lidhur me disa beteja të organizuara në Preshevë me rrethinën e saj, në gazetën “Besa”, që dilte në Stamboll në korrik 1960, nën titullin “Kosova në luftë”, shkruan:

“… Për luftërat që u bënë brenda këtyre 3–4 ditëve, ne nuk ishim të organizuar. Për të bërë një organizim civil dhe ushtarak u mbajt një mbledhje në Bashkinë e Preshevës më 13 shtator, në të cilën përveç meje morën pjesë: Petriti, Jetulla Seferi, Limon Staneci, Adem Kamberi dhe Imer Rama. Shërbimet kryesore u ndanë në këtë mënyrë: Ademit ia dhanë kryesinë e Bashkisë. Limon Staneci mori drejtimin dhe organizimin e nënprefekturave, ndërsa mua më lanë organizimin dhe drejtimin e operacioneve… Brenda 24 orëve përgatita listat e vullnetarëve ballistë për krejt rrethinën e Preshevës, përveç disa fshatrave afër Bujanocit. Presheva kishte 300 vullnetarë, Rahovica 160, Miratoca 240 e kështu me radhë edhe fshatrat e tjera më të vegjël. Vullnetarët i ndava në grupet A dhe B. Si vijë kufiri për t’u mbrojtur caktova udhën e hekurit, që ishte e lehtë për t’u mbrojtur. Grupet ndërroheshin çdo dhjetë ditë. Në këtë mënyrë udha ruhej prej depërtimit të shkjaut dhe punët e vjeshtës në fusha kryheshin…”

I orientuar kah Perëndimi

Kelmendi kishte qenë gjithherë një njeri i lidhur fort me lirinë dhe fatet e vendit, një person aktiv në luftën për çlirimin e vendit nga pushtuesi, por edhe një njeri i hapur ndaj vlerave, qoftë në aspektin politik apo kulturor. Me bindje ishte antifashist, shkruan Tahir Berisha në librin e tij.

Orientimi i tij politik ishte vërejtur që në bankat e shkollës së mesme. Dr. Mustafa Memiç (lindur në Plavë), në librin e tij, në kapitullin “Gjenerata e gjashtë 1930/31–1937/38”, në mesin e shumë të tjerëve përmend edhe Ibrahim Kelmendin dhe thotë se ai ishte ballist. Më tej shënon se në organizatat e lëvizjeve lojaliste dhe frankoviste janë regjistruar si pjesëmarrës edhe pesë medresantë: Nasuf Gaxhoviç iu bashkua lojalistëve, Qamil Hasanagiç iu bashkua organizatës nacionaliste “Sllovenët e Jugut”, ndërsa Adem Gllavica, Ibrahim Kelmendi dhe Fetah Jashari bashkëpunuan me frankovistët dhe ishin nacionalistë e irredentistë shqiptarë.

Veprimtaria ushtarake, shtator–nëntor 1944

Menjëherë pasi u krijuan kushtet reale që trevat shqiptare nën zonën pushtuese bullgare të bashkoheshin me Shtetin Shqiptar, nënprefekti i Gjilanit, Hamit Kruja, ftoi krerët shqiptarë të Preshevës, Kumanovës, Shkupit dhe viseve të tjera që të ndërmerrnin masa urgjente për organizimin politiko-ushtarak në atë pjesë shqiptare që iu bashkua Shqipërisë.

Menjëherë pas kësaj, profesor Ibrahim Kelmendi la Prishtinën dhe u vendos në Preshevë, duke u rreshtuar me krahun nacionalist shqiptar. Paralelisht me organizimin e strukturës politike në tokat e çliruara nga pushtuesi bullgar, filloi edhe organizimi ushtarak me qëllim të mbrojtjes së këtyre territoreve nga pushtuesi komunist jugosllav.

Në verën e vitit 1944 ai mori përsipër organizimin dhe drejtimin e operacioneve për mbrojtjen e territoreve të Kosovës Lindore nga forcat partizane serbo-maqedonase etj. Ishte anëtar i Shtabit të Zonës IV të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës. Kur Kosova Lindore u mor nga forcat partizane serbo-maqedonase, ai i mbeti besnik idealeve të veta, besnik dhe i palëkundur ndaj njësive vullnetare që kishin zgjedhur vdekjen më parë se jetën nën robërinë jugosllave.

Së bashku me Mulla Idrizin, Adem Gllavicën dhe Luan Gashin, mori pjesë drejtpërdrejt në të gjitha përleshjet në Anamoravë, Ferizaj, Gjilan, Malësinë e Preshevës dhe Drenicë kundër forcave partizane.

Prandaj, si i tillë, u zgjodh kryetar i Rinisë së Ballit Kombëtar të Kosovës. Ishte anëtar aktiv i Komitetit të ngushtë të Intelektualëve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe u caktua këshilltar i Komitetit të Rinisë Nacionaliste Shqiptare. Gjithashtu ishte pjesë e organit drejtues të Komitetit Demokratik Shqiptar.

Prof. Kelmendi, lidhur me disa beteja të organizuara në Preshevë dhe rrethinë, në gazetën “Besa”, që dilte në Stamboll në korrik 1960, nën titullin “Kosova në luftë”, shkruan:

“… Për luftërat që u bënë brenda këtyre 3–4 ditëve, ne nuk ishim të organizuar. Për të bërë një organizim civil dhe ushtarak u mbajt një mbledhje në Bashkinë e Preshevës më 13 shtator, në të cilën përveç meje morën pjesë: Petriti, Jetulla Seferi, Limon Staneci, Adem Kamberi dhe Imer Rama. Shërbimet kryesore u ndanë në këtë mënyrë: Ademit iu dha kryesia e bashkisë, Limon Stanecit drejtimi dhe organizimi i nënprefekturave, ndërsa mua më lanë organizimin dhe drejtimin e operacioneve…”

Anëtar i Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar për Kosovë

Si anëtar i Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar për Kosovë, pas përforcimit të mbrojtjes kufitare të trojeve etnike, prof. Kelmendi do të kalonte, me instruksionet e tij, në Karadak e Sharr. Ai do të ndihmonte Mulla Idriz Gjilanin dhe Xhemë Gostivarin, si dhe do të merrte pjesë në betejën e Ferizajt me rininë nacionaliste, së bashku me prof. Luan Gashin, Abdy Hencin dhe nacionalistët e tjerë. Këto ngjarje nuk mundi t’i harronte kurrë.

Kështu, ai në një letër dërguar Dr. Hamdi Oruçit më 1.12.1974, i shkruante për vuajtjet që kalonin në ato ditë nëpër malet e Kosovës, por edhe për madhështinë e natyrës dhe idilën e tyre:

“Me kujtohen ditët e mjerimit nëpër male dhe madhështia e natyrës së maleve të Sharrit e të majës së Lubotenit. Më kujtohet një pamje duke ardhur nga ana e Prizrenit nëpër një rrafshnaltë të mrekullueshme. Ditën e kaluar ndodheshim përballë Lubotenit. Poshtë kishim një luginë të thellë si ferri. Shtëpitë gati nuk shiheshin nga vendi ku ndodheshim, ndërsa nga ana tjetër ngrihej madhështia e Lubotenit me një kapelë bore në mes të verës. Në optimizmin tim të asaj kohe mendoja: sa të mbarojnë këto halle, një verë do ta kaloj në stanet e këtyre anëve (me çobanët). Më dukej se fjala ‘malësi’ ishte krijuar vetëm për Lubotenin, dhe pas nesh kishim Korabin, një malësi tjetër, por jo aq e ashpër sa ajo e Sharrit.”

Në një punim të tij, Dr. Qerim Lita, bazuar në dokumentet e kohës, thekson se misioni i profesor Ibrahim Kelmendit në këto treva përfundoi gjatë muajit nëntor 1945. Pas një kohe të kaluar në male, ai u këshillua të braktiste atdheun dhe, së bashku me shokët e tij më të ngushtë, më 15.11.1945 u nis për në Greqi. Udhëtimi ishte i vështirë dhe me plot rreziqe, dhe zgjati deri më 29.11.1945.

Pikërisht në kohën kur bëheshin përpjekje maksimale për konsolidimin e Komitetit të NDSH-së së Shkupit, papritmas Ibrahim Kelmendit i erdhi një letër e nënshkruar nga Hysen Tërpeza. Letrën e solli Tefik Ferizi – Tanisheci, i cili në atë kohë ishte lidhja midis Komitetit të Shkupit dhe forcave ushtarake të Kopilaçes.

Hysen Tërpeza kërkonte që anëtarët e Komitetit të NDSH-së së Shkupit të shkonin në Kopilaçe për t’u takuar me trupat e Syl Hotlës, ku do të mbahej një mbledhje, në të cilën do të vendosej që Komiteti i NDSH-së, bashkë me forcat e armatosura, të kalonte në Greqi.

Në fakt, kjo kërkesë ishte e Muharrem Bajraktarit dhe e Mid’hat Frashërit drejtuar Shtabit Suprem të Kosovës, të tubuar rreth Adem Gllavicës, që forcat e rezistencës shqiptare antijugosllave dhe antikomuniste të kalonin në Greqi, për t’u vënë në shërbim të planeve globale anglo-amerikane për destabilizimin dhe rrëzimin e pushtetit komunist në Shqipëri dhe në Jugosllavi, ndërsa çështja e çlirimit dhe bashkimit të tokave shqiptare të aneksuara nga Jugosllavia do të “vinte si pasojë e ndryshimeve të sistemit në dy vendet fqinje, Shqipëri dhe Jugosllavi”.

Me kalimin e një pjese të udhëheqjes politike të NDSH-së, si dhe të forcave të armatosura shqiptare në Greqi, organizimi politik dhe luftarak në këtë kohë u dobësua, por nuk u shua.

Vendimi për kalimin e njësive ushtarake të NDSH-së në Greqi, sipas zëvendëskryetarit të KQ të NDSH-së, Qemal Skënderi, erdhi menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme të zhvilluara në Britaninë e Madhe, në të cilat fitoi opozita majtiste, përkatësisht Laburistët.

I pyetur nga oficeri i UDB-së se cila ishte arsyeja kryesore e kalimit të njësive të armatosura në Greqi, Qemal Skënderi përgjigjet si më poshtë:

“…Kur nga ai Kongres i tretë u kthyem në Shkup, dëgjuam se partia e Çerçillit kishte humbur zgjedhjet dhe në pushtet kishin ardhur laburistët. Ibrahim Kelmendi erdhi në Shkup dhe momentin politik na e komentoi në këtë mënyrë: ‘Po të ishte Çerçilli në pushtet, lufta do të vinte shumë më shpejt. Ardhja e Atliut gjithashtu nuk paraqet rrezik për ne, por lufta do të vijë më vonë, prandaj çlirimi ynë do të shtyhet edhe për një kohë të caktuar’.”

Udhëheqësit ballistë në mal nuk e kishin aq të qartë pozitën e tyre dhe, sipas disa miqve të mi që e komentonin personalisht, pas këtij momenti politik ndërkombëtar ata moralisht kishin rënë, ndërsa nga dita në ditë kufijtë jugosllavo-grekë nga ana jugosllave forcoheshin gjithnjë e më shumë, saqë ekzistonte rreziku që gjatë dimrit çetat të eliminoheshin.

Megjithatë, pas marrjes së letrës nga Hysen Tërpeza dhe Luan Gashi, i përcjellë nga korrieri, pas disa ditësh ai shkoi në mal, përkatësisht te çeta, e cila më pas kreu lëvizjen për në Greqi.

I akuzuari nga shteti jugosllav, Qemajl Skënderi, më tej rrëfen se drejt Greqisë shkuan udhëheqësit ballistë: Hysen Tërpeza, Hasan Kabashi, Luan Gashi, Ibrahim Kelmendi, Adem Gllavica dhe Qazim Llugaxhiu. Din Hoxha me 7–8 luftëtarë mbeti në Tanishec, kurse Sul Hotla, i cili nuk dëshironte të shkonte, mbeti në Karadak.

Rruga e pakthim – mërgimi

Duke u larguar, Ibrahimi mori me vete virtytet e çmuara të shqiptarit, mendjen e kthjellët për të kuptuar se në çfarë gjendjeje ishte katandisur vendi nga pushtimet e huaja, përpjekjet dhe zhvillimet e luftërave shekullore, si dhe nevojën që shqiptarët kishin për të thithur ajrin e shëndetshëm të dashurisë për njëri-tjetrin, si edhe për arsim e kulturë. Këto vlera të përgjegjshmërisë kombëtare i shërbyen atij gjatë gjithë jetës.

Në Greqi qëndroi katër vjet. Aty kaloi një jetë të vështirë dhe shpesh i kanosej rreziku si nga partizanët grekë, ashtu edhe nga përfaqësues të sigurimit jugosllav, të cilët ishin në numër të konsiderueshëm. Në Greqi, varësisht prej situatës së sigurisë, ai u transferua nga një vend në tjetrin, duke filluar nga Fllorina, në Volos, Athinë, në ishullin Syros e më pas në ishullin e Kretës. Në fund, u vendos në kampin e përqendrimit në Lavrion, afër Athinës. Në këtë periudhë, në Athinë kishte punuar edhe në një garazh amerikan. Refugjatët shqiptarë, përveç jetës së vështirë, përjetonin edhe mallin e pashuar për atdheun.

Ibrahim Kelmendi, ndonëse përballej me një jetë të vështirë dhe plot rreziqe e brenga, vazhdimisht merrej me çështjen e të arratisurve në Greqi dhe me vëmendje të madhe përcillte zhvillimet politike në Kosovë, Shqipëri, në rajon dhe më gjerë. Veçanërisht ishte i angazhuar në ruajtjen e unitetit të shqiptarëve në këtë vend, pasi organizatat shqiptare që vepronin në Greqi ishin të përçara dhe shpesh përfshiheshin në konflikte.

Gjatë qëndrimit në Greqi, prof. Ibrahim Kelmendi, Adem Gllavica dhe Jusuf Ukë-Bregu u burgosën në burgun e Pireut, afër Athinës. Burgosja e këtyre figurave të njohura të lëvizjes shqiptare ngjalli indinjatë të madhe te të arratisurit shqiptarë në të gjithë Evropën. Një revoltë e veçantë u shpreh edhe nga ushtarët shqiptarë në kompaninë e kampit të Mynihut, të cilët organizuan protesta për lirimin e tyre.

“Shqiptari i di përgjegjësit që i përkasin nga historia, nga gjeografia e vendit të tij, ashtu edhe nga detyra e solidaritetit demokratik me kombet e tjera të lira. Populli shqiptar, më parë se kushdo tjetër, ka marrë armët për të dhënë kontributin e tij në mbrojtjen e botës kundër komunizmit, për të rifituar pozitën e tij si shtet i lirë e sovran në familjen ndërkombëtare, për të nxjerrë zërin dhe për t’u dëgjuar në mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të tij, në zgjidhjet e ardhshme të problemeve të Ballkanit”, shkruante gazeta “Shqipëria”.

Arritja në Australi

Pas një udhëtimi mbi 50-ditor me anije, ai arriti në Australi. Aty mundi të krijojë një raport të rëndësishëm me shtetin australian përmes punës intelektuale dhe kontributeve të tij shkrimore në atdheun e dytë.

Udhëtimi me anijen “Nelly X”, ndonëse i gjatë dhe i mundimshëm, bëri të mundur që më 23 shkurt 1953 të arrinte në Australi. Sipas shënimeve të ruajtura në Arkivin e Emigracionit Australian, më 20.03.1953 ai u vendos në Qendrën e Trajnimit Bonegilla për personat e emigruar, ku iu lëshua Certifikata e Regjistrimit NAA: A2571, si dhe Karta e veçantë e identitetit në Bonegilla. Më 21.03.1953 u vendos në adresën: 281 Napier St, Fitzroy, VIC 9415. Duke lexuar dokumentacionin e kohës, mësojmë se personat që vinin nga Jugosllavia trajtoheshin si jugosllavë.

Gjithashtu, nga certifikatat e datës 15.05.1955 rezulton se Ibrahim Kelmendi e ndryshon, përkatësisht e plotëson mbiemrin, duke shtuar edhe emrin e babait Osman, dhe me pëlqimin e tij deklaron ndryshimin e mbiemrit nga Ibrahim Kelmendi në Ibrahim Osman-Kelmendi.

Nga dokumenti i Regjistrimit NAA mësojmë gjithashtu se ai kishte arritur në Australi më 23 shkurt 1953, ndërsa më 09.05.1953 shënon adresën e tij në: 22 Drummond St, Carlton.

Sipas rregullave të emigracionit kërkohej edhe një person kontakti në rast nevoje. Kështu, Ibrahim Osman Kelmendi shënon emrin e Llukë Çunit (31 gusht 1911 – 22 maj 1980), udhëheqës i komunitetit shqiptaro-australian, i lindur në Prizren, Kosovë.

Më 27.07.1955 jepet adresa në: Ringwood Rd, Warrandyte. Po në këtë datë ndodh edhe ndryshimi i profesionit, duke u emëruar Asistent Sekretar në Departamentin e Shëndetësisë së Commonwealth-it, 240 Bourke St, Melbourne, pasi zotëronte mirë gjuhën angleze dhe kishte përvojë pune.

Më 18.05.1956 i jepet natyralizimi, ndërsa betimi bëhet në Templestowe.

Është e natyrshme që shumë shqiptarë, të cilët e njohën dimensionin e lirisë përmes jetës në mërgim, e admiruan atë edhe për vendin e tyre. Ibrahimi ishte një mendje e hollë, i cili mbarte në vetvete një traditë kulturologjike dhe atdhetare të njohur, pasi që në fëmijërinë e tij kishte marrë edukatën dhe amanetin e të parëve të tij. Anipse e kishin larguar nga atdheu në kohën kur i duhej më shumë vendit, në Melburn kaloi pjesën tjetër të jetës dhe zhvilloi më tej personalitetin dhe profilin e tij prej publicisti, shkencëtari dhe intelektuali, zemra e të cilit rrahu deri në çastet e fundit për fatet dhe të vërtetën e atdheut.

Ndihmonte komunitetin shqiptar

Ibrahim Kelmendi, për asnjë çast nuk u tërhoq nga parimi i tij, nga angazhimi në shërbim të çështjes shqiptare dhe të shqiptarizmës. Mbeti deri në ditët e fundit të jetës së tij i vendosur dhe këmbëngulës për misionin që i kishte dhënë vetes në ndihmë të njerëzve. Pra, ai ishte i përfshirë tërësisht në veprimtaritë atdhetare që ndihmonin komunitetin shqiptar në Melburn dhe më gjerë, veçanërisht ata të ardhur rishtazi, të cilët kalonin momente shumë të vështira për t’u integruar në jetën e re, pasi kishin jetuar në Kosovë, Shqipëri apo në kampet e refugjatëve. Në vazhdim, Ibrahimi në forma të ndryshme përpiqej t’i ndihmonte bashkëvendësit e tij dhe familjet e tyre për t’ua zbutur, sa të ishte e mundur, vështirësitë e ndryshme.

Këtë na tregon vetë në parathënien e një doracaku që e përgatiti enkas për ta, për të mësuar gjuhën angleze:

“Në gusht të këtij viti mora një letër prej një bashkatdhetari tonë, në të cilën shkruheshin këto fjalë: ‘Të lutem, të m’i shkruash disa fjalë anglisht me germa shqipe’. Letra mbaronte me: ‘Shumë të fala, Abdyli’.”

As për një çast nuk mendova se ndihma që ky mik imi më kërkonte do t’i jepte zgjidhje problemit të dëshiruar me të cilin ai dhe shumë të tjerë gjenden ballë për ballë. Të nesërmen shkova në dy librari për t’i gjetur Abdylit një metodë që mund t’i shërbente në këtë çështje me rëndësi. Librat që pashë ishin të mira dhe të shkruara prej njerëzve me eksperiencë në këtë punë. Për fat të keq nuk gjeta ndonjë që mund t’i shërbente Abdylit. Prandaj, aty për aty vendosa që vetë t’i shtrohem një pune, duke përdorur shqipen si mjet shpjegimi të shumë sendeve që kërkojnë kuptim.

Një ditë pastaj shkova në dy shtypshkronja për të parë se sa mund të kushtonte të shtypeshin 400 libra prej rreth 60 faqesh. Nga bisedat që pata, kuptova se mund të arrinte rreth 2000 dollarë. Nga frika se mund të mos shitej, m’u desh të përmbahem nga një aventurë e cila mund të më fuste në borxh për jetë.

Më pas, pas një bisede që pata me kryetarin e shoqërisë “Bajram Curri”, u vendos që shoqëria të blinte një shapirograf të mirë, një makinë shkrimi dhe letrat, kështu m’u bë e mundur të shkruaj këtë librezë, e cila, me gjithë mungesat dhe ndonjë të metë të saj, shpresoj se mund t’u shërbejë shqiptarëve për të mësuar një anglishte elementare.

Kronistët që janë marrë me personalitetin e Ibrahim Kelmendit e dinë se ai nuk ka lënë ndonjë autobiografi të shkruar. Por për punën dhe veprën e tij flasin arkivat, publikimet e tij, kujtimet e familjarëve, kujtimet e shokëve nga Melburni, si dhe shkrimet e tij të ndryshme. Ne ishim me fat që kontaktuam me një bashkëvendas të tij, me të cilin kishin kaluar shumë vite së bashku në gurbet.

Xheraldina dhe Ibrahim Kelmendi

“Burrë më të mirë kurrë nuk kam taku”

Emrullah Etemi, plak 90-vjeçar, lindur në Norçë të Preshevës, por i emigruar në Melburn para 65 vjetësh, me të cilin na “njoftoi” në distancë Skënder Kadriu, preshevar edhe ky nga Melburni, na zgjoi kureshtjen për të bërë një bisedë me të: si e njohu Ibrahim Kelmendin? Një ditë e thirrëm në telefon. I treguam se jemi të interesuar të bisedojmë me të për profesor Ibrahim Kelmendin. U përmallua, por i erdhi mirë që i kishim “trokitur në derë” për atë burrë me të cilin kishte kaluar shumë vite në Melburn.

“Pasi kisha bërë nja dy vite burg në Jugosllavi, e fillon rrëfimin e tij bashkëbiseduesi ynë, ia mësyna kufirit slloveno–austriak në të zezën. Dola nga bjeshkët e Trigllavit në Austri. Organet shtetërore austriake më morën, më trajtuan mirë dhe, pasi i kreva formalitetet zyrtare, më thanë: ku do me shku? U thashë: në Australi… Në Australi na pritën shumë mirë. U kujdesën për ne. Na sistemuan. Unë isha me grua, ndaj më dhanë një dhomë për banim.

Dikush nga shqiptarët kishte marrë vesh se kishte ardhur një familje nga Kosova dhe një njeri erdhi te banesa jonë e na kërkoi. Ai burrë, që quhej Hasan, ishte nga Gjilani, na thirri të shkonim në konak pas një jave. Shkuam. Aty kishin ardhur disa shqiptarë, por mes tyre e pashë një burrë zotni, të qetë, të përmbajtur, që shfaqte një edukatë të lartë. Më pyeti me përvujtni se nga jam. I tregova. Më tha se qenkemi vendas. U prezantua dhe tha: Ibrahim Kelmendi. Kisha dëgjuar për të se ka kryer shkollë të madhe, se ka qenë profesor në Prishtinë, se ka luftuar, se si e kishte kaluar kufirin. Unë e njihja shtëpinë e tyre, por jo këtë. Atë familje e njihte krejt Presheva. Filluam bisedën dhe mbetëm duke biseduar me të deri në mëngjes. Hasani na thoshte: mos keni gajle, se nesër jemi pushim. Ne mbetëm të kënaqur, të gëzuar që gjetëm një bashkëvendës shumë, shumë të mirë, me të cilin vazhduam të shoqërohemi. Me të na ndau vetëm vdekja e tij. Ato ditë ma emëroi djalin e parëlindur me emrin Agim. Unë nuk di me e përshkru personalitetin e Ibrahim-it, por po them shkurt: burrë më të mirë kurrë nuk kam taku. Ai na këshillonte, na mësonte, na udhëzonte, na ndihmonte me letra. Ne u bëmë si anëtarë të një shtëpie. Kurrë nuk e hiqte nga mendja gjendjen familjare të tij. E dinte ku i ka lënë.

Kur mori lajmin e pikëllueshëm se i kishte vdekur djali i vëllait, Qenani (sipas versionit zyrtar jugosllav u ngulfat në ujërat e Meksikës, duke e përcjellë Titon si gazetar i TVP), ai u mërzit shumë, u demoralizua. Thoshte se e kanë mbytur jugosllavët për shkak të aktivitetit tim. Nga ajo kohë filloi të bjerë nga shëndeti. U shtri në spital. Kurrë më nuk e mori veten si duhet.

Ibrahimi e shihte se shëndeti i tij binte dita-ditës. Një ditë mori disa nga librat e tij me karakter fetar dhe i dhuroi në xhaminë e shqiptarëve, ndërsa librat e tij shkencorë, dhe kishte shumë, ia dha Anton Gurashit, dhe ky i ka dorëzuar të gjitha në Bibliotekën e qytetit në Melburn. Ibrahimi me këdo rrinte bënte mik. E kishte atë veti, por ishte modest dhe nuk lavdërohej. Kur ka vdekur, siç thojmë ne atje, ma ka thyer krahun. Sa mirë që keni bërë që po interesoheni për të…” (bisedë e bërë në FaceTime më 19 dhjetor 2025)

Jeta në mërgimin e largët

Por për këtë punim kemi edhe një burim tjetër me shumë të dhëna: letërkëmbimin e tij dërguar familjarëve, e veçanërisht Dr. Hamdi Oruçit, që do të publikohet për herë të parë, nga ku mund të kuptojmë më thellë dhe ta lexojmë më qartë biografinë e tij të shkruar si letërkëmbim.

Në fakt, doktor Oruçi, me rastin e vdekjes së prof. Kelmendit, i kërkon shoqes së tij një skicë të shkurtër biografike. Ajo i përgjigjet:

“Ju më kërkoni ‘gjithçka që mbaj mend’ për burrin tim. Për këtë do të duhej një jetë për ta thënë: ai lindi më 16 dhjetor 1916, erdhi në Australi në vitin 1953. U martuam në vitin 1955 dhe vdiq më 24 janar 1979 në Spitalin Mbretëror të Melburnit nga insuficienca renale kronike dhe dështimi kronik i zemrës, pas vuajtjeve të gjata, të cilat i duroi me shumë guxim dhe pa u ankuar. Mendoj se shkrimi i eulogjisë së burrit tim është bërë më mirë nga bashkatdhetarët e tij sesa nga unë, por nga njohja e gjatë dhe e afërt e Ibrahimit mund të them pa frikën e kontradiktës se Ibrahimi ishte një njeri me cilësi të mëdha personale: shumë parimor, i nderuar, i guximshëm dhe dinjitoz, i cili i impresionoi të gjithë me butësinë, forcën e qetë dhe mençurinë e tij, dhe kështu ishte një frymëzim për shumë njerëz. Tek ai nuk kishte asnjë gjurmë mashtrimi, hipokrizie, keqdashjeje apo vetëlavdërimi; gjithmonë deri në kulm, dhe ai dëshpërohej për defekte të tilla tek njerëzit e tjerë.”

Duke shfletuar letrat e tij, mësojmë se me Dr. Hamdi Oruçin ishin bërë miq letërkëmbimesh. Kurrë nuk u takuan fizikisht, por doktori kënaqej duke lexuar letrat e tij. Më 21.06.1974 i shkruante:

“I dashun Hamdi, thojshe se letrat tona kanë marrë formë bisede të lezetshme. E para ishin të kursyshme në spontanitet. I thojshim sendet që duhej të thuheshin. Muhabeti ishte miqësor, por aty-këtu me dorëza. Natyrisht, nuk njiheshim. Tash na qëndrojmë në miqësi me gjithë mend, dhe vetvetiu kemi më shumë për të thënë…”

Kujtesa e tij gjithnjë ruante me nostalgji tokën e Kosovës.

Ibrahimi e ka dashur Kosovën me hallet, me vuajtjet, me mjerimet, me vajin dhe e ka kujtuar e mbrojtur, herë me gjoks, herë me penë, herë me pushkë, kudo, në kufi me Serbinë dhe në mërgim.

Ndonëse në largësi, ai e përcillte me vëmendje jetën dhe suksesin e familjarëve të tij. Mbesa e tij, Ajtene Mehmeti-Pllana, babai i së cilës në Shkup ishte dënuar me 8 vite burg, sepse e kishte strehuar mikun e tij në shtëpi, në librin e saj shkruan:

“Një kohë kishte qëndruar në fshatrat e Kumanovës, e pastaj në Greqi e Gjermani. Dhe, pas emigrimit të tij në Australi, askush nga familja më nuk u takua me të. I vetmi kontakt ndërmjet nënës dhe dajës Ibrahim ishin letrat që i shkëmbenin shumë shpesh. Ato letra mund t’i lexonin vetëm nëna dhe babushi ynë, sepse ishin të shkruara në alfabetin arab. Letrat e tyre ishin plot humor; e kujtonin të kaluarën dhe kështu çmalleshin një herë në dy-tre muaj. Edhe korrespondenca me Amirin ishte shumë e rregullt. Në çdo letër që na e dërgonte daja Ibrahim, e shprehte nostalgjinë që e kishte për Preshevën, për Kosovën:

‘Sa fotografi që më vijnë prej andej, gruaja ime më thotë: të ngjet ty. Pra, sipas saj: Ajteni më ngjet, Agimi më ngjet, Qenani më ngjet, Osmani më ngjet, Naxhija më ngjet. Pra të gjithë më ngjajnë. Kështu, as në Australi nuk e ndiej veten të vetmuar’.”

Nga e djathta: autori Elez Osmani, prof. Isa Memishi, nipërit Nehat Hyseni dhe Feti Shaipi, duke u konsultuar për biografinë e I.K.

Studimet shkencore të tij

Në mërgim, Ibrahimi nuk kishte marrë pjesë në veprimtari politike. Ai kishte vendosur të merrej me shkrime dhe studime.

Sot dihet se Ibrahim Kelmendi ka publikuar këto punime:

“Pak fjalë për të kaluarën e shqiptarëve”; “E vërteta mbi gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi”; “Përbërja etnike dhe historike e Kosovës”; “Kosova në luftë”; “Të mësuem me u ba fqinjë të paduruem”; “Kosova në luftë me komunizmin”; “Perspektiva e imperializmit serb”; “Tito në mes të fortunës”; “Klika Hoxha–Shehu nuk është për Kosovën shqiptare”; “Jugosllavinë duhet me njoftë si mozaik e pa harmoni”; “Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë”; “Doracak për mësimin e anglishtes”; “Ilirët në protohistori, origjina, kultura dhe përhapja e tyre, prej mytheve deri në Butmir” etj.

Prof. Kelmendi ishte deklaruar që në krye të herës si kundërshtar politik dhe luftarak i regjimit shtypës jugosllav. E gjithë kjo marrëdhënie që ai krijoi me të shkuarën e vendlindjes dhe me kohën dëshmonte sa i lidhur kishte mbetur me tokën dhe me amanetin e të parëve.

Në mërgim, ai do ta zhvillonte më tej idealin e tij, por në një formë tjetër. Këtë e dëshmoi përmes objektit të studimeve të tij, e sidomos përmes ilirologjisë, duke gjurmuar dhe përdorur literaturë të thuktë shkencore dhe duke e përpunuar atë në një stil të thjeshtë, elegant dhe shkencor, ku tërësia ndërtohej mbi analiza të detajuara të shumë shkencëtarëve të nivelit botëror. Me një aftësi të jashtëzakonshme, ai u përpoq të nxirrte në pah dhe të shpjegonte qartë situata të ndërlikuara të historisë së kombit të vet.

Prof. Ibrahim Kelmendi u ofron lexuesve, në të njëjtën kohë, botëkuptime të traditës dhe realitete njerëzore të asaj epoke. Në një botim të publikuar në revistën “Përpjekja jonë”, me titull “Ilirët në protohistori, origjina, kultura dhe përhapja e tyre”, ai nënvizon:
– Thonë se Ilirët ishin ndër indo-evropianët e parë të Evropës.
– Thonë se gjuha e tyre mund të ketë shërbyer si bazë ose substrat për gjuhët italike dhe keltike.
– Thonë se ajo ka qenë amë e greqishtes dhe e latinishtes.

Publicisti Gëzim Llojdia, në një artikull të botuar, shkruan:
“Dëshmitë e prof. Ibrahim Kelmendit, të bëra publike në gazetën ‘Flamuri’, që botohej në Romë të Italisë (në vitin 1950), tregojnë se në atë kohë prof. Ibrahim Kelmendi ka shpalosur idetë e tij dhe ka hedhur teza të guximshme për prejardhjen e shqiptarëve. Duke shfletuar gazetën ‘Flamuri’ (mjerisht jo në të gjithë numrat), që botohej në Romë, gjejmë një seri shkrimesh të prof. Kelmendit, të cilat mbajnë gjuhën, mendimin dhe vlerësimin e tij për historinë dhe gjenezën e kombit më të hershëm në Evropë. Nuk janë thjesht citime, por një analizë dhe sintezë me fakte dhe dokumente të reja. Në këtë gjurmë, 50 vite më vonë, shumë studiues shqiptarë po sjellin atë që prof. I. Kelmendi dhe të tjerë e kishin bërë të njohur, por që nuk ishte njohur brenda kufijve të Shqipërisë për shkak të regjimit.

Populli më i vjetër i Ballkanit, pa dyshim, është populli shqiptar, i cili në kohët e lashta shtrihej prej Adriatikut deri në Danub, duke përfshirë edhe Hungarinë perëndimore, shprehet prof. Kelmendi. Të parët e tij quheshin ilirë, të cilët ishin ndër arianët më të hershëm që kishin ardhur në Evropë. Vendi i tyre quhej Iliri. Për ilirët, prof. Kelmendi ka sjellë dhe ka cituar autorë të antikitetit. Për ardhjen e tyre nuk ekziston ndonjë datë e saktë, por ajo datohet deri në shekullin XX para Krishtit. Prof. Kelmendi citon Herodotin, i cili i quan barbarë dhe thotë se u ngjanin thrakasve. Të këtij mendimi kanë qenë edhe shkrimtarë të vjetër grekë.

Ai ishte i nderuar dhe i respektuar nga të gjithë. Ibrahimi mbeti një dijetar pothuajse deri në fund të jetës së tij (derisa sëmundja, në muajt e fundit, ia shteroi energjitë), duke lexuar dhe studiuar thellësisht historinë, antropologjinë, parahistorinë, fetë krahasuese dhe filozofinë – si atë të lashtë, ashtu edhe atë moderne.

Në pllakën përkujtimore prej graniti në varrin e tij janë gdhendur fjalët e mëposhtme (epitafi):
“Një nderim për një njeri të mençur, me integritet, guxim dhe dinjitet, i cili iu përkushtua mësimdhënies dhe zgjerimit të njohurive të historisë dhe kulturës shqiptare.”

Duke i dhënë lamtumirën e fundit në dheun e largët, zonja e tij kujton me mall, duke i shkruar Dr. Oruçit:
“Çfarë mund t’ju them më shumë? Mund të vazhdoja gjatë për një njeri të paharrueshëm, largimi i të cilit më ka lënë tërësisht të vetmuar dhe që do të kujtohet thellë nga ata që e njohën në jetë; por ju, besoj, tashmë e keni njohur atë përmes veprës së tij… Do ta vlerësoja shumë një kopje të artikullit tuaj kur të botohet, pasi po bëj fotokopje të shkrimeve për t’ia dërguar vëllait të burrit tim në Preshevë.”

Kështu përfundon zonja e tij, Jill (Geraldine).

“Me sytë nga Presheva, me flakën e pashuar për lirinë e atdheut të vet, në janarin e vitit 1979 ndërron jetë, duke u treguar shqiptarëve se gjurmët e tij, gjurmët e vetëtimës së Preshevës, mbeten në çdo vis ku luftohet dhe jetohet për lirinë, bashkimin dhe prosperitetin e kombit shqiptar. Ideali dhe vepra e tij le të mbeten një udhërrëfim për gjeneratat e ardhshme.”

Revista “Koha e jonë”, me rastin e vdekjes së profesorit, shkruan: “Humbja e Prof. Ibrahim Kelmendit”
Me keqardhje të thellë kemi marrë lajmin e vdekjes së dashamirit tonë, Prof. I. Kelmendit.

Prof. Kelmendi vdiq pas një sëmundjeje të gjatë, dhe me këtë humbje mërgatës i zhduket edhe një tjetër element i vlefshëm, i cili u shqua për cilësitë e tij të rralla në fushën arsimore, kulturore dhe politike.

Ne të revistës “Koha e Jonë”, që e patëm afër me inkurajime dhe nxitje në ndërmarrjet tona, do ta kujtojmë përherë me simpati.

Familjarëve dhe farefisit të të ndjerit u paraqesim ngushëllimet tona të sinqerta.

Më tej, “Koha e Jonë”, nr. 10–12–13, Tetor–Nëntor–Dhjetor 1979, f. 45, në rubrikën “Idhnime”, boton një përkujtim për Ibrahim Kelmendin nga Artan Iliri (alias Dr. Hamdi Oruçi).

“Zemra në vajtim” (nekrologji)

Me vonesë dhe me zemër të thyer, Qendra Islame Shqiptare Amerikane lajmëron humbje të dhembshme, të cilat janë ndier thellë nga i gjithë komuniteti shqiptar në mërgim, e madje edhe më thellë nga bashkësia myslimane shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Marrim pjesë me zemra në vajtim, sepse ndarja e tyre ka lënë në mesin tonë një boshllëk të madh, i cili ndihet çdo ditë e më shumë…

Në janar të vitit 1979 ndërroi jetë në Melbourne të Australisë profesori Ibrahim Osman Kelmendi nga Presheva e Kosovës. Lajmi i vdekjes së tij u përhap në Amerikë me vonesë dhe u prit me një keqardhje shumë të thellë, jo vetëm ndër masat shqiptare në mërgim, por veçanërisht nga të gjithë intelektualët shqiptarë dhe nga ata që patën fatin të lexonin studimet e tij të botuara herë pas here në revistën “Përpjekja e jonë”.

Prof. Kelmendi u diplomua në shkencat e historisë në Universitetin e Zagrebit të Kroacisë, mik i shqiptarëve. Ndoshta ishte ndër të parët kosovarë që kreu studime të larta universitare në këtë fushë.

Gjatë vitit 1941, kur Kosova ishte bashkuar me Shqipërinë, prof. Kelmendi u emërua profesor historie në Liceun e Prishtinës, bashkë me shumë arsimtarë të ardhur nga Shqipëria. Kur Kosova u bë shesh sulmesh nga brigadat komuniste serbo-malazeze e maqedonase, ai u bashkua me grupet e ndryshme të qëndresës nacionaliste kosovare, duke u detyruar më vonë të largohej në Greqi, prej nga emigroi për në Australi, ku gjeti paqe dhe qetësi shpirtërore, duke bashkuar fatin e vet me një zonjë bujare australiane, zonjën Geraldine, e cila i qëndroi pranë deri në çastet e fundit të jetës së tij.

Me të gjitha brengat dhe vuajtjet e mërgimit, Prof. Kelmendi nuk e pushoi aktivitetin e tij në shërbim të historisë së kombit shqiptar. Ai u pajis me një dijeni të thellë në studimin e shkencave të paleologjisë, antropologjisë, arkeologjisë, si dhe të filozofisë fetare, dhe në saje të gjurmimeve e kërkimeve të tij të vazhdueshme arriti të përpilojë një seri studimesh të çmuara rreth gjenezës apo origjinës së popullit shqiptar.

Në kohët e fundit, Prof. Kelmendi u bë vullnetarisht bashkëpunëtori më i vlefshëm që ka mundur të ketë revista e kësaj Qendre Islame, “Përpjekja e Jonë”. Studimet më interesante, të cilave ai u dha rëndësinë më të madhe, ishin “Ilirët në protohistori”, duke u përpjekur të shfrytëzojë çdo njohuri historike apo arkeologjike për të arritur kështu te burimi i origjinës sonë.

“Me vjen keq”, thoshte ai, “që kombi ynë nuk e përvetësoi emrin ‘Illyri’ në vend të fjalës ‘Shqip’ e ‘Shqipni’, me të cilat nuk dimë ç’të bëjmë, ndërsa fjala ‘Illyri’ është e njohur nga mbarë bota intelektuale evropiane që merret me këto studime…”

Në këtë pikë, Prof. Kelmendi ishte më shumë se studiues e gjurmues i thellë: ishte një mistik i thellë. Këtë e dëshmoi më së miri me studimin e tij të fundit, “Prej krijimit deri në Butmir”, ku ai derdhi të gjitha forcat e tij intelektuale dhe shpirtërore, të cilat do të mbeten një burim studimi për gjeneratat e ardhshme shqiptare.

Kush e ka lexuar këtë studim të fundit mund të kuptojë se sa bukur dhe rrjedhshëm është përpiluar, duke i vënë vulën më të mirë në gjuhën shqipe fazave të ndryshme të kulturës së gurit, duke përfshirë edhe epokën e Neolitit (Gurit të Ri), deri në epokën e bronzit të hershëm dhe të vonshëm, me të cilën fillojnë edhe format e ndryshme të shkrimit.

Fatkeqësisht, sëmundja e pamëshirshme e rrëmbeu para kohe, pikërisht në momentin më vendimtar të jetës së tij, duke na i tharë kështu edhe krahët në mërgim. Le të shpresojmë se rrugën e Prof. Ibrahim Kelmendit do ta ndjekin qindra studiues të ardhshëm shqiptarë. Në numrin e ardhshëm do të merremi më gjerësisht me studimet e tij.

Qendra Islame Shqiptare Amerikane përkulet me përvujtni para kujtimit të këtij arsimtari dhe studiuesi të palodhur, dhe zonjës së tij Geraldine në Australi, si edhe farefisit në Kosovë, u shpreh ngushëllimet më të thella.

I lehtë i qoftë dheu i huaj!

Përkujtim:
Nga Artan Iliri

“I lehtë të qoftë dheu i huaj, Ibrahim, dhe shpresojmë se një ditë do të prehesh në vendlindjen tënde, nën hijen e Lubotenit dhe Sharrit, në Preshevën tënde.”

Ai u nderua dhe u respektua nga shumë miq shqiptarë dhe australianë dhe u përcoll për në banesën e fundit nga familjarët dhe miqtë e tij shqiptarë.

Ibrahim Kelmendi kishte cilësi të mëdha personale: ishte shumë parimor, i guximshëm dhe dinjitoz, i cili u la përshtypje të gjithëve me butësinë, forcën e qetë dhe mençurinë e tij. Tek ai nuk kishte asnjë gjurmë mashtrimi, hipokrizie, keqdashjeje apo vetëlavdërimi.

Ibrahimi mbeti një dijetar deri në fund të ditëve të tij, duke lexuar thellësisht historinë, antropologjinë, protohistorinë, fetë krahasuese dhe filozofinë.

Gruaja e tij e lindur në Australi, zonja Geraldine, dhe komuniteti shqiptar, ndër të tjera, në gurin e varrit të tij kishin gdhendur këtë mbishkrim:
“NJË TRIBUT PËR NJË NJERI ME DINJITET, INTEGRITET, GUXIM DHE MENÇURI.”

“Një nderim për një njeri me mençuri, integritet, guxim dhe dinjitet, i cili iu përkushtua mësimdhënies dhe zgjerimit të njohurive mbi historinë dhe kulturën shqiptare.”

Dhe kjo frazë i thotë të gjitha.

Gazeta “Flamuri” – Prof. Ibrahim Kelmendi ndërroi jetë

Më 24 të kallndorit 1979, në Melbourne të Australisë, ndërroi jetë atdhetari i mirënjohur dhe luftëtari i përmendur i Shqipnisë Etnike, profesor Ibrahim Kelmendi. I ndjeri kishte vuajtur për një kohë të gjatë nga sëmundja. Kur i mbylli sytë, ai ende nuk i kishte mbushur 65 vjetët. Varrimi u bë më 26 të kallndorit, dhe mbarë bashkësia shqiptare e qytetit të Melbourne-it i bëri një nderim të posaçëm njeriut që aq shumë e deshi dhe aq shumë punoi e u flijua për tokën shqiptare të Kosovës dhe për Shqipninë Etnike.

Vdekja e profesor Ibrahim Kelmendit është humbje e rëndë për mbarë çështjen shqiptare, sepse ai kishte një përgatitje të shëndoshë kulturore dhe një ndërgjegje të fortë kombëtare, që përbënin një pasuri me vlerë të madhe.

Lufta që përfshiu mbarë Ballkanin dhe që tronditi kufijt e regjimeve, u dha shkas dhe ua çeli rrugën atdhetarëve kosovarë që të hidhen në përpjekje për t’u bërë theror për çështjen e Shqipnisë Etnike dhe për mbrojtjen e tokave kosovare.

Në këtë grumbull të madh atdhetarësh të përmendur, rreth të cilit mblidheshin kosovarët që luftonin për Kosovën dhe për Shqipninë Etnike, bënte pjesë dhe dallohej për guxim e zgjuarsi edhe Ibrahim Kelmendi.

Profesor Ibrahim Kelmendi ka qenë kryetar i Komitetit Krahinor të Ballit Kombëtar në Prishtinë. Ai ka qenë edhe këshilltar i Komitetit të Rinisë për Mbrojtjen e Kosovës. Të dyja këto detyra i ka kryer me nder dhe me burrni. Ka qëndruar me pushkë në dorë deri në ditën kur u detyrua të largohej nga vendi i tij për të marrë rrugën e mërgimit. Komiteti i Rinisë për Mbrojtjen e Kosovës e kishte caktuar atë si kryetar të vullnetarëve të Preshevës.

Profesor Ibrahim Kelmendi është dalluar edhe si historian, dhe në faqet e fletores “Flamuri” të Ballit Kombëtar janë të shpërndara shumë shkrime me vlerë historike që kanë të bëjnë me Kosovën dhe me Shqipninë Etnike.

Prof. Kelmendi ka shkruar edhe për të përkohshmen “Albania”, për botimin e Komitetit Kombëtar Demokrat “Shqipnia e Lirë”, për gazetën “Besa”, si dhe për revistën fetare myslimane “Përpjekja e Jonë”.

Ai e ka dashur Kosovën me hallet, me vuajtjet, me mjerimet, me vajin dhe e ka kujtuar e mbrojtur, herë me gjoks, herë me penë, herë me pushkë, kudo — në kufi dhe në mërgim. Me luftën e tij, me punën e tij dhe me shkrimet e tij, profesor Ibrahim Kelmendi me siguri ka zënë një vend nderi në historinë e re shqiptare. Ai do të kujtohet me nderim nga brezat e ardhshëm si njeri i penës dhe si luftëtar i lirisë.

B. “Shqiptari i Lirë” – Bashkësia Shqiptare në vajtim

Ndërsa ish-drejtori dhe kolegu i tij në Gjimnazin e Prishtinës, prof. dr. Rexhep Krasniqi, në gazetën “Shqiptari i Lirë”, që botohej në Nju Jork dhe redaktohej prej tij, në rubrikën “Bashkësia Shqiptare në vajtim”, bën këtë shënim:

“Në janar 1979 ndërroi jetë në Melbourne të Australisë prof. Ibrahim Osman Kelmendi nga Presheva e Kosovës. Lajmi i vdekjes së tij u ndie këtu me vonesë dhe u prit me keqardhje të thellë nga të gjithë ata që kanë pasur rastin ta njohin personalisht, ose të lexojnë studimet dhe shkrimet e tij, që në përgjithësi merreshin me historinë e kombësisë shqiptare dhe me shkencat ndihmëse si paleologjia, antropologjia, arkeologjia dhe filozofia fetare, etj. Studimet e tij janë botuar në shtypin e mërgimit dhe sidomos në revistën fetare “Përpjekja e Jonë”, që drejtohet nga mjeku ynë dr. Fejzi I. Domni, në New York.

Ibrahim Kelmendi ka qenë ndër të paktët shqiptarë nga Kosova që, edhe në kohën e shtypjes së egër të Jugosllavisë mbretërore, ka pasur guximin dhe vullnetin për të ndjekur studimet universitare. Është diplomuar në shkencat historike në Universitetin e Zagrebit, kryeqytetit kroat, të popullit që shpesh konsiderohej mik i shqiptarëve në Jugosllavinë e atëhershme.

Ka qenë ndoshta i pari kosovar që ka kryer një degë universitare për arsim të mesëm.

Ishte viti 1941, kur Kosova ishte e bashkuar me shtetin shqiptar dhe në të gjitha krahinat përkatëse u hapën për herë të parë shkolla fillore dhe të mesme në gjuhën shqipe. Për mungesë të arsimtarëve vendas, Ministria e Arsimit në Tiranë, në rrethana të vështira, u detyrua të zhvillojë një fushatë për të bindur mësuesit nga Shqipëria që të shërbenin në Kosovë…

Në fund të vitit shkollor 1943/44, kur Kosova ishte shndërruar në shesh sulmesh nga brigadat komuniste serbe, malazeze dhe maqedonase, si dhe nga forcat partizane të Enver Hoxhës, ai u bashkua në male me grupe të ndryshme të qëndresës nacionaliste kosovare, por më në fund, së bashku me luftëtarë të tjerë, u detyrua të çante rrugën deri në Greqi. Prej andej, dhe pas rrethanave të vështira të jetës në kampe, kaloi në Gjermaninë Perëndimore dhe më pas në Australi. Këtu, pas pak kohe, gjeti punë të përshtatshme, paqe dhe qetësi shpirtërore, si dhe bashkëshorten e tij besnike të jetës, zonjën australiane Geraldine, një nëpunëse me edukatë të zgjedhur.”

Shkruan: Petraq Ktona

PROFESOR IBRAHIM KELMENDI: “Nëse do të jetojnë shkollat shqipe në Kosovë, ne e kemi fituar punën.”

Më 24 janar të këtij viti, kaloi në jetën e amshueshme në Melburn të Australisë prof. Ibrahim Kelmendi. Ai lindi në Preshevë të Kosovës më 16 dhjetor 1916. Mësimet fillore i mori në vendlindje, gjimnazin në Shkup, ndërsa studimet universitare i përfundoi në Zagreb.

Që në fillim të Luftës së Dytë Botërore, pikërisht kur Kosova u bashkua me mëmëdheun Shqipëri, Ibrahimi u angazhua në trupën e arsimtarëve që shërbyen si profesorë në gjimnazin e sapokrijuar të Prishtinës.

Por me përfundimin e luftës dhe rivendosjen e pushtetit komunist jugosllav, Kosova u ripushtua. Ibrahimi nuk mundi të kthehej sërish në një Kosovë të robëruar dhe, pa pritur gjatë, u arratis për në Greqi së bashku me shumë shokë të tjerë.

Në kampin e Haxhiqiqarit në Pire, ku herë pas here e takoja Ibrahimin, ai gjendej së bashku me shokët e tij: M. Adem Gllavica, Ejup Binaku, Luan Gashi, Abdul Henci etj. Në atë kamp, ende e kujtoj se si kalonim ditët me biseda të ngrohta dhe të thella. Rrinim shpesh bashkë dhe ndanim hallet tona politike e shoqërore. Nga grupi i ngushtë prej 7–8 vetash, Ibrahimi ishte më i urti dhe më i maturi. Gjithnjë kujdesej që, kur fliste, të mos lëndonte askënd.

Shpesh shëtisnim në oborrin e madh të kampit duke biseduar. “Dëgjo, Petraq — më thoshte — nëse do të jetojnë shkollat shqipe në Kosovë, ne e kemi fituar punën.” Ibrahimi kishte besim të madh në popullin kosovar, sidomos në brezin e ri. Më tregonte shpesh se sa zemër u jepnin fëmijët e shkollave fillore dhe të gjimnazit. Me zell mësonin gjuhën dhe historinë, dhe dukej qartë krenaria e tyre kur lexonin mësimet në shqip.

Një herë tjetër më bëri një përshkrim të gjatë të çështjes kosovare dhe të mundësive për ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

U ndava me Ibrahimin në tetor 1948, kur unë, bashkë me grupin e refugjatëve politikë, u larguam për në Itali. Ibrahimi, me katër-pesë shokë dhe prof. Abas Ermenjin, u ndaluan nga autoritetet greke të largoheshin nga Greqia. Më vonë, Ibrahimi, bashkë me shokun e tij, inxhinier Adem Gllavica, u largua për në Gjermani dhe prej andej emigroi në Melburn të Australisë.

Për prof. Ibrahim Kelmendin ruaj kujtimet më të mira: si burrë me karakter të fortë, si shqiptar patriot dhe si shok i sinqertë, i dashur dhe i urtë. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij.

Dekorimet:

Familjarët e tij ruajnë me kujdes dokumente personale, letra dhe dorëshkrime të tij, si dhe dekorata, mirënjohje e falënderime të dhëna nga personalitete të botës shqiptare, si nderime post-mortem për Ibrahim Kelmendin.

Më 27.08.2021, Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta e dekoroi (pas vdekjes) Ibrahim Kelmendin me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

Po ashtu, emërtimi i Shkollës Fillore në Preshevë, si qendër me katër paralele të ndara, me emrin e profesor Ibrahim Kelmendit, i bën nder Preshevës dhe përfaqëson një mirënjohje, falënderim dhe përkujtim të denjë për sakrificat dhe kontributin e tij në çështjen kombëtare, duke shërbyer si shembull i shkëlqyer i atdhedashurisë dhe edukimit patriotik e intelektual të brezave të rinj. Më 28 nëntor 2012, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e dekoroi me Urdhrin e Lirisë, për organizim dhe udhëheqje në luftën për çlirim kombëtar dhe demokraci.

Gjithashtu, në Prishtinë, një rrugë mban emrin “Ibrahim Osman Kelmendi”, për të përkujtuar këtë figurë të çmuar atdhetare. Jeta e tij mund të përkufizohet kështu: një luftëtar i kalitur i çështjes së atdheut, që mishëroi virtytet e njeriut të denjë shpirtërisht dhe moralisht.

Elez Osmani, New York – Prishtinë, 2022–2026.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Basri F. Berisha B.I. shpall të pavlefshme certifikatën e Biznesit …