LDK-ja dhe AAK-ja s’pajtohen për dialogun

10 gusht 10:26

Partnerët e koalicionit qeverisës, LDK-ja dhe AAK-ja, nuk po mund të gjejnë një gjuhë të përbashkët rreth procesit të dialogut Kosovë – Serbi. Mospajtimi për këtë çështje të filluar me takimin e parë të kryeministrit Avdullah Hoti me presidentin serb në Bruksel po vazhdon ende.

AAK-ja ka kritikuar përmbajtjen e dialogut dhe mostransparencën në proces. Ndaj kritikave të AAK-së të dielën ka reaguar zëvendëskryeministri Diton Selmanaj, i cili ka thënë se autoriteti i vetëm në këtë proces është kryeministri dhe se dialogu teknik me Serbinë i takon të kaluarës.

“Për të gjithë ata që ende kanë dilema. Kryeministri i Qeverisë së Kosovës është autoriteti i vetëm ekzekutiv që udhëheq dialogun në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Platforma e vetme politike për dialog është dhe mbetet Kushtetuta e Kosovës. Parimet e dialogut: Dialogu zhvillohet për çështje politike, dialogu teknik tashmë i takon së kaluarës; dialogu do të përfundojë me njohje reciproke; marrëveshja do të jetë gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e obligueshme; marrëveshja përfundimtare do të jetë plotësisht me frymën e Kushtetutës së Kosovës, në të kundërtën nuk do të pranohet assesi”, ka shkruar Selmanaj në profilin e vet në “Facebook”.

Ai ka treguar se çështjet që nuk do të diskutohen në këto negociata janë: territori, sovraniteti dhe sistemi unitar i shtetit. “Jemi të bindur që ky proces nuk mund të mbyllet suksesshëm pa përkrahjen e miqve tanë ShBA – BE. Kjo përkrahje ekziston dhe për këtë nuk duhet të ketë dilema askush. Kjo temë kërkon transparencë, unitet dhe lidership me përgjegjësi të larta shtetërore dhe kombëtare. Këtë angazhim dhe përkushtim tashmë e ka dëshmuar qeveria me kryeministrin Hoti. Tema të tjera të rëndësisë terciare dhe për politika të brendshme dhe me interes ditor kemi dhe do të ketë gjithmonë me bollëk”, ka shkruar Selmanaj.

Reagimi i Selmanajt ka ardhur pasi ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, që është edhe përfaqësues i AAK-së në procesin e dialogut të Brukselit, ka kritikuar këtë proces. Selimi, i cili nuk ishte lejuar të merrte pjesë në takimin në mes të Hotit dhe Vuçiqit, ka thënë se nuk mund ta informojë liderin për procesin nëse nuk merr pjesë në takimet e dialogut. “Fatkeqësisht, pjesën në të cilën jam i dizegnuar nuk mund ta kryej me saktësi dhe ta informoj liderin tim i cili më ka dizegnuar. Më ka emëruar që ta bart këtë pozicion në qoftë se unë nuk kam qasje direkte të informatave. Unë i besoj skriptit dhe pozicionit të delegacionit atje, por mua më pamundëson informimi i saktë në qoftë se nuk jam pjesë përbërëse e atij ekipi, pasi që përtej atij skripti ka çështje të tjera të cilat, po ashtu, janë shumë të rëndësishme. Çështje të tjera të cilat mund të konsiderohen finesa, por janë të rëndësishme për pozicionimin e secilit delegacion”, ka thënë Selimi.

Edhe zyrtarët e tjerë të AAK-së, duke filluar prej liderit të kësaj partie, Ramush Haradinaj, kanë kritikuar qasjen e kryeministrit në këtë proces.

Madje Haradinaj ka deklaruar se nëse vazhdon këtu ky proces, kryeministri nuk do ta ketë përkrahjen e AAK-së. Mirëpo, nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se mospajtimet e këtyre dy partive për këtë çështje nuk duhet të shihen si kërcënim për prishje të koalicionit.

“Dyshimet që ka përcjellë AAK-ja te partneri i koalicionit janë se ne po frikësohemi se Bashkimi Evropian po na kthen në vitin 2011, ku bisedohej për çështje teknike dhe jemi të bindur se nuk mund të ketë marrëveshje pa praninë e Uashingtonit zyrtar. Këto sugjerime të AAK-së nuk duhet të shihen si kërcënime për koalicionin, por si këshilla që të drejtohemi në rrugën e duhur ku garantohet përmbyllja përfundimtare e problemeve Kosovë – Serbi”, ka thënë Lekaj.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga partia Lëvizja Vetëvendosje dhe…