Kritikat e opozitës për marrëveshjen e Uashingtonit janë të drejta, por nuk janë reale

08 shtator 2020 | 22:18

Politologu Ramush Tahiri ka deklaruar se marrëveshja e Uashingtonit e ka fuqizuar ndërkombëtarisht Republikën e Kosovës. Ai këtë marrëveshje e ka cilësuar historike për disa arsye.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Tahiri ka thënë se për herë të parë në një nivel kaq të lartë Kosova është paraqitur e barabartë me Serbinë. “Kjo marrëveshje është historike për faktin se është nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë. Është historike sepse Kosova për herë të parë në arenën ndërkombëtare përfaqësohet në nivel kaq të lartë me një dokument të tillë. Gjithashtu, kjo marrëveshje është historike sepse për herë të parë Kosova nënshkruan diçka të këtij niveli me Serbinë ku përfshihet zhvillimi ekonomik, por edhe parimet e tjera të subjektivitet ndërkombëtar të Kosovës, siç ishte lufta kundër terrorizmit, hapja e Ambasadës në Jerusalem dhe gjëra të tjera”, ka thënë Tahiri.

Ai ka numëruar përfitimet që Kosova ka marrë nga kjo marrëveshje, duke thënë se kritikat ndaj këtij dokumenti janë joreale. “Sa iu përket përfitimeve, Kosova përfiton shumë sepse aty përfshihen marrëveshje ekonomike që tërheqin miliarda dollarë. Gjithashtu, do të ketë edhe kredi të buta dhe investime kapitale nga amerikanët. Pra, parashihet ndërtimi i hekurudhës Nish-Durrës, ndërtimi i autostradës Nish-Durrës dhe do të ketë ndërtim të një porti të ri në Shqipëri. Sigurisht se do të jetë porti i Shëngjinit, ku do të ketë qasje edhe Serbia. Gjithashtu, aty përfshihet edhe njohja nga Izraeli dhe gjëra të tjera”, është shprehur Tahiri.

Njohësi i rrethanave politike ka bërë me dije se në këtë marrëveshje Kosova dhe Serbia paraqiten plotësisht si dy shtete të barabarta. “Ky dokument është marrëveshje mirëbesimi i cili njihet si akt ndërkombëtar. Ajo nuk është marrëveshje klasike trepalëshe, mirëpo i ka të gjitha elementet që Kosovën e trajton të barabartë me Serbinë. Me këtë marrëveshje asgjë Serbia nuk ka më shumë se Kosova”, ka vlerësuar Tahiti.

“Epoka e re”: Z. Tahiri, cili është vlerësimi juaj për marrëveshjen në Uashington?
Tahiri: Marrëveshja është historike për Kosovën. Është historike për faktin se është nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë. Është historike sepse Kosova për herë të parë në arenën ndërkombëtare përfaqësohet në nivel kaq të lartë me një dokument të tillë. Gjithashtu, kjo marrëveshje është historike sepse për herë të parë Kosova nënshkruan diçka të këtij niveli me Serbinë ku përfshihet zhvillimi ekonomik, por edhe parimet e tjera të subjektivitet ndërkombëtar të Kosovës, siç ishte lufta kundër terrorizmit, hapja e ambasadës në Jerusalem dhe gjëra të tjera. Ky dokument është marrëveshje mirëbesimi i cili njihet si akt ndërkombëtar. Ajo nuk është marrëveshje klasike trepalëshe, mirëpo i ka të gjitha elementet që Kosovën e trajton të barabartë me Serbinë. Me këtë marrëveshje asgjë Serbia nuk ka më shumë se Kosova.

“Epoka e re”: Cilat janë përfitimet e kësaj marrëveshje për Kosovën?
Tahiri: Sa iu përket përfitimeve, Kosova përfiton shumë, sepse aty përfshihen marrëveshje ekonomike që tërheqin miliarda dollarë. Gjithashtu, do të ketë edhe kredi të buta dhe investime kapitale nga amerikanët. Pra, parashihet ndërtimi i hekurudhës Nish – Durrës, ndërtimi i autostradës Nish – Durrës dhe do të ketë ndërtim të një porti të ri në Shqipëri. Sigurisht se do të jetë porti i Shëngjinit, ku do të ketë qasje edhe Serbia. Gjithashtu, aty përfshihet edhe njohja nga Izraeli dhe gjëra të tjera.

“Epoka e re”: Për këtë marrëveshje ka pasur edhe kritika që kanë pasur të bëjnë me lëshimet që i ka bërë Kosova në raport me Serbinë. Si i keni parë këto kritika?
Tahiri: Kritikat ndaj kësaj marrëveshje nuk po i shoh. Pra, ato nuk po dua t’i shoh. Unë e kam lexuar dokumentin me njohurinë time. Aty të njeh Izraeli, duke e hapur ambasadën në Jerusalem. Mendoj se Kosova me këtë njohje fiton, nëse nuk e humbet Turqinë. Ashtu siç tha presidenti, besoj se Turqia do të na kuptojë nevojën tonë për ta na njohur Izraeli.

“Epoka e re”: Kritikat e opozitës për këtë marrëveshje kanë të bëjnë me faktin se nuk ndodhi njohja reciproke?
Tahiri: E kam parë këtë kritikë të opozitës, e cila thotë se kryeministri para takimit ka thënë se po shkon për njohje. Është fakt se nuk ndodhi njohja reciproke se, po të ndodhte, atëherë të gjithë marrëdhëniet do të rregulloheshin ndryshe. Madje njohja nuk po bëhet as në Bruksel. Synim i gjithë këtyre proceseve është njohja. Në Bruksel, në deklaratën e përbashkët të BE-së, para kryeministrit Avdullah Hotit dhe presidentit serb Aleksandër Viçiq, u tha se të gjitha bisedimet kanë për qëllim bërjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Këtë fakt unë e përkthej vetëm si njohje.

“Epoka e re”: A do të thotë kjo se kritikat e LV-së dhe të PDK-së për mospërfshirjen e njohjes në këtë marrëveshje janë joreale?
Tahiri: Politikisht ato kritika janë të drejta, mirëpo nuk janë reale. Bisedimet po zhvillohen në Bruksel, ku po thuhet se do të diskutohen të gjitha temat, por asnjë temë nuk është e përfunduar derisa të bëhet marrëveshja gjithëpërfshirëse. Pra, kritikat e opozitës janë të drejta në parim, por nuk janë reale, sepse edhe opozita po të ishte në pushtet nuk do të mund të bënte më shumë. Pajtohem me atë që thotë presidenti, se jemi vonuar në këtë drejtim. Kjo marrëveshje është dashur të bëhet më herët, por jemi vonuar për shkak të përçarjeve tona.

“Epoka e re”: Cilat do të jenë ndikimet e kësaj marrëveshje? Sa do të ndikojë kjo në procesin e Brukselit?
Tahiri: Kjo marrëveshje natyrisht se do të ketë ndikim në procesin e Brukselit. Tash edhe Brukseli duhet të konkurrojë. BE-ja nuk e njeh Kosovën si shtet, madje ende Kosovës nuk i janë liberalizuar vizat. Në këtë drejtim besoj se kjo marrëveshje do ta ketë ndikimin e vet. Amerika është përcaktuar për strategjinë e zhvillimit ekonomik. Pra, duke parë se nëse dy vendet bashkëpunojnë ekonomikisht, integrohen më lehtë në BE. Nëse hyjnë 10 miliardë dollarë investime, atëherë hapen vende pune. Në këtë mënyrë përgatiten ekonomitë e të dy shteteve për t’u integruar në BE. Me këto dakordime, marrëveshja e Uashingtonit në aspektin gjeostrategjik e largon ndikimin rus në rajon. E kemi parë se ka një përplasje mes presidenti Vuçiq dhe Rusisë. Gjithashtu, përmes asaj pikës për 5G, e largon ndikimin kinez.

“Epoka e re”: Sipas kësaj që po thoni, i bie se përmes kësaj marrëveshje Kosova është fuqizuar ndërkombëtarisht?
Tahiri: Natyrisht se shteti i Kosovës me këtë marrëveshje është fuqizuar ndërkombëtarisht. Kosova në pesë vjetët e fundit pati mbetur mbrapa sepse nuk e vizitonte askush. Pastaj, filluan të tallen zyrtarët evropianë me Kosovën. I kemi parë zyrtarët e lartë evropianë që vinin për vizitë dhe thoshin se liberalizimi i vizave nuk do të ndodhë deri në vitin 2021, ndërsa ne kemi plotësuar të gjitha kriteret. Institucionet e BE-së, vendet anëtare, nuk bëjnë asgjë për të biseduar me pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën. Me këtë marrëveshje besoj se ShBA-ja fuqimisht po kthehet në raport me Kosovën. Në këtë aspekt, për mua është më e rëndësishme që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara sesa të na njohë Serbia.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetarja e Parlamentit të kantonit të Luzernit, Ylfete Fanaj, e…