36 raste me fruth në dy muaj, IKShPK-ja apelon për vaksinimin e fëmijëve
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë me dije se gjatë dy muajve të fundit janë evidentuar 36 raste të fruthit në vend.
Sipas të dhënave të institutit, rastet janë regjistruar në disa komuna të Kosovës, me numrin më të madh në Ferizaj dhe Prishtinë.
Të prekur nga fruthi janë raportuar gjithashtu qytetarë në Kaçanik, Fushë-Kosovë, Lipjan, Obiliq, Vushtrri, Gjilan, Shtime dhe Deçan.
Autoritetet shëndetësore kanë kërkuar nga qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar ndaj simptomave karakteristike të sëmundjes, si temperatura e lartë, skuqja në lëkurë, kollitja, rrufa dhe inflamacioni i syve, duke u paraqitur sa më shpejt në institucionet shëndetësore për kontroll dhe trajtim.
IKShPK-ja ka ritheksuar se fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse dhe se vaksinimi mbetet mbrojtja më efikase kundër përhapjes së tij. Për këtë arsye, prindërit dhe kujdestarët janë ftuar të kontrollojnë nëse fëmijët i kanë marrë vaksinat sipas kalendarit të imunizimit dhe, në rast nevoje, të drejtohen në qendrat e mjekësisë familjare.



