Doli nga shtypi libri “Besimi islam shtyllat dhe veçoritë” i Myftiut Naim ef. Tërnava

04 dhjetor 2020 | 11:18

Ka dalë nga shtypi libri “Besimi islam shtyllat dhe veçoritë” i myftiut të Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava.

Që në fillim të librit autori thekson se për të shkruar në shkencën Apolegjetikës islame, duhet një përkushtim dhe vendosmëri të madhe e veçanërisht kur kihet parasysh se gati i tërë brumi i kësaj shkence kë të bëjë me Kuranin dhe Sunetin.

Ky libër fillon me kushtin e parë të besimit në Zotin, xh.sh., dhe hap shtegun e njohurive të tjera për fenë në përgjithësi. Pra, edhe ky libër shtjellon parimet kryesore të kushteve të imanit (besimit), dhe merret me problematikat thelbësore gjithëpërfshirëse të këtyre kushteve të besimit.

I tërë materiali i këtij libri ka vetëm këtë qëllim: besimin dhe adhurimin e drejtë në Krijuesin e vetëm të këtij universi, me gjithë çfarë ka në të dhe përtej tij.

Gjatë leximit të këtij libri lexuesi do të shohë se Allahu, xh.sh., në shumë vende në Kuran na urdhëron që ta besojmë Allahun Një, dhe të largohemi nga besimet e devijuara, besimet politeiste në shumë zota. Pra, Allahu, xh.sh., vazhdimisht na e bën me dije se Ai është Një, dhe se nuk ka tjetër si Ai.

Kurani na mëson edhe mënyrën e besimit në Allahun, xh.sh., adhurimin e Tij, përmes veçorive që ia ka dhuruar njeriut për dallim nga krijesat e tjera. I Lartmadhërishmi na bën me dije se çdo gjë në këtë gjithësi flet se Allahu, xh.sh., është Një dhe Krijuesi i çdo gjëje.

Gjithë këto argumente në këtë gjithësi, si në qiej e Tokë, flasin për Madhërinë e Tij. Allahu, xh.sh., thotë: “Ne do t’ua bëjmë atyre të mundshme që t’i shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre, derisa t’u bëhet e qartë se ai (Kurani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është Dëshmitar për çdo gjë?!” (Fussilet: 53).

Image preview

Autori më pas shtjellon kushtet e tjera të besimit si: besimi në engjëj, besimi në librat e shpallur prej Allahut, xh.sh, besimi në të dërguarit e Allahut, xh.sh, besimi në Ditën e Fundit, në Ditën e Kiametit, Besimi në Kadanë dhe Kaderin. Besimi në emrat dhe cilësitë e Zotit është çështje tjetër me të cilën merret ky libër. Është një kapitull i tërë ku janë shpjeguar kriteret që kanë të bëjnë me kuptimin dhe interpretimin fetar të emrave dhe cilësive të Allahut, bashkë me shpjegimin veç e veç për emrat.

Ky libër është punuar i pandikuar nga mendimet e ndryshme të dijetarëve dhe fraksioneve të ndryshme. Ky libër është punuar në frymën e drejtimit të Ehli Sunetit vel Xhematit, më saktësisht të shkollës apo doktrinës akaidologjike, dhe është bazuar në mendimet e Imam Maturidiut dhe të dy bashkëkohësve të tij, Eshariut dhe Tahaviut, të cilët, pra Maturidiu dhe Eshariu ndonëse jetuan po thuajse në të njëjtën kohë, kurrë nuk u takuan dhe as që ditën për mësimet e njëri-tjetrit.

Libri ka dy vëllime me 14 kapituj. Librin mund ta gjeni në të gjitha zyrat e këshillave të Bashkësisë Islame të Kosovës gjithandej komunave si dhe në Librarinë “Dituria Islame” në ndërtesën e Kryesisë së BIRK-ut.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-futbollisti i njohur i gjeneratës së artë të Prishtinës në…