400 mijë qytetarë protestojnë në Pragë – Çekët duan t’i financojnë vetë mediat publike, jo t’ia lënë në dorë qeverisë
Mijëra qytetarë janë mbledhur në qendër të Pragës për të protestuar kundër planeve të Qeverisë çeke për heqjen e taksës së licencës dhe financimin e mediave publike përmes buxhetit të shtetit.
Kundërshtarët e këtij propozimi paralajmërojnë se ndryshimet mund t’u mundësojnë politikanëve të ndikojnë në lirinë dhe pavarësinë editoriale të mediave.
Qeveria e koalicionit, e përbërë nga partia populiste ANO dhe dy parti të djathta euroskeptike, këmbëngul se ndryshimi nuk do të ndikojë në pavarësinë editoriale, por synon që transmetuesit publikë të ulin shpenzimet.
Parlamenti e ka miratuar leximin e parë të projektligjit në fund të muajit të kaluar, ndërsa prej atëherë mijëra qytetarë kanë marrë pjesë në protesta.
Aktualisht, familjet çeke paguajnë 205 koruna (rreth 9.44 dollarë) në muaj për televizionin dhe radion. Protesta e së dielës u organizua nga shoqata “Million Moments for Democracy”, e cila tha se në të morën pjesë rreth 400 mijë persona.
“E di se i gjithë Televizioni Çek është garanci e së vërtetës dhe objektivitetit. Nëse nuk kemi televizion dhe radio publike, atëherë fatkeqësisht nuk do të mund t’i besojmë më asgjëje”, tha për Reuters pensionistja 72-vjeçare, Milana Rudolfova.
Ndërkohë, kryeministri Andrej Babis ka mohuar se qeveria synon të kontrollojë mediat publike.
“Askush nuk dëshiron t’i kontrollojë mediat publike, askush nuk dëshiron t’u diktojë se çfarë duhet të thonë dhe të bëjnë, dhe askush nuk dëshiron t’i shtetëzojë ato”, deklaroi Babis për Agjencinë Çeke të Lajmeve.
Ai shtoi se sistemi aktual i financimit është i vjetruar dhe se shumë vende evropiane po kalojnë në modele të tjera.
Franca e hoqi taksën e licencës në vitin 2022, ndërsa mediat e saj publike financohen përmes një pjese të të hyrave nga TVSH-ja. Norvegjia e hoqi këtë taksë në vitin 2020 dhe financimin e transmetuesit publik e kaloi në buxhetin kombëtar.
Kundërshtarët e projektligjit kanë krahasuar ndryshimet e propozuara me ato të ndërmarra në Hungari gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Viktor Orbán, kur mediat shtetërore ishin nën kontroll të fortë politik.
Edhe organizata ndërkombëtare për lirinë e shtypit, Reporterët pa Kufij, ka kritikuar sulmet politike ndaj mediave në Çeki. Drejtori i zyrës së saj në Pragë, Pavol Szalai, kishte deklaruar në qershor se sulmet politike ndaj mediave private dhe publike janë bërë një nga karakteristikat e qeverisjes së Andrej Babisit.



