5 milionë euro për të kompensuar ish-të burgosurit politikë

26 nëntor 21:41

Më shumë se pesë milionë euro është buxheti i ndarë për vitin e ardhshëm, për të kompensuar ish-të burgosurit politikë.

Këtë e ka bërë me dije ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica.

Ai ka treguar se gjithë buxheti i vitit 2019 për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale është 465 milionë euro. Vetëm për pensione të veteraneve do të ndahen 60 milionë, 2 milionë më shumë se vitin 2018.

“Për pensionet e invalidëve të luftës do të ndahen 39 milionë euro”, ka thënë Reçica në “Puls” të “KTV”-së.

Reçica ka folur edhe për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. “Kanë aplikuar 800 persona, rreth 145 personave u është njohur statusi i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit”, ka thënë Reçica.

Ministri i Punës ka folur edhe për numrin e madh të vdekjeve në vendin e punës, sidomos në sektorin e ndërtimtarisë.

“Vetëm gjatë muajit nëntor i kemi mbyllur mbi 100 punishte në sektorin e ndërtimtarisë. Kemi rritur numrin e inspektimeve dhe nuk kanë bërë punë. Kemi provuar që me fushata të rrisim vetëdijen”, ka thënë ai. “Vetëm gjatë këtij viti deri më tash kanë vdekur 20 punëtorë, shumica prej tyre në sektorin e ndërtimtarisë”, ka shtuar më pas.

Por deputetja nga Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, Fatmire Mullhaxha Kollçaku ka shprehur bindjen se shteti nuk po bën asgjë për mbrojtjen e punëtorëve në sektorin privat.

“Shumica janë pa kontrata, kemi numër të madh të punëtorëve që kanë vdekur ne vendin e punës dhe nuk shohim që ndonjë kompani është dënuar”, ka thënë ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismail Syla Paradokse shqiptare 1. Pas mbledhjes së dy qeverive,…