Lufta vazhdon

21 nëntor 2026 | 17:55

Lufta nuk bëhet vetëm me armë. Lufta pa armë është më e vështirë se ajo me armë. Dhe këtu qëndron një nga çështjet më të rëndësishme të filozofisë së luftës. Prandaj duhet ta kemi të qartë se lufta nuk përfundon me heshtjen e armëve. Ajo vetëm ndryshon formën, mjetet dhe fushëbetejën.

Dhe këtë e themi sepse lufta me armë ka kundërshtarin, pozicionet, objektivat, komandimin dhe veprimin e drejtpërdrejtë. Ndërsa lufta pa armë kërkon forma të tjera përballjeje: Ajo është luftë politike: për mbrojtjen e interesave dhe të drejtave kombëtare; luftë diplomatike: për sigurimin e mbështetjes dhe të aleancave; luftë juridike: për drejtësi dhe mbrojtjen e së vërtetës përmes provave dhe argumenteve; luftëhistorike: për dokumentimin dhe ruajtjen e kujtesës; luftëintelektuale: për të kundërshtuar shtrembërimin, manipulimin dhe falsifikimin e historisë; si dhe luftë morale: për të mos lejuar që sakrifica, dinjiteti dhe idealet të humbasin kuptimin.

Ka edhe një vështirësi të veçantë: në luftën me armë armiku zakonisht është i dukshëm; në luftën pa armë kundërshtimi mund të zhvillohet përmes institucioneve, dokumenteve, interpretimeve dhe ndikimeve të ndryshme. Prandaj edhe më duhet të them se: Lufta me armë kërkon guximin për të përballuar armikun. Lufta pa armë kërkon guximin, dijen, durimin dhe qëndrueshmërinë për të mbrojtur atë për të cilën ke luftuar. Në këtë luftë ne shqiptarët jemi aktualisht.

Por megjithatë duhet theksuar se: Lufta për Kosovën, për lirinë, drejtësinë dhe të vërtetën nuk është pronë e askujt. Ajo është përgjegjësi e brezave. Dhe si e tillë merr vlera të përhershme e duhet të zhvillohet dhe mbrohet nga të gjithë, ata që ndjehen shqiptarë e kanë gatishmërinë të sakrifikojnë për atdheun, kombin e popullin të cilit i përkasim. Modelin e qëndrestarëve sot e kemi në Hagë, ku po zhvillohet lufta finale për të mbrojtur vlerat kombëtare shqiptare.

Kemi provuar se në luftën e armatosur, zakonisht e di nga të vjen goditja. Në luftën pa armë, goditja mund të vijë edhe nga dikush që e konsiderojmë mik, aleat apo bashkëpunëtor. Dhe kjo ndodh sepse në këtë lloj përballje: Interesat mund të fshihen pas miqësisë; Presioni mund të ushtrohet përmes aleatëve; Kundërshtimi mund të paraqitet si këshillë miqësore; Një vendim i mikut mund të prodhojë pasoja të njëjta me një veprim të kundërshtarit; E vërteta mund të dëmtohet edhe nga ata që pretendojnë se po e mbrojnë. Dhe kjo na ndodhi realisht me krijimin e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë.

Por këtu duhet bërë një dallim: jo çdo veprim i dëmshëm i mikut është domosdoshmërisht veprim i armikut. Unë jam i bindur se miqtë tanë kanë gabuar pa dashje. Por që nuk po e shohin veten në pasqyrë e të bëjnë korrigjimin e nevojshëm. Këtë nuk po e kuptoj.

Pasi unë e kam të qartë dhe kam bindje se: Në luftën me armë armiku të godet përballë; në luftën pa armë mund të tëgodasë edhe me dorën e mikut. Prandaj, në këtë luftë, vigjilenca dhe aftësia për të dalluar interesin nga miqësia janë po aq të rëndësishme sa guximi.

​Kosova e krijoi gjykatën speciale në Hagë se miqtë tanëSHBA-të dhe BE, Franca, Anglia, Gjermania etj. thane: Ne do tëjemi aty. Ajo gjykatë ka për të bërë drejtësi. Dhe gjykata u krijua, për të bërë politikë në interes të armikut tonë. Ndërsa miqtë nuk qenë aty për të bërë drejtësi. Ata në një mënyrë duhet të vihen përballë vetes e të shikojnë çfarë kanë bërë. Kosova kërkoi veç drejtësi, jo mbrojtje. Por po i jepen goditje atje ku nuk bën të jepen goditje. Po i goditet historia, po i goditen vlerat, po i goditet shteti, po i goditet liria, po i goditen plagët e një shekulli, po i goditet lufta për liri dhe ushtria që e çliroj. Pra po bëhet politikë për interesat e armikut tonë, me lejen e miqve tanë, duke u marrë peng edhe jetën luftëtarëve veç pse nuk janë vrarë në luftë.

Pra, do të kërkoja të shikohet përtej vlerësimit të Gjykatës Speciale. Të shikohet dhe të trajtohet përgjegjësia politike dhe morale e atyre shteteve që ndikuan në krijimin e saj dhe që, sipas pritshmërive të Kosovës, do të duhej të garantonin drejtësinë.

E këtu duhet të trajtohen:

1. Besimi: Kosova e pranoi krijimin e një institucioni gjyqësor në Hagë në një kontekst të fortë të mbështetjes dhe garancive të partnerëve ndërkombëtarë;

2. Pritshmëria: Qytetarët dhe institucionet e Kosovës kishin arsye të prisnin që ky institucion të vepronte mbi bazën e drejtësisë, paanshmërisë dhe standardeve të barabarta;

3. Përgjegjësia: Nëse rezultatet dhe veprimtaria e institucionit kanë prodhuar pasoja që bien ndesh me ato pritshmëri, atëherë shtetet që mbështetën krijimin e tij duhet të përballen politikisht dhe moralisht me përgjegjësinë e tyre.

Sepse Institucionet ndërkombëtare kanë deklaruar se Gjykata Speciale është e pavarur dhe se ka mandat të japë drejtësi. Kjo është ajo që përcakton kuadri i saj zyrtar. Po kuadri i saj real kur do të vlerësohet dhe nga kush?

Sepse pavarësia e deklaruar nuk e përjashton shqyrtimin kritik të mënyrës se si është zbatuar mandati. As mbështetja ndërkombëtare nuk i përjashton shtetet mbështetëse nga përgjegjësia politike për vendimet dhe pasojat e procesit që ndihmuan të krijohej.

Prandaj edhe unë kam të drejtë ta shtroja kështu çështjen: A mund t’i kërkohet Kosovës të marrë përgjegjësinë për krijimin e një institucioni, ndërsa shtetet që e mbështetën krijimin dhe funksionimin e tij të mos mbajnë asnjë përgjegjësi politike e morale për atë që ky institucion prodhon?

Dhe nuk kërkoj që qeveritë t’u diktojnë vendime gjyqtarëve. Po ato duhet të jenë të gatshme të përballen me pyetje, kritika dhe kërkesa për llogaridhënie. Dhe me të drejtë përsëri them: Miqtë tanë duhet të vihen përballë vetes dhe të shikojnë se çfarë kanë bërë. E kjo është thirrje për vetëllogaripolitike dhe morale, jo kërkesë për ndërhyrje në drejtësi.

​Vendimi i 16 shtatorit 2026 në Gjykatën e Hagës ishte një monstër politike e veshur me kostum drejtësie. Pamja më e shëmtuar e gjykimit të kësaj kohe që ia ka kaluar edhe gjykimit të gjykatave naziste.

​Por vendimi i 17 nëntorit 2026 tregoi edhe njëherë se në këtë gjykatë ka një program politik të cilit nuk duhet t’i lëvizë e ashtuquajtura drejtësi e Kosovës në Hagë.

​Dhe kjo na shkakton dhimbje për atë çfarë po ndodhë me burrat tanë në Hagë, të cilëve u është marrë jeta peng si ato pengjet në perëndimin e largët të Amerikës së viteve 1700.

Por askush nuk duhet të mendojë se mund të kthej pas historinë. Askush nuk duhet të mendojë se mund të na përdhosë historinë, luftën dhe lavdinë tonë. Askush nuk duhet të mendojë se mund të na i grabisë fitoret. Maksimumi mund të na grabiten ndonjë grusht burrash si këta që janë marrë aktualisht peng.

​Ne ndjejmë dhimbje për jetën e tyre, por jo për vlerën e tyre. Me vlerën e tyre ne jemi krenar, me madhështinë e tyre ne lartësohemi.

​Secili prej tyre dje në luftën me armë ka qenë i bindur se edhe nëse do të binte në frontin e luftës, lufta do të vazhdonte edhe pas tij. A mendon dikush nga armiqtë tanë a ndoshta edhe mbështetësit e tyre e miqtë e hutuar, se mund të na merret peng historia dhe krenaria siç na janë marrë peng një grusht burrash? E kanë gabim, shumë gabim. Ne shqiptarët kemi burra e gra, djem e vajza, të rinj e të reja, që ashtu si ata pengjet e sotme në Hagë në të djeshmen e tyre, të marrin armët dhe të bëhen më të zotë se ata.

​Prandaj duhet të themi se na dhimbsen ata burrat, na dhemb shpirti për jetën e tyre. Por meqenëse lufta vazhdon, le të bien edhe ata, se lufta do të vazhdojë edhe pas tyre.

Atë pyetjen që e kemi bërë dje në luftë: Nëse unë bie, ju a nuk do ta vazhdoni luftën pas meje? Duhet ta kuptojmë mirë se është funksionale edhe sot, si në planin njerëzor, në planin moral, në planin atdhetar, në planin psikologjik, në planin ushtarak dhe filozofik. Ajo nuk është thjesht një pyetje për vazhdimin e luftës pas humbjes së një njeriu apo të një grushti luftëtarësh. Është një pyetje për qëndrueshmërinë e një kauze, për besnikërinë ndaj saj dhe për aftësinë e njerëzve për të vazhduar një mision edhe kur humbin udhëheqësin. Dhe për këtë ne kemi dhënë prova. Keq për armiqtë tanë e miqtë e tyre që harrojnë.

Ndër shqiptarët nuk zë vend frika se mos gjithçka përfundon me një njeri, sepse sakrifica gjithnjë ka pasur e do të ketë vazhdimësi, se shqiptarët gjithnjë besojnë në atë për të cilën kanë luftuar e luftojnë, sepse pavarësisht nga rëniet në beteja përherë do të mbetet gjallë misioni edhe kur të mos jetë më gjallë njeriu që e udhëheq. Sepse kauza është më e madhe se individi, pasi një luftë çlirimtare nuk mund të jetë pronë e një individi, e një komandanti, e një grupi apo e një organizate të caktuar. Ajo mbështetet në një qëllim kolektiv. Prandaj edhe kauza është bindje e të gjithë atyre që kanë luftuar e luftojnë, bindje e të gjithë shqiptarëve në trojet e tyre.

Ndoshta armiqtë e miqtë e tyre shkojnë me mendimin se duke marrë peng disa komandantë e jetën e tyre, do të na ndërpresin vazhdimësinë e komandimit. Prandaj unë do t’i qetësoj duke u thënë përsëri jeni mashtruar, sepse shqiptarët i ndërtojnë të tilla strukturat e udhëheqjes e të komandimit të luftës dhe të qëndresës, që të jenë të afta të vazhdojnë detyrën edhe nëse humbet komandantin, sepse gjithnjë kemi qartësi të misionit dhe të objektivave, kemi përgatitje të udhëheqësve pasues, dimë t’i ndajmë përgjegjësitë dhe kompetencat, dimë të ndërtojmë disiplinën dhe kohezionin, dimë të ndërtojmë besim të ndërsjellë, si dhe dimë të arrijmë përvetësimin e qëllimit nga të gjithë luftëtarët e ushtrisë e në vazhdimësinë e breznive.

Ne i duam dhe i nderojmë komandantët, por nuk vajtojmë për komandantët. Sepse ne e duam dhe e nderojmë udhëheqësin, por jemi të lidhur me misionin.

Prandaj nëse një njeri bie, ata që mbeten nuk trashëgojnë vetëm kujtimin e tij. Ata trashëgojnë edhe përgjegjësinë për të mos e braktisur qëllimin e përbashkët. Sepse kështu ne ruajmë edhe qëllimin e vlerat e udhëheqësit, kur ai nuk është më.

Prandaj dua të sqaroj se asnjëri prej atyre burrave që janë peng në Hagë, nuk ka menduar se pas lufte do të jetë gjallë. Secili prej tyre ka menduar si të kryej detyrën deri kur të ndeshet me plumbin. Dhe këtë e them me bindje, pasi përveç që i njoh mirë edhe e kemi menduar e biseduar këtë që në atë kohë të zjarrtë lufte. Pasi e kemi njohur që të atë kohë kuptimin filozofik të luftës se: individi është i përkohshëm, misioni mund e duhet të jetë i përhershëm.

E kemi ditur se njeriu ka një jetë të kufizuar. Ndërsa një mision historik mund e duhet të zgjasë përtej jetës së tij.

Pra komandanti mund të bjerë, por misioni nuk duhet të bjerë bashkë me të; udhëheqësi mund të largohet, por përgjegjësia nuk duhet të largohet me të; një brez mund të sakrifikohet, por qëllimi për të cilin është angazhuar nuk duhet të humbasë; autoriteti personal është i përkohshëm, ndërsa ndërgjegjja kolektive mund të jetë e qëndrueshme. Kjo është filozofia e kauzës, të cilën të gjithë luftëtarët e UÇK-se e kanë pasur dhe e kanë shumë të qartë.

Në asnjë çast gjatë luftës udhëheqësit dhe komandantët e radhëve të UÇK-së nuk kanë menduar a do të përfundojë lufta që të sundojmë. Por kanë pasur shqetësimin për kauzën: A do të vazhdojë lufta që të arrihet ajo për të cilën po luftojmë? Ata janë shqetësuar për njerëzit: A do të kenë ata forcën, besimin dhe vendosmërinë për të vazhduar? Janë shqetësuar për trashëgiminë: A kam arritur të ndërtoj diçka që nuk varet vetëm nga unë?

Sepse ata ishin komandantë. E komandantët e vërtetë nuk synojnë që njerëzit të mos munden të vazhdojnë pa të. Atakrijuan kushtet që ata të dinë, të munden dhe të kenë vullnetin për të vazhduar edhe kur ata të mos jenë më. Pasi ata e kishin përvetësuar filozofinë e komandimit.

Ndërsa armiqtë tanë dhe miqtë e tyre përfshi edhe gjykatën e quajtur e Kosovës në Hagë, i tmerron aq shumë portreti i komandantëve tanë të luftës që i kanë marrë peng në Hagë, sa që nga frika se mos dalin, duket sikur kërkojnë mundësi për t’i dënuar edhe për ritmin e frymëmarrjes a ritmin e rrahjeve të zemrës. Kjo u pa në gjykimin plus të Hashim Thaçit më 17 nëntor 2026.

Çfarë nuk pritet nga monstrat.

​Prandaj duhet kuptuar mirë se luftëtarët nuk e kanë bërë luftën për çlirimin e atdheut aksidentalisht. Secili prej atyre burrave të marrë peng në Hagë, ashtu si të gjithë komandantët e luftëtarët e UÇK-së, edhe sot e përjetësisht kanë shqetësimin e një njeriu për fatin e atdheut, për lirinë e tij dhe për vazhdimësinë e përpjekjes kombëtare, edhe nëse ai vetë nuk do të jetë më gjallë apo i marrë peng nga të fortit, siç po ndodh aktualisht. Sepse ata e kanë kuptuar mirë dhe e kanë mishëruar lidhjen e njeriut me atdheun dhe me përgjegjësinë që ndiejnëndaj tij. Pasi të gjithë e dimë dhe jemi të vetëdijshëm se jeta e individit është e përkohshme, ndërsa atdheu, populli dhe e drejta për liri janë më të mëdha se jeta e një njeriu a e një grusht burrash. Se këta burra e dinë mirë se çlirimi dhe liria nuk janë çështje që i përkasin vetëm atyre që i kanë filluar përpjekjet. Ato janë trashëgimi dhe përgjegjësi kombëtare. Prandaj, marrja peng e disa burrave luftëtarë e komandantë nuk duhet të nënkuptojë përfundimin e përgjegjësisë së të tjerëve ndaj atdheut. Shihet kjo edhe sot kur të gjithë shqiptarët janë regjistruar UÇK.

Ata burrat e marrë peng dhe të gjithë luftëtarët e dinë mirë se nuk jemi të vetmit bartës të idealit atdhetar, nuk jemi pronar të tij. Ideali kombëtar është ndërgjegje kolektive. Prandaj me marrje burrash luftëtarë peng nuk na ligështojnë armiqtë dhe ndihmëtarët e tyre. Sepse ne kemi të qartë se dashuria për atdheun, dëshira për liri dhe përgjegjësia kombëtare janë pjesë e jetës së të gjithë shqiptarëve të rreshtuar në UÇK. E kjo ushtri nuk ligështohet me rënie luftëtarësh, veç forcohet dhe merr vrull për beteja të reja.

Lufta vazhdon, shqiptarët e dinë mirë këtë. Betejat veç i forcojnë.

Prof. Dr. Kudusi Lama gjeneral në pension

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Vizita katërditore e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi,…