60-shja e PDK-së, Besa Ismaili: Bedri Hamza po bashkon energjinë dhe vizionin për Kosovën
Kandidatja për deputete e PDK-së, Besa Ismaili, ka vlerësuar takimin e mbajtur në Mitrovicë me kandidatin për kryeministër, Bedri Hamza, duke thënë se nga ky tubim u dha një mesazh i fuqishëm për unitet dhe përkushtim ndaj vizionit për Kosovën.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, Ismaili tha se ish-kryetari i Mitrovicës dhe kryetari i PDK-së arriti të bashkojë rreth vetes themelues, ish-veprimtarë dhe të rinj, të cilët i cilësoi si njerëz të përkushtuar dhe besnikë ndaj idealeve demokratike.
“Sot morëm një mesazh të fuqishëm nga kandidati për kryeministër, Bedri Hamza. Ish-kryetari i Mitrovicës dhe kryetari i PDK-së bashkoi rreth vetes themelues, ish-veprimtarë dhe rininë”, ka shkruar Ismaili.
Ajo shtoi se Mitrovica gjithmonë ka ditur të qëndrojë në anën e vlerave, punës dhe përgjegjësisë, duke shprehur optimizëm për rrugëtimin politik të PDK-së në zgjedhjet e 7 qershorit.
“Na priftë e mbara në këtë rrugëtim, me vullnet të mirë, energji të re dhe synime të drejta për qytetarët dhe shtetin tonë”, përfundoi Ismaili.



