70 për qind e familjeve në Shqipëri janë të përjashtuara nga ndihma ekonomike

04 mars 17:11

Banka Botërore (BE) ka njoftuar se 70 për qind e familjeve më të varfra në Shqipëri janë të përjashtuara nga ndihma ekonomike.

Të dhënat janë bërë publike në një raport auditimi mbi projektin e modernizimit të asistencës sociale.

Raporti ka analizuar familjet që përbëjnë 10 përqindëshin më të varfër të popullsisë ose 75 mijë familjet më të varfra të vendit.

Sipas tij, vetëm një e treta e tyre janë të mbuluara nga ndihma ekonomike, ndërsa pjesa tjetër jo.

Kjo do të thotë se, nga 75 mijë familjet më të varfra të Shqipërisë, vetëm 22 mijë prej tyre marrin ndihmë ekonomike, ndërkohë që 53 mijë familje të tjera nuk përfitojnë.

Skema e ndihmës ekonomike në Shqipëri ka qenë historikisht e denatyruar, duke mos shkuar te më të varfrit. Në vitin 2012, qeveria e atëhershme dhe Banka Botërore nisën një program të posaçëm për modernizmin e skemës. Programi, i cili përfundon në dhjetor të këtij viti, parashikon një sistem të ri për përcaktimin e familjeve që trajtohen me ndihmë.

Në dy muajt e parë të këtij viti, përmes këtij sistemi, qeveria shqiptare ka hequr ndihmën ekonomike për mbi 20 mijë familje. Por, kjo ka shkaktuar përplasje të forta politike.

Opozita ka akuzuar Qeverinë se po përjashton nga ndihma familjet që jetojnë në mjerim, ndërkohë që rrit shpenzimet për luksin e zyrtarëve. (TCh)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisionari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johannes Hahn, ka…