Punëtorët e “Infrakos”-it protestojnë për paga, paralajmërojnë grevë të përgjithshme
Punëtorët e Ndërmarrjes Publike “Infrakos” kanë protestuar të hënën para Stacionit Hekurudhor në Fushë-Kosovë, duke kërkuar indeksimin e pagave.
Ata kanë paralajmëruar grevë të përgjithshme nëse bordi i ndërmarrjes nuk u përgjigjet kërkesave të tyre.
Kryetari i Sindikatës së “Infrakos”-it, Hysen Nikqi, tha se protesta është organizuar për shkak të mosindeksimit të pagave dhe mungesës së rezultateve nga takimet me drejtuesit e ndërmarrjes dhe bordin.
Sipas tij, takimi me kryeshefin, i mbajtur më 4 korrik, si dhe bisedimet me bordin nuk kanë sjellë zgjidhje konkrete.
Nikqi theksoi se rritja e pagës minimale ka ndikuar te një pjesë e punëtorëve, por ka shtuar pakënaqësitë te të tjerët, pasi pagat nuk pasqyrojnë përgjegjësitë e tyre në punë.
Ai bëri me dije se rreth 147 punëtorë kanë përfituar nga rritja e pagës minimale, ndërsa rreth 50 të tjerë vazhdojnë të jenë të pakënaqur me pagat në raport me përgjegjësitë që kanë.
Protesta ishte paralajmëruar të zgjaste një orë, gjatë së cilës do të ndërpritej edhe qarkullimi i trenit në linjën Prishtinë – Pejë.
Nikqi paralajmëroi se nëse bordi nuk merr vendim konkret, sindikata do të ndërmarrë veprime të tjera deri në grevë të përgjithshme në tërë territorin e Kosovës.
Ndërkaq, punëtori i “Infrakos”-it, Halim Behrami, tha se, përveç pagave, shqetësim për punëtorët mbetet edhe siguria në vendin e punës. Ai theksoi se pozitat që kërkojnë kualifikim dhe përgjegjësi të larta nuk po vlerësohen në mënyrë të përshtatshme përmes pagave.



