Libri që meriton vend në çdo bibliotekë evropiane!

26 tetor 2026 | 10:44

Shkruan: Astrit Gashi 

Në zemër të Shkupit mbi truallin ku lindi shenjtorja e kombit, Nënë Tereza, dhe përballë shtatores monumentale të Aleksandrit të Madh në Sheshin “Makedonia” sot kisha nderin të pranoj librin “Lëvizja revolucionaro-kombëtare shqiptare dhe maqedonase në rrjetet e diplomacisë sovjetike (1922-1928)” të autorit Mehmet Prishtina.

Në këtë vatër stërgjyshore ku frymon historia e vetë Hasan Prishtinës dhe e ideologëve tanë të mëdhenj, ky takimi me librin merr përmasën e një amaneti kombëtar.

Ky liber na kujton se përpjekja për liri, dinjitet dhe vetëvendosje është në vetë ADN-në tonë kombëtare si një trashëgimi genetikisht e mbjellë te çdo brez që nuk pranoi t’u nënshtrohet pazareve të huaja.

Në vorbullën e diplomacisë ndërkombëtare të viteve 1922–1928, fatet e lëvizjeve kombëtare shqiptare dhe maqedonase u kryqëzuan në mënyrë fatale me rrjetet e fshehta të Kominternit dhe ambiciet gjeopolitike të Bashkimit Sovjetik.

Vepra e autorit Mehmet Prishtina depërton guximshëm pas dyerve të mbyllura të arkivave, duke zbërthyer me një saktësi të ftohtë shkencore mënyrën se si fuqitë e mëdha operuan në kurriz të popujve të Ballkanit.

Në themel të këtij studimi voluminoz shtrihet analiza e strukturave të huaja dhe reagimi i organizatave tona revolucionare, të cilat u gjendën midis çekiçit dhe kundanit të interesave gjeopolitike.

Përmes pesë pjesëve të saj, vepra trajton spektrin e plotë të politikës së jashtme sovjetike, rolin e Qendrës së Vjenës dhe ndikimin e tyre direkt në lëvizjet e kohës.

Analiza shtrihet te pasojat e Konferencës së Paqes së Parisit, ku parimi i vetëvendosjes u shkel hapur nga arkitektura e sistemit të Versajës, duke lënë hapësirë që Moska të kapitalizojë pakënaqësitë popullore.

Një nga pikat më dramatike të trajtuara në libër mbetet saga e negociatave të fshehta midis udhëheqjes së VMRO-së dhe BRSS-së, si dhe përpjekja titanike por tragjike e qeverisë së Fan Nolit në vitin 1924 për të vendosur marrëdhënie diplomatike me sovjetikët, një lëvizje që i kushtoi kreut të ekzekutivit shqiptar vdekjen e tij politike.

Gota e këtij udhëtimi analitik mbushet me dokumentimin e bashkëpunimit ndërmjet Komitetit të Kosovës dhe VMRO -së, si dhe përpjekjet për të inkuadruar shqiptarët dhe maqedonasit në një front të përbashkët revolucionar ballkanik nën kujdesin e Kominternit.

Mbështetur mbi burime primare të pakundërshtueshme nga korrespondencat drejtuar Leninit te letra e Hasan Prishtinës dërguar Presidentit Woodrow Wilson, si dhe dokumentet arkivore që dëshmojnë përpjekjet e hershme të strukturave komuniste kjo vepër mbetet një faktografike deshmon për historiografinë tonë.

Ky libër është një botim akademik, një udhërrëfyes si ADN-ja jone kombëtare përballë stuhive të historisë. Për guximin e trajtimit, thyerjen e tabuve dhe pasurinë e jashtëzakonshme dokumentare, ky libër duhet të lexohet nga çdo shqiptar dhe të ndriçojë patjetër çdo bibliotekë universitare, akademike dhe kombëtare në mbarë Evropën! Ftojë të gjithë miqet kudo në Europë të punojnë në këtë drejtim!
Faleminderit Mehmet Prishtina për librin dhe kohën që ndamë në ketë ditë vjeshte në shtepinë tonë Shkupin e Hasan Prishtinës!

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka bërë thirrje Qeverisë…