Masat tregtare të presidentit Trump tronditën tregjet globale
Shkruan: Nazmi Jusufi, auditor i certifikuar dhe ekspert i financave publike
Tensionet tregtare të shkaktuara nga masat proteksioniste të ndërmarra nga presidenti amerikan Donald Trump kanë shkaktuar tronditje të mëdha në tregjet financiare ndërkombëtare. Vendosja e tarifave të reja ndaj importeve nga 185 vende ka ngritur shqetësime të thella për stabilitetin ekonomik global dhe ka shkaktuar rënie të ndjeshme në bursat kryesore botërore.
Më 2 prill 2025, administrata Trump shpalli një paketë të re të tarifave të importit me një normë fillestare prej 10%, duke përfshirë edhe aleatët strategjikë si Bashkimi Evropian dhe vendet e Azisë Lindore. Ky vendim u justifikua me synimin për të mbrojtur industrinë amerikane dhe për të balancuar deficitin tregtar të ShBA-së dhe si rezultat i gjithë këtyre masave kemi një tronditje
– Pasojat Ekonomike dhe Rreziqet e mundshme
– Rritja e kostove për konsumatorët dhe bizneset
Tarifat e reja për produktet e importuara pritet të ndikojnë në rritjen e çmimeve për konsumatorët amerikanë dhe në reduktimin e marzhit të fitimit për bizneset që varen nga zinxhiri ndërkombëtar i furnizimit.
– Ulja e besimit të investitorëve ndërkombëtarë
Politikat e paparashikueshme dhe të njëanshme të ShBA-së mund të shkaktojnë largimin e investimeve të huaja direkte dhe destabilizim të tregjeve financiare globale.
– Ndikim në rritjen ekonomike globale
Sipas vlerësimeve të Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN-së) dhe te Organizates për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD-së), përshkallëzimi i luftës tregtare mund të ulë ndjeshëm ritmet e rritjes ekonomike globale në vitet në vijim.
Rrezik për një recesion global
Nëse vendet e prekura kundërpërgjigjen me tarifa të ngjashme, do të mund të shkaktohet një cikël negativ që çon drejt recesionit ekonomik global.
Reagime dhe Kritika
Ekonomistë të njohur, si fituesi i Çmimit Nobel Paul Krugman, kanë paralajmëruar se këto masa janë të rrezikshme dhe të pakuptimta nga pikëpamja ekonomike, duke u bazuar në formula të paqëndrueshme dhe arsyetime politike. Ndërkohë, investitori miliarder Bill Ackman ka deklaruar se presidenti Trump është duke e futur SHBA-në në një “luftë bërthamore ekonomike” kundër botës. Ai ka kërkuar një pauzë 90-ditore, duke propozuar zgjidhje përmes negociatave ndërkombëtare.
Rekomandime dhe alternativa të mundshme
• Dialog dhe negociata multilaterale: Zgjidhja e konflikteve tregtare duhet të bëhet përmes dialogut në kuadër të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT).
• Diversifikimi i partnerëve tregtarë: Vendet e BE-së dhe Azisë duhet të forcojnë bashkëpunimin ekonomik ndërsjellë për të reduktuar varësinë nga SHBA.
• Mbështetja e industrive vendore përmes inovacionit dhe teknologjisë, jo me barriera tregtare.
• Stabilitet politik dhe besueshmëri institucionale si themel për një mjedis të qëndrueshëm ekonomik global.
Dhe si përmbyllje mund te them se lufta tregtare e iniciuar nga Trump po përbën një sfidë serioze për sistemin ekonomik ndërkombëtar. Ajo nuk është vetëm një çështje tarifash, por një test për arkitekturën e rendit ekonomik botëror. Në një botë të globalizuar, bashkëpunimi është çelësi për zhvillim të qëndrueshëm dhe paqe ekonomike. Veprimet unilaterale mund të sjellin përfitime afatshkurtra politike, por kanë potencialin të shkaktojnë pasoja të rënda afatgjata për ekonominë globale.



