Begaj takohet me kryediplomaten e BE-së: Shqipëria e gatshme për thellimin e reformave
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur në takim përfaqësuesen e lartë për politikën e jashtme dhe sigurinë të Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas.
Në fokus të bisedës ishin procesi i zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, ecuria e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim, si dhe roli i vendit në politikën e jashtme dhe bashkëpunimin rajonal.
Presidenti Begaj ka shprehur mirënjohje për angazhimin e institucioneve evropiane në drejtim të integrimit të rajonit dhe e cilësoi zgjerimin e BE-së si mjet gjeopolitik për sigurinë dhe stabilitetin.
Ai ka theksuar përkushtimin e Shqipërisë për të vijuar reformat, hapjen e kapitujve të mbetur brenda këtij viti dhe përmbylljen e procesit teknik deri në vitin 2027, me synimin për anëtarësim të plotë në vitin 2030.
Në takim është diskutuar gjithashtu për mbështetjen financiare të BE-së në kuadër të Planit të Rritjes, si dhe për përputhjen e qëndrimeve të Shqipërisë me politikat e sigurisë dhe mbrojtjes të unionit. Presidenti Begaj ka nënvizuar se entuziazmi i qytetarëve shqiptarë për integrimin në BE mbetet ndër më të lartët në rajon.



