Behrami i PDK-së: LV-ja iku nga votimi sepse nuk ka vota
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka publikuar një dokument, me të cilin sipas tij kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk e ka respektuar skenarin zyrtar.
Behrami ka thënë se seanca e sotme nuk ishte e Kuvendit, por seancë e udhëhequr nga LV-ja për zvarritje.
“Që në fillim u panë shenjat e bllokadës. Fillimisht tekstet e betimit sot nuk ishin vendosur para deputetëve. Pra, Kuvendi i kontrolluar nga VV-ja, ende pa filluar seanca, vendosi që të pamundësojë betimin. Z. Dehari gjatë gjithë kohës është konsultuar me deputetë të VV-së dhe jo me Sekretariatin e Kuvendit. Ndërprerja e seancës me argumentin se nuk ka pasur konsensus, nuk ka logjikë as ligjore e as politike. VV-ja nuk i ka votat as për komision, as për kryeparlamentar, as për Qeveri. VV-ja iku nga votimi, sepse nuk ka vota. Në sallë ishin 100 deputetë, me 52 komisioni do të kalonte! VV-ja po refuzon të qesë në votim edhe raportin e vet që e ka miratuar në komision”, ka shkruar Behrami në “Facebook”.



