Një i vdekur dhe një i lënduar në aksident komunikacioni në Tërstenik të Drenasit
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot rreth orës 15:00 në fshatin Terstenik të komunës së Drenasit, ku si pasojë një person ka humbur jetën dhe një tjetër është lënduar.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, bëri të ditur se në aksident kanë qenë të përfshira një motoçikletë dhe një automjet.
“Në këtë aksident kanë pësuar lëndime trupore dy personat që ndodheshin në motoçikletë, njëri prej të cilëve, A.M (mashkull), nuk ka arritur t’i përballojë plagët dhe ka ndërruar jetë. Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor në QKMF – Drenas”, ka deklaruar Ahmeti.
Ndërkohë, ngasësi i automjetit është ndaluar dhe është dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në këtë aksident fatal janë duke vazhduar.
Disa media kanë raportuar se viktima është një 24-vjeçar.



