Krasniqi: Është pranuar kërkesa e PDK-së për dorëheqjet individuale të anëtarëve të Qeverisë
19 prill 2025
| 13:39
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se gjatë takimit të Komisionit të përkohshëm është pranuar kërkesa e partisë së tij që anëtarët e Qeverisë, të zgjedhur deputetë, të dorëzojnë dorëheqje individuale.
Ai tha se kjo kërkesë është evidentuar në procesverbalin e takimit të Komisionit “që të gjithë ministrat dhe kryeministri që kanë dhënë dorëheqje individualisht”.
“Ky ndryshim na ka mundësuar që të votohet raporti”, tha ai, raporton Rel.
Anëtarët e Qeverisë, që janë zgjedhur deputetë, kanë deklaruar më herët se dorëheqjet e tyre ia kanë dorëzuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Ndërkaq, Kurti ka thënë se ekzekutivi i tij është në dorëheqje që nga 23 marsi, kur ka përfunduar mandati i plotë katërvjeçar.



