Punëtorët e ‘Pastrimit’ protestojnë të hënën

16 maj 2025 | 13:37

Sindikata “Punëtori” e kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastrimi” ka njoftuar se do të organizojë protestë më 19 maj (e hënë), në orën 10:00, përpara objektit të Komunës së Prishtinës, si reagim ndaj mungesës së përgjigjes institucionale për një sërë shqetësimesh që lidhen me trajtimin e ndërmarrjes publike dhe të punëtorëve të saj.

Në njoftimin zyrtar të sindikatës thuhet se protesta është e domosdoshme për shkak të mosreagimit të Komunës ndaj kërkesës së parashtruar më 15 maj.

Kërkesat dhe shqetësimet kryesore të sindikatës përfshijnë: diskriminim në pagesa, pasiguri në punësim, mungesë transparence, mosdorëzim i mjeteve të punës, mungesë transparence për kontrata e shqetësime për favorizim të kompanive private përkundër kapaciteteve dhe përvojës së gjatë të KRM “Pastrimi”.

Sindikata ka theksuar se “politikëbërja” dhe përplasjet institucionale po i kushtojnë punëtorëve me pasiguri dhe mundësi humbjeje të vendeve të punës”.

Në protestë, punëtorët synojnë të kërkojnë trajtim i barabartë për ndërmarrjen publike, siguri dhe dinjitet në punë për punëtorët, transparencë dhe zbatim i ligjit nga Komuna, publikim i kontratave dhe vendimeve që prekin ndërmarrjen e ndalje të qasjeve të dëmshme politike dhe institucionale ndaj punëtorëve.

Protesta do të jetë paqësore dhe synon të nxisë përgjegjësi institucionale, theksohet në fund të njoftimit.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Policia e Prishtinës kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin dhe…