Rreziku nga zjarri, Policia apelon për kujdes: Pasojat janë penale
Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë Rajonale në Ferizaj, ka lëshuar një apel të fortë ndaj qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar për të mos shkaktuar zjarre gjatë ditëve me temperatura të larta dhe kushte klimatike të thata.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë javës së fundit janë raportuar disa raste të zjarreve në komunat e Ferizajt, Shtimes dhe Hanit të Elezit, por fatmirësisht aktualisht nuk ka asnjë vatër aktive në rajon.
“Policia Rajonale e Ferizajt ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe ka angazhuar personel për menaxhimin e rasteve të zjarreve në tërë territorin e rajonit”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Apel,
KUJDES NGA ZJARRET
Ferizaj, 04 korrik 2025
Policia Rajonale e Ferizajt ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe ka angazhuar personel të mjaftueshëm për menaxhimin dhe trajtimin e rasteve të zjarreve në gjithë territorin e rajonit të Ferizajt.
Gjatë javës janë raportuar disa raste të zjarreve, përfshirë vende në komunën e Ferizajt, Shtimes dhe Hani Elezit.
Për këtë arsye, policia është duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet lokale dhe agjencitë përgjegjëse për të parandaluar dhe lokalizuar çdo rrezik potencial nga zjarret.
Aktualisht nuk ka asnjë vatër aktive të zjarrit në rajonin e Ferizajt.
Megjithatë, policia apelon tek qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë ditëve me temperatura të larta dhe erëra të thata, duke shmangur në çdo rrethanë djegien e mbeturinave, hapësirave fushore apo pyjore.
Pasojat e zjarreve mund të jenë të rënda, të pakthyeshme dhe me rrezik për jetën, mjedisin dhe pronën.
🔺 Policia do të veprojë pa kompromis ndaj çdo personi që, me dashje apo nga pakujdesia, shkakton zjarr.
Të gjithë personat që kryejnë zjarrvënie të qëllimshme ose për shkak të neglizhencës, do të përballen me masa ligjore dhe procedura penale sipas legjislacionit në fuqi.
Ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë me policinë dhe në rast se kanë informacione për persona që shkaktojnë zjarrvënie, të njoftojnë menjëherë policinë në stacionin më të afërt, ose përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”.
📞 Numrat për raportim:
192
0290 / 326 – 250
0290 / 322 – 406
Policia e Rajonale e Ferizajt garanton se të gjitha informatat do të trajtohen me konfidencialitet të plotë.
Së bashku mund ta mbrojmë ambientin, shëndetin dhe sigurinë tonë!



