PDK-ja, bëri mirë që e votoi mendermethënë kryetarin e Kuvendit!
Shkruan: Behxhet Sh. Shala – Bajgora
LV-ja ra në kurthin e opozitës: Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, përkundër fitores së LV-së me 42 përqind, skena politike në Kosovë u leopardizua shumë. Asnjë subjekt politik nuk i kishte votat e mjaftueshme, as për Kuvend e as për qeveri. Opozita e lëshoi mundësinë e artë për t’ia lënë “këmbët e arushës” në duar LV-së dhe autokratit Kurthi, që në mbledhjen e parë duke ia shpartalluar planin e mirëpërgatitur të Kurthit për sabotim të formimit të institucioneve.
I tërë veprimi opozitar ishte duke e bërë luftën e Don Kishotit kundër marionetave Dehari dhe Haxhiu, sikur edhe duke provuar nëse autokrati Albin Kurthi i ka votat e domosdoshme për Kuvend dhe qeveri. Pasi nuk pranuan që në seancën e parë ta votojnë propozimin e Kurthit, LDK-ja, për bindjen time, mori qëndrimin më të drejtë dhe parimor, duke refuzuar çdo propozim të LV-së dhe Kurthit, aksionarit të vetëm të ndërmarrjes antikombëtare dhe antishtetërore – LV-së.
AAK-ja e kushtëzoi votimin me dy emra, e që jam i bindur se nuk e meritojnë, as e para e as e dyta. Ndërkaq, PDK-ja ishte më bujare, duke dhënë një premtim publik se do ta votojë çdo propozim të LV-së përveç atyre që kanë qenë ministra apo zëvendësministra, dhe mbeti peng i një premtimi. Kur LV-ja e propozoi një kloun për kryetar Kuvendi dhe kur PDK-ja nuk e votoi, tmerrësisht u linçua në media si parti që nuk e mban fjalën. Edhe unë e zbraza një “batare moralizuese kundër PDK-së”.
Kur PDK-ja e votoi mendermethënë kryetarin e Kuvendit, të cilit pastaj i dolën duçat e ndyrë, bashkë me Arsovskën, filluan sulmet ndaj atyre që e votuan në PDK dhe AAK, në emër të një patriotizmi folklorik. Shoqatat e veteranëve kërkuan dorëheqjen e Dimal Arsovskës, disa deputetë mbuloheshin me hi si pendim për votim të gabuar. Nuk mendoj se gabuan ata që e votuan Dimal Arsovskën për kryetar të Kuvendit dhe e kanë gabim që e kërkojnë shkarkimin e tij për shkak të patriotizmit apo tradhtisë. Qe pse:
Standardi i mungesës së patriotizmit dhe tradhtisë nuk vlen për Dimal Arsovskën, shkaku se është përcaktuar herët kundër luftës, lirisë dhe UÇK-së. Nuk e ka dhënë asnjë kontribut për, por ka kontribuar shumë kundër. Edhe sot është në ato pozita me përkrahje të fuqishme të partisë që i ndan po ato bindje dhe qëndrime.
Dimal Arsovska është i operuar nga patriotizmi dhe ndjenja e përgjegjësisë. Nuk mund dhe nuk keni të drejtë ta detyroni askënd të veprojë në kundërshtim me bindjet dhe përcaktimin individual, familjar, politik, partiak, moral, kombëtar dhe njerëzor. Ky është brumi i Dimal Arsovskës dhe i partisë që e ka propozuar, prandaj në asnjë mënyrë nuk mund të prisni të dalë një gatim patriotik. Nuk ka alkimi që e bën këtë. As me Dimalin, as me Teneqe Muratin, as me Sipecin, as me rrencën patologjike që gërvallet, as me Lal Cullën apo me marionetat e Kurthit. Apo me këtë Krakovinën e baushtellës. Nuk kanë të kaluar kombëtare, me një të tashme thellësisht antikombëtare, mbesin pa një të ardhme.
Dimal Arsovska nuk mund të thirret në përgjegjësi as pse shkoi në Prekaz – kanë shkuar edhe më të këqinj. Ky, si kloun, e merr si aktivitet artistik dhe cirku.
Pse bënë mirë që e votuan këtë farë mendermethënë kryetari?
E bënë publike të kaluarën e këtij klouni.
E detyruan LV-në ta kandidojë njërin ndër asetet më të çmuara antikombëtare, në mesin e pjesës dërrmuese të anëtarësisë, duke e treguar në publik standardin e kodifikuar antikombëtar dhe mashtrues të LV-së.
E zhveshën botërisht nga ekshibicionet moralizuese.
E përligjën rrenën si spiritus movens të LV-së.
E detyruan Dimal Arsovskën ta shkelë Kushtetutën, duke e instrumentalizuar të shantazhuarin Krasniqi, mendermethënë ministër.
Prandaj, Dimal Arsovska nuk mund dhe nuk duhet të përndiqet për shkak të bindjeve politike dhe përcaktimit kombëtar. Duhet të pranohet se ai mund të jetë edhe anti-UÇK dhe antikombëtar, siç edhe është dëshmuar. Shkarkimi i tij duhet të kërkohet, shkaku se me vetëdije, qëllim dhe vullnet e shkeli Kushtetutën, ligjet dhe Rregulloren e Kuvendit, sikur që e detyroi ministrin Krasniqi të bëjë shkelje të Kushtetutës, ligjeve dhe Rregullores. Ky, bashkë me të tjerët, e formuan një ndërmarrje të strukturuar kriminale me qëllim të sabotimit të formimit të institucioneve, duke rrënuar bazat e shtetit përmes dhunimit të Kushtetutës së Kosovës. Hiç më pak!
4 shtator 2025, Prishtinë



