Kosova vendos sanksione të reja kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë
Kosova ka ndërmarrë masa ndëshkuese kundër Rusisë, për shkak të luftës së saj kundër Ukrainës, duke i miratuar katër pakot me sanksionet e fundit të Bashkimit Evropian kundër Moskës.
Në një mbledhje të premten në mëngjes, qeveria në detyrë ka miratuar pakot 15, 16, 17 dhe 18 të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë.
“Miratimi i këtyre vendimeve nga ana e Qeverisë, do të kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit të ngushtë me BE-në dhe partnerë të tjerë strategjikë, përfshirë Shtetet e Bashkuara”, ka thënë ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, gjatë prezantimit të kërkesës për miratim të masave.
Sveçla e ka bërë kërkesën në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në mungesë të ministres në detyrë, Donika Gërvalla, e cili ndodhet jashtë vendit.
Të gjitha pakot janë miratuar njerëzi.
Çfarë përmbajnë pakot?
Pakoja e 15-të, e miratuar në dhjetor 2024, përfshinte ngrirje pasurish dhe ndalime udhëtimi për 54 individë dhe 30 entitete, si dhe kufizime të reja ndaj të ashtuquajturës anijes ruse në hije, me 52 anije të listuara, si dhe ndalime të eksportit për teknologji me përdorim të dyfishtë.
Ndërsa, pakoja e 16-të, e miratuar në shkurt, në përvjetorin e dytë të agresionit rus në Ukrainë, shtoi 48 individë dhe 35 entitete në listën e zezë. Kjo pako ka ndaluar importin e aluminit nga Rusia dhe ka shenjëstruar edhe 74 anije të tjera, duke e çuar totalin në 153.
Masa shtesë prekën sektorin energjetik, transitin dhe shërbimet që ndihmojnë shmangien e sanksioneve, ndërsa sanksionet ndaj Bjellorusisë dhe territoreve të pushtuara u harmonizuan me ato ndaj Rusisë.
BE-ja ka miratuar paketën e 17-të në maj, duke u fokusuar te kërcënimet hibride si, dezinformimi dhe sulmet kibernetike.
Janë vendosur kufizime për mediat shtetërore ruse në territorin e BE-së, janë shtuar ndalesat për mallra dhe teknologji ushtarake, si dhe janë shënjestruar individë e kompani që ndihmonin Moskën t’ shmangte sanksionet ekzistuese.
Pakoja e 18-të është miratuat në korrik dhe ajo përfshinë masa të forta ekonomike.
Me ketë pako është ulur çmimi i kufirit për naftën bruto ruse nga 60 dollarë në 47.60 dollarë për fuçi, me rishikime çdo gjashtë muaj. BE-ja ka vendosur gjithashtu ndalime për transaksione që lidhen me tubacionet Nord Stream 1 dhe 2, ka bllokuar importet e produkteve të rafinuara nga nafta ruse në vende të treta dhe zgjeroi listën e anijeve të flotës në hije. Paketës i janë shtuar masa të gjera financiare dhe ndalime të reja për eksportin e teknologjive strategjike. Kosova është rreshtuar përkrah Perëndimit menjëherë pasi Rusia e ka nisur pushtimin e plotë Ukrainës në shkurt 2022, duke i vënë sanksione Moskës. Kjo luftë, e cila po vazhdon, sipas Kombeve të Bashkuara, ua ka marrë jetën mbi 10 mijë civilëve në Ukrainë. Të paktën 40 për qind e popullsisë kanë nevojë për një lloj të ndihmës humanitare.



