Filozofia politike e UÇK-së dhe rrënimi i mentalitetit të robit

19 shtator 2025 | 15:34

Shkruan: Ethem Çeku

Historia e kombit shqiptar është një udhëtim i gjatë dhe i mundimshëm nëpërmjet perandorive, pushtimeve dhe ideologjive shtypëse. Çdo etapë e saj është shënuar nga përpjekje për mbijetesë dhe nga përplasje për liri, ku gjenerata të tëra u ngritën mbi dhunën e historisë për të rikthyer dinjitetin e humbur. Në këtë rrugëtim, çdo hap drejt çlirimit është fituar me gjak, me qëndresën e rinisë dhe me sakrificat sublime të popullit.

Pas vitit 1912, çështja shqiptare hyri në një fazë të re, ku përplasja ndërmjet aspiratës për bashkim kombëtar dhe iluzioneve të zgjidhjes brenda kornizave të pushtuesve e ndau elitën politike. Një pjesë kërkoi lirinë e plotë, ndërsa një pjesë tjetër mbeti e burgosur në logjikën e lëshimeve të pjesshme. Kjo mendësi e gjymtuar politike nuk mundi të japë përgjigjen e plotë për fatin historik të shqiptarëve.

Në këtë vorbull u shfaqën misionet çlirimtare, të cilat në momente kyçe e çanë errësirën e robërisë dhe rrënuan mentalitetin e nënshtrimit. Siç shprehej Frantz Fanon: “Në çastin kur robi kupton se liria është e vetmja rrugë drejt dinjitetit, ai nuk pranon më të jetojë i nënshtruar.” Kryengritjet e viteve 1910–1912, veprimtaria e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, kryengritja e Shaban Polluzhës më 1945 dhe demonstratat e 1968 e 1981, ishin hallkat që dëshmuan se shqiptari nuk mund të pajtohet me gjendjen e robit, sepse thellë në qenien e tij mbeti gjithmonë i gjallë etosi i lirisë.

Kulmi i këtij procesi erdhi me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila artikuloi për herë të parë një filozofi politike të çlirimit të plotë, të pavarur nga kompromiset e imponuara dhe nga konjukturat e rreme të pushtuesit. UÇK ishte forca historike që theu zinxhirët e mendësisë së nënshtrimit dhe e ktheu kombin nga filozofia e robit në filozofinë e çlirimit. Ajo e bëri shqiptarët subjekt politik të historisë, aktorë të emancipimit kolektiv dhe bartës të një legjitimiteti moral universal, të njohur edhe nga bota demokratike.

Me këtë akt historik, shqiptarët e Kosovës u vendosën në orbitën e qytetërimit perëndimor, duke rikthyer dinjitetin dhe duke e bërë njeriun shqiptar zot të tokës së vet. Në frymën e Hegelit, “liria është vetëdija e njeriut se ai është zot i fatit të vet” – dhe kjo vetëdije u mishërua në aktin e çlirimit, i cili nuk ishte vetëm fitore ushtarake, por shndërrim paradigmatik i ekzistencës politike të shqiptarëve.

Sot, shqiptarët jetojnë më afër se kurrë me idealin e lirisë dhe të barazisë. Dëshmitë e liderëve botërorë mbi misionin e UÇK-së tregojnë se rruga drejt lirisë ishte e vështirë, por e drejtë, dhe se vetëm çlirimi i plotë dhe formimi i Republikës sonë ishte zgjedhja e qëndrueshme për Kosovën.

Filozofia politike e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, e finalizuar me aktin e UÇK-së, mbetet trashëgimi dhe udhërrëfyes për brezat e ardhshëm. Ajo është dëshmi se çlirimi nuk është vetëm një kategori politike, por mbi të gjitha një kategori morale dhe filozofike, që i kthen kombit dinjitetin dhe e fut në rrjedhën e pandalshme të qytetërimit perëndimor.

Lavdi dëshmorëve të të gjitha kohërave.
Nder dhe respekt për mbështetësit e çështjes shqiptare në të gjitha etapat e historisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka ndërruar jetë Adem Haxhosaj, njeri nga luftëtarët e parë…