Hill përfundon dëshminë
Diplomati i pensionuar amerikan, Christopher Hill ka përfunduar dëshminë treditore para Gjykatës Speciale në Hagë, në cilësinë e dëshmitarët mbrojtës të Hashim Thaçit.
“Ishte një përvojë e veçantë”, tha Hill, pasi përfundoi dëshminë e tij.
Gjatë dëshmisë treditore, Hill foli për rolin e Thaçit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe në negociatat në Rambuje.
Ai tha se përshtypja e tij ishte që Thaçi nuk ishte një figurë vendimmarrëse brenda UÇK-së, pasi kujtoi se gjatë negociatave në Rambuje atij i duhej të konsultohej paraprakisht me të tjerët brenda UÇK-së dhe nuk mund të merrte vendime krye më vete.
Në ditën e tretë të dëshmisë, trupi gjykues e pyeti Hillin nëse UÇK-ja ishte e strukturuar dhe ai përsëriti qëndrimin se nuk kishte një hierarki të mirëfilltë.
Megjithatë, ai tha se UÇK-ja tentonte të binde SHBA-në se ishte një organizatë dhe ushtri e strukturuar mirë, raporton REL.
Gjykatësit e pyetën edhe për takimet e tij me udhëheqësin e atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.
Hill tha se Millosheviq shqetësohej që SHBA-ja po anonte nga UÇK-ja dhe po linte anash LDK-në.
Po ashtu, nënshkrimi i marrëveshjes së Rambujesë, sipas tij, hodhi poshtë pretendimin e Millosheviqit se shqiptarët nuk mund të bëheshin bashkë e të pajtoheshin për ndonjë gjë.
Hill përsëriti qëndrimin e shprehur edhe në ditët paraprake të dëshmimit, se nuk mendonte se Thaçi ishte një nga themeluesit e UÇK-së, nuk e dinte kush ishte përgjegjës në UÇK dhe kush i lëshonte komunikatat.
Diplomati amerikan në pension edhe në ditën e tretë të dëshmisë përsëriti se nuk kishte informacione se Thaçi ishte përshirë në ndonjë aktivitet të paligjshëm të shkeljes të të drejtave të njeriut.



