Seanca e Thaçit më 28 nëntor në Hagë, Syla: Këtë datë e kemi respektuar edhe në kohë lufte
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë vendosur të mbajnë seancë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi më 28 nëntor, ditë që në Kosovë konsiderohet festë zyrtare për nder të Ditës së Flamurit.
Gazmend Syla nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së, ka deklaruar se Gjykata Speciale nuk ka treguar respekt për historinë e popullit shqiptar.
“Ne e kemi konsideruar që kjo gjykatë nuk ka respektuar vlerën, historinë tonë, atë çka kanë dhënë shumë e shumë dëshmorë, gjeneratë pas gjenerate”, ka thënë Syla në emisionin “Kosova Today” në “Klan Kosova”.
Ai është shprehur se 28 Nëntori ka qenë gjithmonë datë e shenjtë për shqiptarët, e respektuar edhe gjatë periudhës së luftës.
“Është festë zyrtare në krejt shqiptarinë. Ne e kemi respektuar këtë datë edhe në kohë lufte dhe e kemi nderu. Edhe historia jonë më e re lidhet me këtë datë, sepse atëherë është zyrtarizuar UÇK-ja, e pastaj kemi edhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari”, ka thënë Syla.



