Kurti pasi u nominua për kryeministër me akuza të rënda për partitë e tjera: Duan ta shndërrojnë krizën legale në krizë sociale
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur pas nominimit si kandidat për kryeministër, duke deklaruar se është i nderuar për besimin e dhënë edhe një herë nga partia e tij.
Ai theksoi se vendi po shkon në zgjedhje të reja pa vullnetin e Vetëvendosjes dhe pa dëshirën e tij personale, duke e fajësuar opozitën për mungesë bashkëpunimi.
“Jam i nderuar që më besuat edhe një herë si kandidat për kryeministër. Jemi para zgjedhjeve të reja pa dëshirën time dhe pa vullnetin e Lëvizjes Vetëvendosje, si pasojë e refuzimit të bashkëpunimit të partive të tjera me ne. Asnjëra prej tyre nuk po arrin ta pranojë realitetin. Së pari më refuzuan mua, pastaj refuzuan edhe Glauk Konjufcën. Të dyja herët votuan bashkë kundër qeverisjes së Vetëvendosjes”, tha Kurti.
Gjatë fjalës së tij, Kurti akuzoi opozitën edhe për mosvotimin e buxhetit dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare, duke theksuar se kjo po e dëmton drejtpërdrejt qytetarin.
“Kjo nuk është situatë që ne e kemi dashur apo menduar. Por përfunduam këtu sepse këto parti, pas bllokimit për dhjetë muaj, po duan ta shndërrojnë krizën legale në krizë sociale. Njerëzit të mbesin pa paga, të mos mund t’i marrin shtesat me rritje, të krijohen borxhe dhe mungesa në pagesat për operatorët ekonomikë. Krizë ekonomike e financiare në vendin tonë nuk ka”, deklaroi ai.
Kurti u shpreh i bindur se ai do t’i fitojë zgejdhjet më 28 dhjetor. Reporteri.



