Inteligjenca artificiale po ndryshon marrëdhënien mes gazetarëve dhe audiencës

27 nëntor 2025 | 08:07

Nga: Margaret Simons / The Guardian

Ideja e shërbimit ndaj publikut është ngulitur në palcën e gazetarisë – qëkur u krijua ky profesion.

Qofshin lajmet cilësore për informim të qytetarisë, apo sensacionet dhe thashethemet, redaksitë e redaktorët gjithmonë në mendje kishin dëshirat dhe nevojat e audiencave – fisnike apo të ulëta.

Por, kjo marrëdhënie po ndryshon në mënyra të rëndësishme dhe të rrezikshme – ndryshimi më i fundit në 50 vjet, një përçarje e jetës sonë mediatike dhe publike e nxitur nga teknologjia.

Më lejoni të shpjegoj.

Nëse përdorni një motor kërkimi si Google, kohët e fundit, do ta keni vërejtur se kur kërkoni informacion për një temë, ju shfaqet një përmbledhje e thjeshtë e fakteve kryesore në krye të rezultateve të kërkimit. Janë të pranishme vegëzat për më shumë informacion, nëse dëshironi, por shumica e njerëzve kënaqen me përmbledhjen.

Kjo do të thotë se më pak njerëz klikojnë te faqet e mediave për të kërkuar lajmet. Deri tani, prirja është e vogël, por të gjithë presin që të rritet. Dhe, kjo minon modelet e biznesit të medias. Më pak shikueshmëri në faqen ose aplikacionin e një organizate mediatike do të thotë më pak abonentë dhe më pak reklamues të gatshëm që paguajnë për të arritur te një audiencë në rënie.

Le ta lëmë mënjanë, për momentin, çështjen e saktësisë së përmbledhjeve të gjeneruara nga robotët, sepse shumica e tyre janë mjaft të sakta. Gafat janë shumë të sikletshme, ndonjëherë të rrezikshme, por gjithashtu gjithnjë e më të rralla.

Kjo për faktin se kompanitë e IA-së [inteligjencës artificiale] – GoogleOpenAI dhe të tjerët – po nënshkruajnë marrëveshje, me kompanitë mediatike, që lejojnë të përdorin përmbajtje të shkruar nga gazetarët, përfshirë dekada të arkivave mediatike, për të trajnuar dhe ushqyer robotët e tyre.

Shumica e kompanive të mëdha mediatike kanë nënshkruar një lloj marrëveshjeje, dhe është e lehtë të kuptohet pse. Modelet e biznesit të medias janë tensionuar vazhdimisht, madje janë thyer nga valët e njëpasnjëshme të ndryshimeve teknologjike.

Paratë që ofrohen për licencimin e përmbajtjes për kompanitë e IA-së janë thuajse të parezistueshme. Kur të gjithë këtë po e bëjnë, kush guxon të mbetet pas?

Kompanitë etike mediatike e mbrojnë marrëveshjen me kushte të formuluara për t’u dhënë pak kontroll dhe për të mbrojtur reputacionin e tyre.

Por, kjo mund të errësojë mekanizmin bazik – çarjen në marrëdhënien mes gazetarëve dhe audiencave të tyre. Bartja e fuqisë nga brendet mediatike te brendet e IA-së dhe pronarët e tyre.

Inteligjenca artificiale është kaq e re dhe zhvillohet kaq shpejt, saqë vetëm të marrët do të bënin parashikime këmbëngulëse. Ndoshta ka një flluskë, dhe ndoshta ajo do të shpërthejë. Ndoshta brenda pak muajsh do të dalë një model tjetër.

Por, kam frikë se nëse prirjet aktuale vazhdojnë, organizatat mediatike mund të kalojnë shumë shpejt nga modeli biznes drejt publikut, në një model biznes drejt biznesit.

Kompanitë e IA-së do të ndërhyjnë mes gazetarit dhe audiencës.

Sot, 22 përqind e australianëve paguajnë për lajme, sipas raportit vjetor për lajmet dixhitale të Universitetit të Kanberës.

Kjo sugjeron njëfarë besnikërie ndaj brendit. Por, 22 përqindëshi nuk është as afër shumicës. Dikur shumica e familjeve blinte gazetë. Tani, media cilësore komerciale nuk është më një biznes “masiv”. Është shërbim për një elitë.

Ata që nuk paguajnë marrin informacionin nga televizionet pa pagesë (ende të rëndësishme, por në rënie të shpejtë), rrjetet sociale (ende në rritje) ose shumë burime falas, përfshirë influencerët, podkasterët dhe partizanët politikë. Disa njerëz i shmangin krejtësisht lajmet. Në këtë vend mund të jemi mirënjohës që burimet falas përfshijnë transmetuesit publikë, të cilët janë gjerësisht të besueshëm dhe ruajnë standardet e saktësisë dhe paanshmërisë.

Tani, më shumë se kurrë, brendet cilësore të medias varen nga marrëdhëniet me audiencën për rëndësinë dhe mbijetesën financiare. Dhe, megjithatë, në marrëveshjet me kompanitë e IA-së, mund të jenë duke shkëmbyer pikërisht gjërat nga të cilat varet kjo marrëdhënie.

A ka rëndësi nëse gazetarët hulumtojnë dhe shkruajnë përmbajtje për përdorim nga bizneset e IA-së, e jo si shërbim i drejtpërdrejtë për publikun?

Ka shumë rëndësi.

Këto janë rreziqet:

Së pari, më e dukshmja: nëse gazetaria nuk i shërben interesave të atyre që kontrollojnë IA-në, përmbajtja mund të mos botohet ose mund të shtrembërohet apo të censurohet. Ne tashmë e shohim këtë në disa nga rezultatet e kërkimit që shfaqen nga Grok-u i Elon Muskut.

Së dyti, humbasim një nga përfitimet kryesore të qasjes në faqe, aplikacion apo kanal të një medie. Mëson për gjërat për të cilat as nuk të ka shkuar mendja të interesohesh, që udhëhiqen në një pako nga njerëzit që ushtrojnë gjykimin.

Një model i dominuar nga IA-ja, në anën tjetër, përgjigjet vetëm për pyetje mbi temat specifike, ose për atë që nxjerr nga kërkimet e mëparshme tua. Ai nuk kujdeset për ty si bashkëqytetar.

Së treti, nëse kompanitë mediatike humbasin marrëdhënien direkte me audiencën, ato bëhen më të prekshme ndaj sulmeve. Sa pak e mundur është që publiku të dijë apo të kujdeset, e lëre më të mobilizohet për të mbrojtur një organizatë mediatike që ka zemëruar qeverinë, nëse informacioni i saj është konsumuar si pjesë e një përzierjeje burimesh?

Dhe, a do të mbijetojë ndjenja e detyrës publike dhe qëllimit publik që ende motivon redaksitë dhe gazetarët më të mirë, nëse marrëdhënia direkte me audiencën ndërpritet apo dobësohet?

Nuk ka kuptim të pretendojmë se ndryshimi nuk po ndodh, apo se mund të shmanget. Por, rreziqet duhet të adresohen.

Organizatat mediatike duhet të hyjnë në lojë, të mbrojnë brendin e tyre duke ofruar përmbajtje cilësore. Duhet ta bëjnë përmbajtjen, përfshirë arkivat, më të lehtë për kërkim. Duhet t’u ofrojnë abonentëve robotët e tyre të brendshëm për pyetje-përgjigje. Kjo tashmë po ndodh në shumë organizata mediatike, por ndoshta jo mjaftueshëm shpejt.

Është shumë më e lehtë, kur buxhetet janë të pakta, të transferosh funksionalitetin te teknologjia e madhe, gjë që e rrit edhe më shumë dominimin dhe kontrollin e saj.

Ndoshta transmetuesit publikë të botës mund të bashkëpunojnë për të ndërtuar motorët e tyre të IA-së, të trajnuar mbi materiale të verifikuara faktike dhe që mbesin në duart publike.

Ose, ndoshta audienca do të ndiejë pakënaqësi ndaj përzierjeve të IA-së dhe zërit imitues.

Ndoshta njerëzit do ta vlerësojnë, dhe do të paguajnë për origjinalin, tekstin, thellësinë. Për intervistat dhe vëzhgimin dhe dëshminë – që janë zemra e gazetarisë.

Duhet të shpresojmë kështu.

Marrëdhënia midis gazetarit dhe audiencës është thelbësore për besimin, për qëndrueshmërinë, për aftësinë për të tërhequr vëmendjen ndaj çështjeve të pakëndshme dhe lajmeve të padëshiruara.

Ajo është thelbësore për idenë e publikut dhe interesin publik.

E humbasim atë me rrezikimin tonë. /Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një prokuror të mërkurën hoqi të gjitha akuzat penale në…